Mbi romanin “Gora pa zogj” (titulli në gjuhën boshnjake i romanit “Lulet e skajbotës”, Toena 2017) të shkrimtarit Namik Dokle
RESHAT FAZLLI
Romani “Gora pa zogj” i shkrimtarit Namik Dokle, na vjen në gjuhën boshnjake në përkthimin e prof. Sadik Idrizit, botuar nga Shtëpia Botuese Connectum e Sarajevës. Si kuptohet nga titulli i origjinalit në shqip “Lulet e skajbotës”, në qendër të veprës vihen ato karaktere njerëzish, ajo botë e veçantë nga hapësira e Gorës, nga “fundi i botës”, margjinalizuar nga një jetë plot mundime, të vështirë dhe të rëndë dhe, për çudi, pikërisht asaj jete i japin vlerën e njerëzores.
Duke lexuar romanin ndihet një fluturim nëpër kohë, gjë që përshfaqet edhe nga kompozimi i brendshëm i tij, në të cilin hapësira dhe koha shpërhapen në atë mënyrë, që në asnjë fazë të tekstit autori nuk ndalet gjatë, sikur të ketë drojë se mos ndonjë segmenti të subjektit i jep më tepër vëmendje dhe, kështu, ia merr një segmenti tjetër, jo më pak të rëndësishëm.
Në këtë mënyrë, si një lëvizje e pandalshme në një ekran të gjerë, përftohet pamja dhe portreti i një populli, i goranëve, në gjithë perspektivën dhe rrokullimat e kohës; fati i tyre dhe qëndresa në kushtet më të rënda. Në fund të romanit, në këtë shtresëzim të rrëfimit dhe mjedis të çuditshëm, gati-gati magjik, kuptohet jo vetëm karakteri i Goranëve, por edhe përpjekja e tyre mbrojtëse përballë rrapëllimave të reja të kohës, në atë pjesë të fatit që i ka vendosur drejtësia kozmike.
Kur bëhet fjalë për kompozimin e jashtëm të veprës, vihet re, që autori nuk i ka kushtuar shumë vëmendje shtresëzimit të tij, gjë që është dalluese për romanet romantike dhe realiste, ndërkohë që është përqendruar në mjeshtërinë artistike të prozës, duke gdhendur personazhet me një individualizim stilistik, u ka dhënë rëndësi shenjave bashkëkohore të rrëfimit, nëpërmjet të cilave vepra ka përftuar një përmbajtje të plotë të romanit modern. Duket që autori Namik Dokle u ka dhënë përparësi dallimeve psikologjike dhe morale të personazheve të tij, gjë, e cila është konceptimi i sotëm i botës së letrave, bindja se ngjarjet janë vetëm skena dhe qerthulli, ndërkohë që drama e vërtetë zhvillohet në thellësitë e brendshme të qenies njerëzore dhe morale.
“Rrjedhat e reja” kanë sjellë “kohën e re”, idenë e demokracisë, por bashkë me pamjen e shëmtuar të saj, ndërkohë kemi edhe një linjë ngjarjesh anarkike, që do të kushtëzojnë dyshimin në drejtësinë e përvojave të deritanishme në themelin e të cilave qëndron mençuria popullore… Tashmë janë shfaqur kundërthëniet: “Ti je gjarpër, por unë jam iriq, prandaj nuk ta kam frikën, nuk më bën dot asgjë!”, thotë diku Çopur Çabraku. Shfaqen kështu forca të reja në kohë të reja, të ashpra dhe pa arsye, por të fuqishme dhe sipërmarrëse. Njeriu i zakonshëm nuk i kupton ato, por i pranon, jo me dëshirë, por se nuk ka ndonjë mundësi tjetër. Madje në këtë distopi ngjarjesh dhe shfaqjesh të karaktereve kërcënuese, përshfaqet pasqyrimi i një gjendjeje të re, që akoma nuk është pasqyrim i drejtpërdrejtë, por kuptohet që tashmë në skenë kanë hyrë aktorët e botës bashkëkohore, të frikshëm, të suksesshëm dhe të kudondodhur. Nëpërmjet tyre autori ndërton trekëndëshin e parë të romanit, perustinë e veçantë: “Çopur Çabraku – Rroftë Hoxha – Jallman Xhimshiti”. Është trekëndëshi që shpërfaq zymtësinë e ditëve dhe fatkeqësive të reja. Pa këtë trekëndësh do të krijohej përshtypja e një Gore të paqtë dhe të qetë, që do të mbetej në kohërat e utopisë, ndërsa ky trekëndësh i ndryshon dimensionet, subjekti bëhet realist, ndërsa rrëfimi magjik në përballje me besimin popullor dhe kodin e sjelljes tradicionale. Personazhet e të rinjve, me sjellje të paskrupullta, krijojnë rreth vetes botën e tyre të vogël, kronotipe vetjake, që bëhen përmbajtje e re, sistem i ri në mjegullat e demokracisë. Ky trekëndësh përbën vdekjen e civilizimit, perustinë ku zharitet njerëzorja, vdekjen e karakterit, madje edhe pa satirizimin e tekstit apo parodizimin e rrëfimit, por vetëm me përpjekjen e njëmendtë, që të jetë i tillë.

Bazamenti i këtij trekëndëshi është Çopur Çabraku, ky “biznesmen i suksesshëm”, madje i shikuar edhe si lider popullor, imponues i fatit të të tjerëve, ai që blen çdo gjë që mund të blihet (dhe duket që gjithçka mund të shitet). Është qenie e gjallë e kohëve të reja, por i vdekur si njeri, dhe e vetmja gjë që ka arritur me sukses vetjak, është hajnia e pulave, të tjerat ia solli koha, të cilën njerëz si ai e kapin për fyti. Ai është i zbuluar krejtësisht, në frymë dhe tekst: tek ai gjithçka thuhet hapur dhe me zë të lartë, bota e tij e brendshme, skicimet e jashtme, dukja dhe veprimet janë në një rrafsh. Vështrimi i vetvetes prej tij përputhet me atë që të tjerët shikojnë tek ai, shoqëria, bashkëpunëtorët; aq sa ne zemërohemi me ta, po aq sa edhe me të adhuruarin prej tyre. Këta janë ai soj njerëzish që shfaqen, ngrihen deri në lartësitë e paturpësisë, trazojnë tokën dhe qiellin, qëllojnë si rrufetë nga lart, lëshojnë zjarr dhe djegin gjithçka rreth vetes. Në fund ngelen pa gjurmë, shkretia mbetet pas tyre që të na paralajmërojë për një kohë të gjatë.
Përkundër këtij trekëndëshi simbolik, në roman kemi një tjetër, që përfaqësohet nga Ismen Kallabaku, Petrit Kallabaku dhe Hasime Xhimshiti. Do të thoshim që është trekëndëshi i personazheve klasike. Më i skalituri më duket ai i Hasimes, heroina që dinte gjithçka për luftën, por që ishte e papërgatitur për jetën e ashpër të paqes. Në luftë ishte e aftë që të sakrifikonte edhe jetën për shokun, për shoqen, ndërsa në paqe nuk ishte e aftë të dashuronte, ishte e trembur dhe më shumë i frikësohej mosbesimit në vetvete sesa vdekjes. Ashtu edhe mbetet, e vetmuar, gati e çmendur në mes të katër mureve të ftohta. Sepse, ashtu siç ka shkruar Mesha Selimoviç në romanin e tij “Kështjella”: “Lufta është e ashpër, por e ndershme, siç ndodh te kafshët. Jeta është e ashpër, por e pandershme, siç ndodh mes njerëzve”, deri edhe çmenduria e Hasimes vetëm sa tremb Çabrakun në egërsinë e tij dinake.
Personazhet e trekëndëshit të dytë janë të vetmet që diqysh kundërvihen ndaj “sjelljeve të reja”, të cilat as vetë ata nuk mund t’i zbulojnë. Ky simbol përfaqëson majën e jetës së goranëve, të asaj jete të dikurshme të Gorës, ku janë përkundur të parët tanë, Gorën, me të cilën u dashuruan dhe e duan më shumë sesa veten, i kthehen e i rikthehen asaj, për ta mbrojtur nga gjuhët e këqija, njëlloj sikur të ishte kopshti i parajsës dhe jo vendi i shkrepave dhe berlinave, i gurëve dhe rrëpirave. Edhe pse prej kohësh, siç shkruan autori, “është prerë me shpatë”, ajo jeton të njëjtën jetë në dy anë, jetën e vet autentike. “Një trup, por dy sundues…”, ndërsa fati i njëjtë. Kjo e bën romanin një përkatësi të Gorës unike.
Simbolika e vuajtjes në romanin e Namik Dokles është epifonema “vdekje”. Veprimi i saj godet dhe kërcënon të gjitha personazhet, të gjitha ato njëlloj janë të vetëdijshme dhe të gjitha bartin vdekjen si shenjë paralajmëruese, në shtëpi, në punë, në marrëdhëniet me miqtë dhe të tjerët. Kjo përshfaqet më shumë dhe përmendet më shpesh. Jo pa arsye, autori ka përzgjedhur frikën nga vdekja, nga përmbytja, nga braktisja si simbol dhe metaforë, që dominon romanin. Është frika e Ismen Kallabakut se mos humbet fëmijët. Frika e Andrinit, se kurrë nuk do ta gjejë dashurinë e humbur të jetës (dhe vritet pa e gjetur, edhe pse pranë saj). Frika e Hasimes, në atë jetë që i ka mbetur, që tashmë e ka humbur heroinën brenda vetes duke dënuar me vdekje shoqen e saj me të mirë. Është edhe frika e Çopur Çabrakut, që duke u zhytur në keqbërjen e vet mund të humbasë pasuritë.
Dhe më në fund, është edhe frika e vetë autorit se mos Gora do të boshatiset, do të mbetet pa jetë, pa njerëzit që po e braktisin, apo që vdesin aty të vetmuar dhe, më dhimbshëm akoma, ta marrin në dorë batakçinjtë dhe fajdexhinjtë duke i shkaktuar kështu një vdekje kolektive.
Frika si simbol i romanit përbën edhe anën lirike të rrëfimit, është dialogu i brendshëm i personazheve dhe monologu i brendshëm i autorit, që përshkon veprën në tërësi. Platoni thoshte që “dashuria është e bukur, por vdekja është superiore…” dhe për këtë arsye, tragjeditë mbeten më gjatë në kujtesë dhe nxisin katarsisin. Bukuria e dukshme e veprimit qëndron në mendimin psikologjik dhe vdekjen, si dy gjëra të pashmangshme…
Në romanin e Namik Dokles, Gora, për kushedi të satën herë, përjeton fatin e vet shekullor, nëpër kohërat që parakalojnë përpara saj. Kohët kalojnë, por trishtimi dhe brengat ndryshojnë vetëm formën dhe stilin, ndërkohë që mbeten njëlloj therëse, njëlloj të dhimbshme. “Gora pa zogj” jo vetëm që na zbulon mjeshtërinë letrare të autorit, por është edhe një vepër që, sigurisht, i sjell vlerë të re letërsisë.
