Simptomat dhe trajtimi i depresionit në moshën e tretë

Ornela

Pranvera Kola – DITA

Me rritjen e moshës shtohet edhe rreziku për çrregullime të shëndetit mendor, ku një ndër patologjitë më të shpeshta që shfaqet është edhe depresioni.

Sipas bluzave të bardha, si grupe me risk të lartë për të zhvilluar këtë sëmundje janë pacientët me probleme kardiake, diabet, sëmundje onkologjike, parkinson, insult cerebral, femrat në periudhën perinatale, abuzuesit me alkool dhe substanca të tjera, personat me probleme sociale, personat që vuajnë nga dhimbje kronike, etj.

Lidhur me trajtimin e kësaj sëmundjeje, bluzat e bardha thonë se në përgjithësi, trajtimi i kthen pacientët në nivelin e tyre të funksionimit para fillimit të sëmundjes, zakonisht brenda 1 deri në 2 muaj.

Kjo për rastet në të cilat kujdesi i specializuar mjekësor nuk neglizhohet të merret që në stadet fillestare të shfaqjes së depresionit. Gjithashtu, në studimet e kohëve të fundit saktësohet se shumica e rasteve edhe mund të parandalohen.

Forma shumë të lehta të çrregullimeve depresive shpesh fashiten pa nevojën e trajtimit, prandaj është e rëndësishme që mjeku të kuptojë momentin kur duhet të fillojë dhe të rekomandojë trajtimin.

Duke u ndalur veçanërisht tek moshat e treta, mjekja Ilda Xhelili, ndalet në detajimin e faktorëve që ndikojnë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje tek kjo kategori, njohjen e simptomave diagnostikuese, si dhe masat që duhet të merren për të reduktuar ndërlikimet që shkakton.

Sa rrezikojnë të moshuarit nga depresioni?

Depresioni klinik tek të moshuarit është i zakonshëm. Edhe pse është një fenomen i zakonshëm, kjo nuk do të thotë që shfaqja e tij në moshën e tretë është normale.

Depresioni në fund të jetës prek rreth 6 milionë amerikanë të moshës mbi 65 vjeç (sipas statistikave). Megjithatë, vetëm 10 për qind e të prekurve marrin mjekimin për depresion. Arsyeja e mundshme është që shpesh të moshuarit shfaqin shenja të ndryshme të depresionit.

Depresioni tek të moshuarit është gjithashtu i ngatërruar shpesh me efektet e shumëfishta të sëmundjeve, apo të medikamenteve të shumta që ata përdorin për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme që kanë.

Si ndryshon depresioni tek të moshuarit nga depresioni që shfaqet në moshat më të reja?

Tek të moshuarit, depresioni shpesh paraqitet me sëmundje dhe paaftësi të tjera mjekësore dhe zgjat më shumë në krahasim me moshat e reja.

Depresioni në të moshuarit shpesh rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare (sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut). Rreziku për këto sëmundje tek të moshuarit është i dyfishuar dhe po ashtu edhe rreziku i vdekjeve nga këto sëmundje.

Në të njëjtën kohë, depresioni redukton aftësinë e personave të moshuar për t’u rehabilituar. Studimet e pacientëve që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve kanë vërtetuar se depresioni rrit ndjeshëm gjasat e vdekjes nga këto sëmundje.

Rreziku i vdekjes është i lartë pas një sulmi në zemër. Prandaj, depresioni edhe nëse shfaqet në forma të buta, duhet të vlerësohet dhe të trajtohet me shumë kujdes. Gjithashtu, depresioni shton edhe rrezikun e vetëvrasjes, i cili sipas statistikave rrezikon më i shprehur të meshkujt mbi moshën 80-85 vjeç.

Instituti Kombëtar Amerikan i Shëndetit Mendor, e konsideron depresionin te njerëzit e moshuar mbi moshën 65 vjeç, si një problem të madh të shëndetit publik.

Përveç kësaj, përparimi i moshës shoqërohet shpesh me humbjen e mbështetjes sociale për shkak të vdekjes së bashkëshortit, ose të vëllezërve dhe motrave, daljes në pension, ose zhvendosjes së vendbanimit.

Për shkak të ndryshimit të rrethanave në jetën e një personi të moshuar, por edhe të faktit të ngadalësimit të aktivitetit jetësor në moshë të thyer, shpeshherë mjekët dhe familjarët mund të mos i vënë re shenjat e depresionit.

