Infeksionet e traktit të frymëmarrjes ndahen në infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe infeksione të rrugëve të poshtme.
Kur preken rrugët e sipërme të traktit respirator, shfaqen problemet me grykën, fytin dhe sinuset. Në këto raste simptomat më të zakonshme klinike përfshijnë hundë të zëna, ose sekrecione të lëngshme, por edhe të trasha e me ngjyre të errët në rastin e sinuziteve, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, dhimbje koke dhe kollë të thatë.
Kur infeksioni zbret më poshtë, në rrugët e poshtme respiratore, kemi të bëjmë me bronkit, pneumoni, të shkaktuar nga agjentë të ndryshëm. Simptomat në këtë rast përfshijnë zakonisht një kollë më të rëndë që mund të prodhojë gëlbazë, dhimbje gjoksi, vështirësi në frymëmarrje, deri në gulçim.
Kujdes duhet treguar me përdorimin e antibiotikëve, të cilët nuk kanë asnjë vlerë në rastin kur shkaktarët janë me origjinë virale. Prandaj mjekimi duhet bazuar në ekzaminimet klinike radiologjike dhe laboratorike. Antibiotikët janë efektivë vetëm në trajtimin e problemeve me origjinë bakteriale.
Përveç trajtimit medikamentoz, që i takon vetëm mjekut specialist, për të gjitha llojet e infeksioneve të rrugëve respiratore, rekomandohet përdorimi i çajrave dhe lëngjeve të ngrohta gjatë gjithë ditës.
Pacientët duhet të qëndrojnë në ambiente të ngrohta, të ajrosura herë pas herë dhe të vishen lehtë. Asnjëherë nuk duhet të vishen trashë pasi djersijnë.
Për uljen e temperaturës dhe qetësimin e dhimbjeve të ndryshme rekomandohet paracetamoli dhe ibuprofeni. Natyrisht jo për përdorime mbi tre ditë, në të kundërt duhet të këshillohen me mjekun e familjes.
Edhe pse në shumicën e rasteve kemi mungesë të oreksit, pacientët duhet të përpiqen të hanë ushqime të lëngshme në porcione të vogla dhe të shpeshta.
Të rekomanduara janë frutat me përmbajtje të lartë të vitaminës C, siç janë mollët, portokallet, mandarinat, luleshtrydhet, kivi, etj. Gjithashtu këshillohet edhe marrja e dozave suplementare të vitaminës C, deri në një gram në ditë, pasi ajo luan një rol të rëndësishëm kundër infeksioneve në organizëm. p.k/dita

cool
bukur