Në qendër të kërkesave është reforma e punës që, sipas Renzit, do të nxisë punësimin, por që ka ngjallur zemërim në mesin e punëtorëve dhe madje edhe në partinë e tij
Kryeministri italian u përball sot me grevën e parë të përgjithshme, të thirrur nga sindikatat kryesore të vendit në shumicën e qyteteve italiane. Punonjësit janë përfshirë në grevë për të protestuar për masat që synon të zbatojë Partia Demokratike kryesisht në çështjet ekonomike. Greva 8-orëshe preku të gjithë sektorët privat dhe publikë duke përfshirë transportin, arsimin dhe shëndetësinë. Protestat më të mëdha janë zhvilluar në Torino, Xhenova dhe Milano ku policia është përballur me protestuesit e inatosur. Incidente u regjistruan në Torino ku 9 persona u arrestuan dhe 4 të tjerë, 2 manifestues dhe 2 agjentë, kanë rezultuar të plagosur. Në qendër të kërkesave është reforma e punës që, sipas Renzit, do të nxisë punësimin, por që ka ngjallur zemërim në mesin e punëtorëve dhe madje edhe në partinë e tij. Kritikat kanë të bëjnë veçanërisht për modifikimin që parashikon ky projekt në nenin 18 të Statutit të Punonjësve për lehtësimin e largimeve nga puna dhe reduktimin e të drejtave dhe mbrojtjes së punonjësve në vitet e para të kontratës. Kundërshtimi i dytë i sindikatave është projekt/buxheti 2015, ku masat për rimëkëmbjen ekonomike janë gjykuar të pamjaftueshme. Sipas sindikatës më të madhe italiane dhe nxitëses kryesor të punësimit, CGIL, “Ligji i Punësimit (i njohur si Jobs act) dhe Ligji i Stabilitetit nuk përmban masat për të rigjallëruar punën dhe ekonominë”. Një pikëpamje kjo që e ndan edhe sindikata UIL, e cila i kërkon ekzekutivit modifikimin e masave që janë “absolutisht të pakënaqshme për ata që kërkojnë një punë”. Me sloganin “Kështu nuk mund të bëhet. Kemi propozime konkrete për të ndryshuar Italinë”, dy organizatat apelojnë për të ringjallur investimet dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Sindikatat premtojnë më shumë protesta nëse qeveria nuk ulet me ta të negociojë. Megjithatë Renzi nuk është i gatshëm. Greva e sotshme është vetëm një shembull i vështirësive të mëdha që Renzi po has për të nxjerrë vendin nga kriza. Vendi ka hyrë në recesion, reformat janë ende në vend dhe situata ekonomike është përkeqësuar. Edhe pse në shumë aspekte Renzi është një politikan revolucionar, ashtu si e përkufizoi “The New York Times” për shkak të forcës së karakterit dhe dëshirave për ndryshime, besimi tek ai po fillon të zbehet.

Renzi do ta kete te veshtire te perballoi presionin e ujqerve te vjeter qe e kan zhytur Italine ne krize te pa imagjinushme,Sindikalistat jane me te korruptuarit dhe me parazitet qe hane ne kurrizin e puntoreve,Renzi eshte shpresa e fundit e Italise dhe e neve qe punojme ne kete vend.