Si rezultat i kësaj gjendjeje, trajtimi efektiv shpesh kryhet me vonesë duke detyruar shumë persona të moshuar që të luftojnë me depresionin në mënyrë të panevojshme.

Si ndikon pagjumësia te depresioni?

Pagjumësia zakonisht është simptomë e depresionit. Studimet e kohëve të fundit tregojnë se pagjumësia është një faktor rreziku për fillimin dhe përsëritjen e depresionit, veçanërisht tek të moshuarit.

Në këtë fazë të problemit, mjekët specialist rekomandojnë barna të sigurta dhe efektive për të moshuarit që të rregullojnë ciklin e gjumit.

Përdorimi i tyre duhet të bëhet vetëm sipas këshillimit të mjekut, dhe jo të veprohet sikundër ndodh rëndom, me marrjen e tyre nëpër farmaci pa asnjë lloj rekomandimi.

Cilët janë faktorët kryesorë që rrisin rrezikun e depresionit tek të moshuarit?

Këta faktorë përfshijnë kryesisht: të qenit vetëm, i divorcuar, ose i ve, mungesa e një rrjeti social mbështetës.

Shkak bëhen edhe ngjarjet stresante të jetës, sëmundjet e vështira kronike, si për shembull tensioni i lartë, problemet me zemrën, diabeti, sëmundjet malinje (kanceri), demenca, si dhe dhimbjet kronike që shtojnë rrezikun e depresionit.

Faktorë të tjerë që ndikojnë janë medikamente të ndryshme (efektet anësore të tyre), të cilat duhet të konsultohen me shumë kujdes nga mjekët, dëmtimi i imazhit fizik, si për shembull pas ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjikale (amputimi i një gjymtyre, kirurgjia e kancerit).

Po ashtu ndikon edhe predispozicioni familjar për sëmundje depresive, abuzimi me substanca narkotike, alkoolike, frika nga vdekja, etj.

Si trajtohet depresioni në këto mosha?

Terapia përfshin zakonisht një kombinim të medikamenteve kundër depresionit me këshillim (psikoterapi). Trajtimi kërkon një vëmendje të madhe nga mjekët specialist, por edhe psikologët, pasi edhe kuadri klinik i depresionit në moshën e tretë është shumë i varfër.

Mund të kemi thjesht pagjumësi, frikë nga vetmia, frikë nga vdekja dhe dhimbje të përgjithshme trupore si pasojë e sëmundjeve të ndryshme.

Trajtimi me medikamente kundër depresionit kërkon kujdes të veçantë edhe për shkak të efekteve anësore, si rezultat i kombinimit me medikamente të tjera.

Për shembull ato mund të ulin menjëherë tensionin e gjakut kur ngrihemi që mund të rezultojë në marrje mendsh, rrëzim dhe fraktura (thyerje kockash). Prandaj në fillim mjekohet me doza të ulëta për të parë reagimin e organizmit. Në përgjithësi kohëzgjatja e trajtimit për depresionin tek të moshuarit është më e gjatë se sa tek moshat e reja.

Psikoterapia dhe mbështetja sociale luan me të vërtetë një rol pozitiv sidomos për ata që paraqesin forma të buta të depresionit dhe që nuk duan të përdorin medikamente që në fazën e parë të trajtimit të sëmundjes. Psikoterapia mund të trajtojë një gamë të gjerë të pasojave funksionale dhe sociale të depresionit.

Shumë mjekë rekomandojnë përdorimin e psikoterapisë në kombinim me terapinë medikamentoze. Mjaft e rëndësishme në trajtimin e depresionit tek të moshuarit është edhe mbështetja familjare dhe shoqërore.

Njohja e simptomave

Depresioni është një sëmundje që karakterizohet nga një gjendje e vazhdueshme trishtimi dhe mungesë e interesit ndaj aktivitete që zakonisht japin kënaqësi, e shoqëruar me paaftësi për të kryer aktivitete të përditshme për të paktën dy javë.

Gjithashtu, njerëzit me depresion zakonisht kanë dhe këto simptoma: mungesë energjie, ndryshim oreksi, çrregullim gjumi (më shumë ose më pak), ankth, humbje përqendrimi, pavendosmëri, shqetësim, ndihen të pavlerë, në faj ose të pashpresë, si dhe kanë mendime për të lënduar veten.

 

 

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *