Në pjesën dërmuese të rasteve sëmundja e hipertensionit zhvillohet pa simptoma të dukshme, çka bën që pacientët të neglizhojnë kontrollet dhe zbulimin e sëmundjes në stadet më të hershme.
Hipertensioni në përgjithësi nuk ka shenja shqetësuese për vite me radhë, ose ato janë mjaft të pakta dhe të paqarta. Kjo sepse rritja e tensionit bëhet gradualisht dhe i lë kohë trupit të njeriut të adaptohet me këtë gjendje. Ndaj dhe konsiderohet si vrasës i heshtur.
Megjithatë, disa nga simptomat që duhet t’ju orientojnë drejt ndihmës së shpejtë mjekësore janë rastet në të cilat individi shfaq vazhdimisht:“Dhimbje koke, dhimbje qafe, ndjenjë djegieje, shenja skuqjeje dhe temperaturë në fytyrë, shtypje apo dhimbje gjoksi, nevojë dhe pamundësi për t’u mbushur më frymë, rrahje të shpeshta të zemrës, zhurmë në veshë, si dhe mungesë përqendrimi, apo hije para syve”.
Nëse vëreni praninë e këtyre simptomave duhet të kërkoni menjëherë ndihmën e mjekut, i cili më pas përcakton edhe llojin e trajtimit që duhet të ndiqet.
Nëse arteriet apo tubacionet ngushtohen, apo bllokohen, atëherë zemra pompon më me vështirësi për t’u shpërndarë gjak indeve, dhe presioni në arteriet ngjitet lart.
Nëse gjatë matjes rezulton se tensioni juaj i gjakut është më poshtë se 120/80mmHg, atëherë ju keni një presion normal të shëndetshëm të gjakut. Mbani këtë tension dhe kontrollojeni përsëri mbas disa muajve.
Nëse tensioni juaj i gjakut është mbi 120/80 mmHg dhe më pak se 140/90 mHg jeni në rrezik për t’u bërë hipertensivë, prandaj duhet të merrni menjëherë disa hapa për të përmirësuar stilin e jetës suaj të tilla si:
“Ndalimi i pirjes së duhanit nëse jeni një duhanpirës, reduktimi i peshës së trupit tuaj në nivel të shëndetshëm, të jeni më aktivë, të përfshini në ushqyerjen tuaj më shumë perime dhe fruta, të zvogëloni sasinë e marrjes së kripës dhe të kufizoni sasinë e marrjes së yndyrës, me fjalë të tjera çdo ditë duhet të ushqeheni shëndetshëm, si dhe çdo vit duhet të kontrolloni presionin e gjakut tek mjeku”.
Kur tensioni juaj i gjakut është rreth, apo mbi 140/90 mmHg, ju duhet të kontaktoni me personelin e kujdesit shëndetësor për të parë nëse keni tension të lartë të gjakut, apo nëse keni nevojë të filloni trajtimin me mjekime për të parandaluar infarktin e zemrës dhe goditjen në tru.
Ndryshimet e përshtatshme të stilit të jetesës, janë gurë themeli në parandalimin dhe mbajtjen nën kontroll të personit të lartë të gjakut.
Gjithashtu, janë të rëndësishme në trajtimin e hipertensionit edhe ndjekja e rekomandimeve të dhëna nga mjeku specialist në lidhje me përdorimin e trajtimeve medikamentoze.
Sipas tyre, ndryshimet e duhura të stilit të jetesës mund të vonojnë në mënyrë të sigurt dhe të efektshme, ose të parandalojnë hipertensionin në individët hipertensive, të vonojnë fillimin e terapisë, ose të parandalojnë terapinë medikamentoze te pacientët hipertensivë të stadit të parë, si dhe të kontribuojnë në reduktimin e tensionit të lartë të gjakut tek individët hipertensivë që trajtohen tashmë me terapi medikamentoze, duke lejuar reduktimin e numrit dhe dozave të medikamenteve antihipertensive që duhen përdorur.
