Në mungesë të kontratës kolektive po i hapet udhë emërimeve abuzive në shumë shkolla të vendit. Akuza vjen nga sindikatat e arsimit, sipas të cilave në shumë shkolla të vendit po abuzohet me këtë proces. Përfaqësuesit e këtyre sindikatave paralajmërojnë nisjen e protestave kundër heshtjes së Ministrisë së Arsimit, e cila po pengon prej disa muajsh lidhjen e kontratës kolektive.
Nëpërmjet përfaqësisë së tyre, rreth 40 mijë arsimtarë i kanë lënë afat dikasterit të arsimit për lidhjen e kontratës deri më 27 prill, në të kundërt greva e tyre do të nisë pa afat. Ndërkohë që në datën 20 prill është parashikuar të zhvillohet greva 1-orëshe, kundrejt shkeljeve që po bëhen në arsim, si shkak i largimit të shumë mësuesve nga puna në mënyrë të padrejtë.
Kreu i Sindikatës së Arsimit të Shqipërisë, Xhaferr Dobrushi ka theksuar ditën e djeshme se nuk do të ketë më tolerime, pasi zvarritja e qëllimshme e nënshkrimit të kontratës nga dikasteri përgjegjës, ka si qëllim t’i lërë mësuesit pa mbrojtje ligjore, duke i hapur rrugë emërimeve korruptive dhe largimeve nga puna. Sipas tij pakënaqësitë e lindura në radhët e mësuesve po shtohen dita ditës, pasi po favorizohet edhe përçarja sindikaliste me nxitjen e strukturave të reja në kundërshtim me ligjin.
Nga ana tjetër arsimtarët vijojnë të kundërshtojnë edhe zhvillimin e provimit të kualifikimit në shkallë vendi, që është përfolur për t’u zhvilluar gjatë muajit maj. “Në këtë proces po bëhet orvajtje sidomos nga disa drejtorë shkollash të paaftë, të emëruar jashtë çdo kriteri këtë vitin e fundit, të cilët duke shkelur rëndë Kodin e Punës (që ua ndalon rreptësisht të mbështesin një sindikatë kundër një sindikate tjetër), po mbështesin krijimin e një sindikate fantazmë që nuk ka asnjë lidhje me arsimin dhe që është shprehur publikisht në mbështetje të MAS për testimin e mësuesve dhe çdo akt tjetër në kurriz të tyre”, bën të ditur Xhafer Dobrusha.
Sipas të dhënave të bëra publike rreth 40 mijë mësues të arsimit parauniversitar, aktualisht po punojnë pa kontratën kolektive, e cila ka përfunduar që në dhjetor të 2014-ës. Ndërsa dikasteri i arsimit ka refuzuar nënshkrimin e saj për shkak të ndryshimeve që po ndërmerren në kuadër të reformës që ka përfshirë arsimin. Sindikalistët thonë se është hera e parë në këto 20 vite që lidhja e kontratës vonohet kaq shumë, duke kundërshtuar në këtë formë edhe pretendimet për zhvillimin e testimit. Ndërsa përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Nevrus Kaptellli, ka theksuar se kontrata është i vetmi dokument që mbron punësimin e mësuesve. “Kontrata kolektive është Kushtetuta e punës e të gjithë mësuesve. Aty konstatohet gjithë mbrojtja ligjore për mësuesit dhe natyrisht që në kuadrin e atyre bisedimeve që ne do të zhvillojmë për nënshkrimin e kontratës kolektive do të jetë dhe kjo e testimit të mësuesve”, shprehet Kaptelli.

Kur bejne presion edhe keta sahan lepiresit e qeverive qe nderrohen !
Kjo e arsimit vetem sindikate nuk mund te quhet.