Sindromi i të vjellave ciklike, ja si mund ta trajtojmë

Dita

Ky sindrom përbën një çrregullim, i cili shkakton episode të përsëritura të të vjellave, të përzierave dhe lodhje të shprehur. Ndodh më shpesh tek fëmijët, por mund të preken të gjitha grupmoshat. Shkaku dhe mekanizmi i veprimit të këtij çrregullimi mbeten akoma të panjohura, por studiuesit sugjerojnë se faktorët gjenetikë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtij sindromi. Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon “Dita”, se sindromi i të vjellave ciklike karakterizohet nga episode të vjellash të shpejta dhe të shpeshta, pasuar kjo nga periudha të shëndetit krejtësisht normal.

Si zhvillohet kjo sëmundje?

Ky sindrom përbëhet nga katër faza, gjë që përbën edhe tiparin diagnostik të saj. Faza e parë quhet faza prodromale. Në këtë fazë jepen sinjale së po afrohen të përzierat, ose të vjellat shoqëruar, ose jo me dhimbje barku. Kjo fazë mund të zgjasë nga disa minuta, në disa orë. Pacienti ndjen gjithashtu një dobësi dhe diskomfort të përgjithshme. Por, ka edhe raste kur kjo fazë mund të zhvillohet edhe pa asnjë paralajmërim. Pacienti mund të zgjohet në mëngjes dhe mund të fillojnë menjëherë të vjellat. Në fazën e dytë, të përzierat bëhen më evidente dhe fillojnë të vjellat, dobësi, gjendja e përgjumur, lodhje, paaftësi për të ngrënë, ose për të pirë medikamentet. Kur të përzierat dhe të vjellat ndalojnë, atëherë fillon faza e shërimit që është dhe faza e tretë. Pas kësaj vjen oreksi dhe fuqia e organizmit si më parë. Faza e fundit, ose e katërt quhet edhe faza interval. Kjo sepse është periudha midis episodeve kur simptomat klinike nuk janë të pranishme.

Cilët janë faktorët e rrezikut për këtë sindrom?

Shkaqet më të zakonshme janë infeksionet e ndryshme (sinusitet, dhëmbët e prishura dhe të infektuara), çrregullimet emocionale (qofshin emocione negative, ose pozitive si për shembull paniku, ankthi, festat, angazhimet partiake). Arsye të tjera mund të përmendim periudha të gjata pa ngrënë (agjërimi), temperaturat ekstreme të ajrit (i nxehti dhe i ftohti ), mungesa e gjumit, alergjizimet e ndryshme, ushqime të caktuara (çokollata, djathi), të ngrënit me tepricë, konsumimi i tepërt i alkoolit apo edhe periudha e menstruacioneve për femrat. Pacientët që vuajnë nga ky sindrom, kanë në historinë e tyre familjare persona që vuajnë nga migrena. Ata kanë gjithashtu risk të lartë për të zhvilluar migrenën në moshë të rritur. Stresi është gjithashtu një faktor i fuqishëm që ndikon në shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Mjaft të rrezikuar për të vuajtur nga sindromi i të vjellave ciklike janë edhe përdoruesit e rregullt të drogave, në mënyrë të veçantë të marijuanës.

Si mund ta kuptojmë që bëhet fjalë për këtë sëmundje?

Sindromi i të vjellave ciklike, karakterizohet nga sulme intensive të të vjellave, gjendje përgjumjeje që mund të zgjasë nga 1 orë deri në 10 ditë. Një person i prekur mund të vjellë disa herë brenda orës, gjë që çon në humbje lëngjesh (dehidratim i organizmit). Kjo mund të ketë pasoja negative, të cilat bëjnë të pamundur vajtjen në shkollë, ose në punë të personit të prekur. Shenjat mund të komplikohen me dhimbje barku, diarre, ethe, marrje mendsh, lëkurë e zbehtë, ndjeshmëri ndaj dritës (fotofobia), humbje të oreksit, dhimbje koke, etje, debulesë. Natyrisht që këto shenja mund të jenë të pranishme në shumë sëmundje të tjera, por është modeli i tipit rotacion (që përsëritet), ai që lehtëson diagnozën. Në përgjithësi simptomat klinike ruajnë të njëjtin model sa herë që përsëriten. Natyrisht që diagnoza përcaktohet nga mjeku, i cili kryen ekzaminimet dhe konsultat e domosdoshme. E rëndësishme në këto raste është kontrolli i aparatit tretës (aparati gastro-intenstinal), si edhe identifikimi i faktorëve alergjikë (kryesisht i ushqimeve të caktuara apo edhe detergjentët që përdorim).

Cili është trajtimi i rekomanduar?

Këtyre personave në radhë të parë u rekomandohet sa më shumë pushim dhe të kryejnë orët e plota të gjumit. Ata porositen nga mjeku që të marrin medikamentin përkatës, sapo fillojnë shenjat e para për të parandaluar kështu rëndimin e situatës. Kur fillon episodi i të vjellave, trajtimi zakonisht kërkon që pacienti të qëndrojë në shtrat e të flejë në një dhomë të errët, e të qetë. Kur të vjellat janë të shpeshta e në sasi të madhe lind nevoja e shtrimit në spital për të parandaluar dehidratimin. Gjatë fazës së shërimit pacientët duhet të përdorin shumë lëngje, të cilat duhen marrë në porcione të vogla dhe të shpeshta. Po ashtu edhe ngrënia duhet të fillojë gradualisht për të mos e rënduar aparatin tretës. Nëse pacienti evidentohet me ndonjë infeksion, atëherë ai duhet trajtuar me shumë kujdes nga mjeku përkatës. Sindromi i të vjellave ciklike shpesh konsiderohet si një variant i migrenës me dhimbje të forta koke shpesh të shoqëruara me të përziera, të vjella dhe fotofobi. Shumica e njerëzve të prekur nga ky sindrom kanë inteligjencë normale edhe pse studimet referojnë njerëz të prekur nga ky sindrom me vonesa në zhvillimin mendor, aftësi të kufizuara intelektuale, dobësi muskulare (miopatia).

Si është ecuria e sëmundjes?

Nëse ndiqet me kujdes diagnostikimi në kohë dhe trajtimi i rekomanduar pacienti nuk do të ketë ndërlikime në shëndetin e tij. Në përgjithësi prognoza e sëmundjes është e mirë. Sëmundja zakonisht zgjat 2 deri 5 vjet dhe përfshin kryesisht moshat e fëmijërisë së hershme dhe të adoleshencës. Por, kjo situatë nuk i përjashton të rriturit e çdo lloj moshe. Sikundër e theksova me shumë rëndësi është mbajtja e kontakteve të ngushta me mjekun specialist, si dhe të ndiqen me rregullsi rekomandimet e dhëna prej tij në trajtimin e simptomave të shfaqura. Nuk duhet të besoni në ilaçet apo qetësuesit që mund të merrni në farmaci për të lehtësuar simptomat, nëse nuk janë të përshkruara nga mjeku. Kjo pasi në vend që të qetësoni simptomat e sëmundjes, përdorimi i këtyre medikamenteve mund të çojë në efekte të tjera anësore.

Për parandalim, studiuesit rekomandojnë:
• Gjumë të mjaftueshëm.
• Kërkoni ndihmë për të parandaluar stresin dhe ankthin.
• Trajtimin e infeksioneve dhe alergjive sa me herët.
• Konsumoni një dietë të ekuilibruar dhe ushqim të rregullt.
• Ngrënia duhet të fillojë gradualisht për të mos e rënduar aparatin tretës
• Duhet të konsumoni shumë lëngje gjatë fazës së shërimit.
• Mos lini vakte pa ngrënë.
• Përdorni medikamentet përkatëse sipas porosisë së mjekut, për të lehtësuar simptomat.

Simptomat
• Sulme të vazhdueshme të të vjellave.
• Gjendje e përgjumur që zgjat nga 1 orë deri në 10 ditë.
• Pacientët ankojnë për lodhje dhe dobësi të vazhdueshme.
• Simptomat rëndohen me dhimbje barku, humbje oreksi, diarre, ethe, marrje mendsh.
• Një tjetër simptomë karakteristike është lëkura e zbehtë,
• Pacientët ankohen për ndjeshmëri ndaj dritës (fotofobia), si dhe dhimbje koke.

Duhet të bëni kujdes nga:
• Infeksionet e dhëmbëve, apo sinusiti.
• Çrregullimet emocionale, si ato negativet, ashtu edhe pozitivet.
• Periudhat e gjata pa ngrënë.
• Temperaturat ekstreme të ajrit (i nxehti dhe i ftohti ).
• Mungesa e gjumit.
• Alergjizimet e ndryshme.
• Ushqime të caktuara, dhe të ngrënit me tepricë.
• Konsumimi i tepërt i alkoolit
• Periudha e menstruacioneve për femrat.

Humbja e lëngjeve, rastet kur trajtohet në kushtet e shtëpisë
Dehidratimi ndodh kur uji që merr organizmi është më i pakët sesa sasia që ai humbet. Siç ndodh shpesh në mjekësi, parandalimi është hapi i parë i rëndësishëm në trajtimin e dehidrimit. Lëngjet mund të merren nga goja, por nëse kjo është e pamundur (si shkak I sëmundjeve të ndryshme), lind nevoja e marrjes së lëngjeve intravenoze (serumi). Megjithatë, rehidrimi oral duhet tentuar në sasi të shpeshta dhe të vogla. Vlerësimi për përdorimin intravenoz të lëngjeve kryhet padyshim nga një staf i specializuar mjekësor. Mund të përdoren gjithashtu edhe medikamente për të trajtuar sëmundjet themelore dhe për të kontrolluar temperaturën, të vjellat ose diarrenë. Suksesi i terapisë së dehidrimit mund të monitorohet nga prodhimi i urinës. Kur trupi rrit sasinë e lëngjeve, atëherë veshkat do të rrisin punën e tyre duke prodhuar më tepër urinë. Dehidrimi ndodh me kalimin e kohës. Nëse kapet në fazat e para, dhe shkaku mund të trajtohet, kujdesi në shtëpi mund të jetë i dobishëm dhe i përshtatshëm. Në rast se keni diarre të shoqëruar me temperature, duhet të paraqiteni te mjeku dhe jo të merrni direkt në farmaci preparation “loperamid”. Ai duhet marrë vetëm me recetën e mjekut. Në rastet kur diarreja shoqërohet me temperaturë, ky preparat jo vetëm që nuk e ndalon atë, por përkundrazi mund ta thellojë diarrenë në varësi të shkakut. Në shtëpi mund të trajtohen vetëm diarretë dhe të vjellat qe zgjasin për një kohë të shkurtër, por edhe kjo sipas vlerësimit të mjekut. Një i rritur ka nevojë të konsumojë çdo ditë dy, deri në tre litra lëngje. Në rastin e diarreve dhe të vjellave, kjo sasi duhet të jetë edhe më e madhe. Gjatë fenomenit të dehidrimit nuk ndodh vetëm humbja e sasisë se ujit, bashkë me të humbasin edhe elementë kimikë të tillë si: kalium, natrium, kalciumi apo magnezi. Çrregullimi i bilancit elektrolitik, (elementët kimikë) shkakton çrregullime në punën e organeve. Në këtë mënyrë bëhen të pashmangshme komplikacionet.

Share This Article
2 Comments
  • Me pelqeu.shkrimi.me beri te kuptoj se vajza ime 13 vjece buan nga kjo sindrome .si mund ta kuroj sepse jam jashte nuk jam ne shqiperi

  • Me pelqeu.shkrimi.me beri te kuptoj se vajza ime 13 vjece buan nga kjo sindrome .si mund ta kuroj sepse jam jashte nuk jam ne shqiperi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *