“Sill 15 votues të sigurt, që të mos humbasësh vendin e punës”

anazapta

Partia Socialiste e Durrësit denoncon formularin e shpërndarë në administratë për sigurimin e votave të sigurta. Kryetari i degës së PS-së në Durrës, Alfred Mullaraj, tha dje se kryeministri Berisha ka dhënë urdhër që çdo punonjës i administratës publike të sigurojë dhe dorëzojë një listë me emrat dhe numrat e kontaktit për të paktën 15 votues të Partisë Demokratike, në të kundërt rrezikon vendin e punës.

“Edhe në Durrës, Saliu me njerëzit e tij po i kërcënojnë me bukën e gojës. Pasi e përdhosi administratën publike, duke e rreshtuar në çdo miting të partisë, pasi e bëri dekor të qeverisë së tij të krimbur nga korrupsioni dhe pasi e spastroi nga profesionistët, Sali Berisha e sheh administratën publike si të vetmen shpresë për të zgjatur agoninë e tij politike. I pashpresë, Berisha ka lëshuar urdhrin ashtu si në të gjithë vendin edhe në Durrës, i cili parashikon që çdo punonjës duhet të dorëzojë te drejtuesit e PD-së një listë me 15 emra me banim në Durrës, të cilët të votojnë për Partinë Demokratike. Krahas emrave, adresës dhe numrit të kartës së identitetit, çdo punonjës i administratës duhet të japë edhe numrat e telefonit për çdo person në listë. Urdhri shoqërohet edhe me masat ndëshkimore për të gjithë ata që nuk i binden pushtetit. Kush nuk dorëzon këtë listë humbet vendin e punës”, citohet Mullaraj në gazetën “Shqip”.

Ai shprehet se pushteti i Saliut i trajton punonjësit e administratës si skllevër, duke i kërcënuar në bukën e gojës. “Mbi të gjithë mësuesit, mbi të gjithë personelet e spitaleve, mbi të gjithë rrogëtarët e shtetit, kudo ku janë, po bëhet një presion kriminal për t’i detyruar që t’i bashkohen fushatës së partisë familjare të kryeministrit dhe për t’i dhunuar psikologjikisht me qëllim që t’u marrin votën. Një përdorim barbar e skllavëror që arrin kulmin me sigurimin e detyruar të listës me 15 emra të cilët duhet të sigurojnë votimin për demokratët”, tha ai.

Sipas tij, PD po bën punësime masive elektorale me kontrata 3-mujore, me qëllim përfitimin e votave. “Kontrata tremujore elektorale në këmbim të votës për riciklimin e Saliut në pushtet, dhjetëra vende pune fiktive, të sajuara në letër vetëm për zgjedhje, kjo është lëvizja më e fundit e Sali Berishës dhe e lukunisë së manipulatorëve në oborrin e pushtetit, për të deformuar votën popullore në zgjedhjet e 23 qershorit”, tha ai.

 

Share This Article
2 Comments
  • Sali Krimineli ka vdek qe ne 2009,por paterica me e shemtuar e tij Ilir Meta e mbajti ne kembe duke zgjatur agonine edhe 4-vjet te tjera.Ai kriminel ka vdekur politikisht,moralisht dhe fizikisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *