Simptomat që nuk duhet të injoroni

Ornela

Shpesh kushdo që ka një shqetësim nuk nxiton për të shkuar tek doktori. Deri në momentin që simptomat nuk janë rënduar, ne kemi tendencën t’i nënvlerësojmë ato dhe madje disa i injorojnë totalisht. Në shumë raste bëhet fjalë për një ftohje kalimtare, alergji apo dhimbje e thjeshtë nervore. Megjithatë janë një sërë sinjalesh që trupi dërgon, që është mirë që të mos i injoroni.

Dhimbje koke intensive dhe të papritura

Dhimbjet e forta të kokës mund të jenë tregues i fillimit të një aneurizme. Në praktikë bëhet fjalë për një enë gjaku që çahet në brendësi të trurit dhe kur kjo ndodh është e domosdoshme një ndërhyrje mjekësore urgjente. Aneurizma mund të ketë edhe simptoma të tjera, si ndjesia e “qafës së ngurtë”, shikim i paqartë dhe të përziera. Shkaqet e kësaj gjendje mjekësore mund të jenë konsumimi i duhanit, alkoolit, apo predispozita gjenetike.

Dhimbje dhëmbi

Personat që kanë dhëmbët e ndjeshëm mund të ndjejnë një dhimbje të lehtë ndërkohë që konsumojnë një akullore, apo një pije të ftohtë. Megjithatë nëse dhimbja është më e fortë është më mirë që të drejtoheni menjëherë tek dentisti. Nëse bakteret kanë arritur në rrënjën e dhëmbit, pra tek nervi i tij, koha do të bëjë që dhimbja të bëhet më e fortë dhe infeksioni mund të përhapet në zona të tjera të trupit.

Dhimbje në kraharor  

E provokuar ndonjëherë nga mostretja, apo aciditeti në stomak, kjo ndjesi e pakëndshme ndonjëherë mund të manifestohet me një intensitet më të madh. Në këto raste është mirë që të bëni një kontroll.  Nëse vini re një “shtypje” në gjoks dhe keni vështirësi në frymëmarrje, kjo mund të jetë shenjë e një parainfarkti. Shumë mendojnë se kjo mund tu ndodh vetëm të moshuarve, por në të vërtetë një sulm në zemër mund të prej individë të të gjitha moshave.

Qime të shumta në lëkurë

Çdo femër ka betejën e saj personale kundër qimeve të tepërta në lëkurë. Megjithatë nëse vini re se qimet fillojnë të bëhen të dukshme në zona të trupit si për shembull kraharor, gjoks, apo fytyrë, kjo mund të tregojë se vuani nga sindroma e vezoreve policistike. Për fat të keq është një gjendje e zakonshme, por e dallueshme edhe me ndihmën e karakteristikave të ciklit menstrual. Ky shqetësim mund të ccojë në sterilitet, prandaj është mirë që të vizitoheni sa më parë të jetë e mundur.

O.J

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *