Simptomat e hershme dalluese të kancerit të prostatës

Ornela

Kanceri i prostatës është kanceri më i shpeshtë tek meshkujt. Dr. Rezart Xhani, mjek urolog në Shërbimin e Urologjisë në QSUT, vë në dukje se në moshën 50 vjeç, rreth 15 për qind e prostatës përmban qeliza kanceroze dhe në moshën 80 vjeç 100 për qind e prostatës ka qeliza kanceroze.

Kanceri i prostatës është përgjegjës për 0.5 për qind të vdekjeve në çdo grupmoshe 60 vjeçare.

Futja në përdorimin e përditshëm të PSA (analizë gjaku që zbulon nivelin e një antigjeni specifik për prostatën) ka bërë të mundur rritjen e zbulimit të kancerit të prostatës përgjatë viteve të fundit.. Kanceri që zbulohet nga një rritje e PSA, apo një nodusi të fortë gjatë ekzaminimit rektal prostatik quhet kancer klinik.

Simptomat

Shumica e tumoreve të prostatës nuk shkaktojnë asnjë shqetësim dhe kjo për shkak të stadit të hershëm të tyre.

Është pikërisht depistimi me anë të PSA-së që i vë në dukje këto tumore fillestare. Zakonisht kemi një dritare kohore 2-vjeçare nga momenti i shfaqjes së tumorit për zbulimin dhe trajtimin e tij.

Në 10 për qind të rasteve kanceri zbulohet nga ekzaminimi histo-patologjik i materialit të marrë pas një rezeksioni endoskopik të prostatës.

Simptomat në stadet e avancuara

Në stadet e avancuara të kancerit të prostatës mund të kemi shenja si: Prostatizmi që ka të bëjë me  kompresionin e retrës, e cila jep shenja të njëjta me ato të zmadhimit të prostatës.

Gjithashtu shfaqet obstruksioni rektal, nëse tumori rrethon rektumin pacienti mund të ankojë për konstipacion, apo dalje jashtë hollshëm.

Simptomë mjaft e shpeshtë është edhe uremia apo anuria . manifestohet edhe me dhimbje kockore. Në rastin e metastazave kockore pacienti mund të ketë shpesh dhimbje në nivel të vertebrave lumbare, pelvis dhe femur.

Këto mund të çojnë deri në fraktura patologjike dhe shtypje të medulës spinale.

Ekzaminimet për vendosjen e diagnozës

PSA dhe ekzaminimi digital rektal duhet bërë tek të gjithë ato burra që janë mbi 45 vjeç dhe që kanë një histori familjare për kancer prostate, apo tek ata burra të cilët e kanë PSA më të madhe se 1 ng/ml në moshën 40 vjeç dhe më të madhe se 2ng/ml në moshën 60 vjeç.

Duhet thënë që depistimi masiv i popullsisë nuk është më i këshillueshëm, por po zbulohen metoda të reja, të cilat arrijnë të gjejnë tumore agresive të prostatës tek pacientë të veçantë pa i shkaktuar stres dhe harxhime ekonomike një popullate të madhe.

Ekografia transrektale duhet bërë tek ata pacientë në të cilët kemi rritje të pashpjegueshme të PSA, apo kemi një ekzaminim digjital rektal të dyshimtë. Në këtë rast ekogjeniciteti i prostatës do ndryshojë dhe zonat e dyshimta do duken hipoekogjene.

Nëse të gjitha konditat e mësipërme mblidhen atëherë pacienti duhet t’i nënshtrohet detyrimisht një : “biopsie të prostatës, e cila është ekzaminim ambulator, jo shumë i dhimbshëm dhe sidomos nuk shkakton asnjë përhapje të tumorit siç është ngulitur në mentalitetin e shumicës së popullatës tonë.

Po ashtu, pacienti duhet të bëjë një skaner, që është një ekzaminim i mirë për zbulimin e gjëndrave limfatike të zmadhuara dhe infiltrimin e tumorit në vezikulat seminare, apo përhapjen në mëlçi dhe organe të tjera. Rezonanca magnetike është shumë e ndjeshme në kancerin e prostatës sidomos për të parë nëse ka prekje të kapsulës prostatike.  Shintigrafia kockore përdoret në rastet e dyshimit për metastaza kockore.

Trajtimi

Trajtimi i kancerit të prostatës varet nga personi i diagnostikuar me këtë sëmundje që do të thotë të merret parasysh historia familjare, jetëgjatësia dhe stadi i sëmundjes (pra stad i lokalizuar. apo metastatik).

Në rastin e stadit të lokalizuar dhe duke e ndarë në grupe risku pacientin mund të propozohet: “pritje ose ndjekje aktive, prostatektomi radikale që është operacion për heqjen e të gjithë prostatës (në stadin kur pas ndërhyrjes nuk k kemi kufij të prekur nga qelizat tumorale gjatë ekzaminimit histologjik mund të themi që shërimi i sëmundjes është gati 100për qind).

Mund të veprohet edhe me radioterapi, kriokirurgji, si dhe trajtim me terapi me ultratinguj me intensitet të lartë (ablaterm). Në rastet e avancuara lokalist, apo metastatike mund të përdoret manipulimin hormonal (anti-androgjenikët, agonistët e LHRH, antagonistët e LHRH), kastracionin kirurgjikal (orkidektomia apo pulpektomia), kur kemi një rezistencë ndaj hormonoterapisë përdorim kimioterapinë dhe në rastin e metastazave kockore të dhimbshme përdoret radioterapia.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *