Lodhja është një ndër gjendjet më të shpeshta me të cilën përballemi në përditshmërinë tonë. Mungesa e dëshirës për të vijuar aktivitetet gjatë ditës, vështirësia në të përqendruar, problemet me oreksin apo gjumin, dëshira për të mos bërë asgjë, dhimbjet e muskujve, etj, janë ndër simptomat më të shpeshta që manifestojnë lodhjen. Por, kjo lodhje bëhet shqetësuese në rastet kur zgjat për javë apo muaj të tërë. Në të tilla situata duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi kemi të bëjmë me atë që njihet ndryshe si sindromi i lodhjes kronike. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja Ilda Xhelili tregon se cilat janë rastet kur lodhja bëhet shqetësuese, së bashku me këshillat për reduktuar pasojat e saj në organizëm. Sipas vëzhgimeve të kryera, si dhe referuar të dhënave të raportuara nga strukturat shëndetësore rezulton se femrat janë ato që vuajnë më shumë nga sindromi i lodhjes kronike, si dhe lodhjes në përgjithësi. Ndërkohë që kjo sëmundje shfaqet më shpesh tek moshat mbi 40 vjeç. Mjekja rekomandon që në asnjë rast të mos neglizhohet marrja e ndihmës mjekësore, nëse simptomat e lodhjes vazhdojnë për shumë javë.
Çfarë kuptojmë me lodhje kronike ?
Ka shumë persona që ndihen vazhdimisht të lodhur, si të këputur. Me nocionin lodhje kronike kuptohet një grup kushtesh mjekësore që karakterizohen nga një lodhje e vazhdueshme, si edhe simptoma të tjera të veçanta që zgjasin së paku për gjashtë muaj për të rriturit dhe tre muaj për fëmijët dhe adoleshentët. Pacientët në këto raste ankohen për dobësi të përgjithshme, për dhimbje muskujsh dhe kockash të papërcaktuara mirë, mezi qëndrojnë në këmbë, për çrregullime të tretjes, për rritje të ndjeshmërisë ndaj dritës, zhurmës. Nuk është e qartë nëse këto simptoma lidhen me ndonjë sëmundje të përcaktuar mirë. Këta persona kryejnë vazhdimisht analiza, të cilat përgjithësisht dalin mirë. Simptomat ndryshojnë nga lloji dhe ashpërsia e tyre nga personi në person. Cilësia e jetës së këtyre personave mund të cenohet seriozisht. Lodhja është një simptomë e zakonshme në shumë sëmundje, por mjaft të shpeshta janë edhe rastet me sindromin e lodhjes kronike, kur nuk ka shkaqe të përcaktuara mirë. Shpeshtësia e këtyre rasteve shkon afërsisht shtatë në tre mijë persona. Organizatat kombëtare të shëndetit kanë vlerësuar më shumë se një milion amerikanë dhe rreth 500 mijë britanikë të vuajnë nga sindromi i lodhjes kronike. Ky sindrom prek më tepër femrat sesa meshkujt. Sëmundja është raportuar të ndodhë zakonisht midis moshës 40 dhe 65 vjeç. Në shfaqjen e këtij sindromi mund të ndikojnë shumë faktorë psikologjikë, social, mjedisorë dhe mjekësor.
Çfarë perceptojnë klinikisht pacientët që vuajnë nga ky sindrom, si dhe cilat janë rastet në të cilat duhet kërkuar ndihmë?
Shumica e rasteve fillojnë papritmas, si një sëmundje gripale, ndërsa një pjesë e madhe e rasteve fillojnë brenda disa muajve pas kalimit të streseve të forta. Edhe pas sëmundjeve të shumta infektive qofshin këto virale ose bakteriale dihet që kemi një periudhë relativisht të gjatë lodhjeje dhe pamundësie edhe pse sëmundja ka kaluar. Lodhje mund të shkaktojë edhe ndërprerja apo reduktimi i një jete aktive fizike apo edhe intelektuale. Për shembull njerëzit që janë marrë me aktivitete sportive dhe i ndërpresin ato ose periudha e daljes në pension mund të përjetohet mjaft keq nga shumë persona pasi kemi ndryshim të stereotipisë së përditshme (të rutinës apo zakoneve të përditshme). Në këto raste njerëzit kalojnë më shumë kohë në shtëpi, flenë më gjatë, pakësohen kontaktet me njerëzit dhe ankohen më shumë për dhimbje muskujsh e kockash, dhimbje koke të ashpërsive të ndryshme, dhimbje fyti, marrje fryme, vështirësi në gëlltitje, marrje mendsh, gjendje të fikëti, zhurma apo gurgullima zorrësh, kapsllëk apo diarre, të dridhura dhe djersitje natën, probleme të humorit (ankth, nervozizëm, depresion). Shumë persona me këtë problem munden të vazhdojnë jetën e tyre të përditshme edhe pse ndihen të lodhur, por mjaft prej tyre mund të zënë dhe shtratin nga pafuqia dhe paaftësia. Ky sindrom është mjaft i shpeshtë te gratë kur hyjnë në menopauzë si rezultat i ndryshimit të bilancit hormonal. Në asnjë rast nuk duhen lënë pas dore shqetësimet që përjetojnë gratë gjatë periudhës së menopauzës.
Cilat janë këshillat që rekomandohen në raste të tilla, dhe si mund të shpëtojmë nga ndjesia e lodhjes kronike?
Asnjëherë nuk duhet neglizhuar simptoma e lodhjes, sidomos kur ajo zgjat për një periudhë të gjatë kohore. Menjëherë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj, pasi ka shumë sëmundje që fillojnë dhe shoqërohen me lodhje. Ndër këto sëmundje mund të përmendim hepatitet virale, mononukleoza infektive, sklerozat multiple, sëmundje të ndryshme malinje, diabeti, sëmundje të tiroides, sëmundjet reumatizmale, sëmundjet e zemrës, çrregullimet depresive, marrja e tepruar e medikamenteve të ndryshme, etj. Sigurisht që sëmundjet shoqërohen edhe me shenja të tjera të veçanta. Prandaj është e domosdoshme konsulta me mjekun dhe kryerja e analizave dhe ekzaminimeve që nevojiten. Çdo sëmundje që mund të rezultojë duhet të trajtohet rregullisht dhe të mbahet në kontroll. Në rastin e sindromit të lodhjes kronike pa ndonjë shkak të veçantë nuk është se ka ndonjë terapi të veçantë medikamentoze. Mund të trajtohen simptoma të tilla si dhimbja e kokës, e muskujve, e barkut me qetësues (edhe këto me këshillën e mjekut të familjes). Rekomandohet jetë aktive dhe aktivitete sportive sigurisht lidhur me mundësinë që lejon edhe gjendja shëndetësore. Bëni çdo ditë shëtitje në ajër të pastër dhe jetë sa më të pasur sociale e në marrëdhënie me njerëz (qofshin familjarët tuaj apo takime me shoqërinë). Mos u mbyllni në guaskën tuaj dhe mos bini pre e dëshpërimit. Mos nguroni të kërkoni edhe ndihmën e psikologut apo edhe të mjekut neuro-psikiatër sipas nevojës. Kjo mund të jetë ndoshta edhe detyrë e familjarëve. Hani shëndetshëm, me sa më shumë jeshillëqe, fruta e zarzavate. Kufizoni përdorimin e mishit të kuq dhe shtoni pulën dhe peshkun. Qëndroni larg fast-foodeve, të skuqurave, pikanteve, pijeve të gazuara e të sheqerosura. Përdorni ushqime të freskëta, të ziera dhe të zgarës, komposto të bëra vetë me fruta të freskëta. Në përgjithësi pacientët që kërkojnë ndihmë për probleme të tilla kanë ecuri të mirë sidomos kur përkrahen edhe nga familjarët e tyre. Fëmijët kanë ecuri më të mirë se sa të rriturit.
Sëmundjet që theksojnë ndjesinë e lodhjes
Lodhja mund të shkaktohet edhe nga prania e shumë sëmundjeve të tjera që mund të prekin organizmin. Kundrejt këtyre rasteve bluzat e bardha sqarojnë se katër janë sëmundjet më të shpeshta që mund të theksojnë ndjesinë e lodhjes. Megjithatë, duhet të dimë që janë të shumta sëmundjet që si simptomë të vetme kanë lodhjen. Ndër to, më të shpeshtat rezultojnë të jenë anemia, çrregullimet e tiroides, sëmundjet reumatizmale, si dhe diabeti e mbipesha. Sa i takon lodhjes së shkaktuar nga anemia, mjekët shpjegojnë se kjo sëmundje se ndikon në presionin e ulët të gjakut, e cila më pas nuk furnizon siç duhet organet e tjera, çka mbart pasoja të rënda pasi nuk funksionojnë siç duhet. Çrregullimet tiroides, përpos hipotiroidizmit, për shkak të të cilit prodhohet sasi jo e mjaftuar e hormoneve, që me atë rast shkakton ngadalësimin e metabolizmit, dhe me atë rast posedon më pak energji dhe më lehtë lodhet. Nga ana tjetër edhe sëmundjet e natyrës reumatizmale çojnë në zvogëlimin e fuqisë muskulore, e cila ndikon më pas në forcimin e ndjesisë së lodhjes. Ndërsa tek sëmundja e diabetit, tek ai që konsiderohet si tip 2, ku është i dëmtuar mekanizmi i përdorimin e insulinës në muskuj, ndërsa në një numër të madh të rasteve ekziston edhe dëmtimi i enëve të imëta të gjakut dhe i nervave periferike.

une sa here kur bej 6 or gjume ose me pak me ndodh veti me duket si ne enderr ,habitem krejtesisht me duket qudi veti edhe ndjehem shume keq kjo me ndodh sa here kur ka zhurme ne ndonje vend ju lutem me ndihmoni si ta perballoj kete dua ta heqi kete me ndihmoni
Pershendetje jam 32 vjec vuaj shume nga dhimbja e kockave por asgje nuk me kan gjetur se cfare kam por gjeja me kryesore ndihem shume e lodhur sa me kputen kembet nuk mund te ngjit dot dy shkalle cfare mund te bej se doktorat nuk me thone asnjegje faleminderit