Teoria e Gottfried për fisin thrak të besëve

Ornela

Nga Moikom Zeqo

Dr. Zef Mirdita në librin e tij, “Krishtëzimi ndër shqiptarë”, Zagreb, 1998 flet për teorinë e dr. Gottfried Schramm-it për rolin e besëve në krishtëzimin e shqiptarëve.

Dr. Zef Mirdita shkruan:” Dijetari gjerman, Gottfried Schram, shpreh mendimin se përhapësit e krishtenizmit ndër shqiptarë janë besët, një fis thrakas që ka jetuar në trekëndëshin e sotëm kufitar: Bullgari, Maqedoni dhe Serbi.

Ai e lidh këtë me veprimtarinë misionarike të ipeshkvit Nicetës nga Remesiana (350-420), sot Bela Palanka, në trevën e Nishit.

Qëllimi i G. Schramm-it është që përmes besëve, si bartës të krishtenizmit në këto treva, ta shpjegojë jo vetëm krishtenizimin e shqiptarëve, por edhe etnogjenezën e tyre.

Sipas G. Schramm-it, besët, të cilëve krishtërizimin ua përhapi ipeshkvi Niceta nga Remesiana, që nga fundi i shekullit IV e tutje, të persekutuar nga kanët bullgarë, si Krumi dhe i biri i tij Omurtagi, të cilët ishin paganë, në fillim të shekullit IX u detyruan të shpërngulen nga treva e tyre – territori në mes malit Orbelos dhe Haemus – dhe u vendosën në trevën veriore të Shqipërisë së sotme.

  1. Schramm-i thekson se ipeshkvi Niceta i Remesianës jo vetëm që e zotëronte gjuhën e besëve por, madje i frymëzuar nga përkthimi i Biblës nga ana e Ulfilës në gjuhën e gotëve, e përkthen Biblën në gjuhën e tyre.

Madje thotë se gjuha e besëve është përdorur edhe në liturgji dhe për këtë qëllim e ka shpikur një alfabet të ri, që kishte mundur të quhet alfabeti besian.

Me këtë, paraardhësit e shqiptarëve – besët, pra edhe shqiptarët, kishin për të pasur një gjuhë liturgjike të vetën. Këtu fillojnë pikëpyetjet në të cilat përgjigjet mund të jenë tejet arbitrare.

Nuk dua të flas për karakterin e fesë së krishterë ndër besët.

Ajo që duhet theksuar është fakti se përkundrejt kthimit të tyre në krishtenizëm, këta kanë jetuar edhe më tutje sipas dokeve dhe zakoneve të tyre, të cilat i veçonin nga të tjerët.

Mjafton të lexohet letra e shën Jeronimit dërguar Heliodorit, ipeshkvit të Antinout te Venediku, më 396, në të cilën qartë përshkruhet natyra e tyre e egër, ku ndër të tjera thotë: Egërsia e besëve dhe pamja e tyre e vrazhdë, e njerëzve të veshur me lëkura, të cilët dikur për shpirtrat e të vdekurve i bënin urban njerëzit, britmat e tyre të tmerrshme i zbutnin me këngën e ëmbël të kryqit dhe në tërë vendin tingëllonte klithma “Krisht”, gjegjësisht këngën e Paulinit nga Nola, mikut të Nicetës, të cilit edhe ia ka dedikuar këtë këngë, në të cilën përmenden shprehjet si të egër, përherë të gatshëm për luftë, grabitçarë, cuba etj.

Ja pra, çfarë mentaliteti ka mbretëruar në mjedisin ku ka vepruar ipeshkvi Niceta, i cili për nga kultura i ka takuar botës latine, kurse për nga formimi teologjik arealit gjuhësor grek.

Madje, për dallim nga Ulfila i cili ka qenë përkthyes i Biblës në gotishte dhe ithtar i arianizmit, e në mes tjerash edhe i lidhur me Konstantinopolin, Niceta ka qenë i lidhur me Perëndimin.

Sidoqoftë, krishterizmi, për përhapjen e të cilit Niceta vepron me fjalë, vepra dhe shkrime, duke përkthyer edhe pjesë të Biblës në gjuhën e besëve, u zhvillua edhe në forma monastike.

Këta rregulltarë kanë vepruar në trajta misionarike edhe ndër vetë besët.

Për më tepër, murgadat e këtyre rregulltarëve gjendeshin edhe jashtë Ballkanit, madje edhe në Sinaj, në të cilat përveç besishtes flitej edhe latinishtja greqishtja, sirishtja dhe gjuha egjiptiane.

Pikërisht murgadat thotë G. Schramm, dëshmojnë për ekzistencën e gjuhës bese si gjuhë kishtare me tekste liturgjike, libra uratësh dhe pjesë të ungjijve, mu ashtu si në mesin e armenëve e të tjerëve.

Sado që teoria e G. Schramm-it, e cila përmes krishtenizimit të besëve dhe përhapjes së tyre në trevat iliro-shqiptare ta shpjegojë etnogjenezën e popullit shqiptar, për nga konstrukti është e logjikshme, megjithatë, dashur e pa dashur, vetvetiu lë vend për disa pyetje fundamentale që kanë të bëjnë me krishtenizimin e shqiptarëve.

Së pari, si të shpjegohet fakti i qenies së të terminologjisë kishtare liturgjike në Kishën Katolike ndër shqiptarë, e cila terminologji është e karakterit latin dhe e latinishtes së kohës republikane?

Si të kuptohet pjesëmarrja e ipeshkvijve nga e gjithë treva iliro-shqiptare në koncilet ekumenike, duke filluar që nga Koncili i Nikesë në vitin 325, sikur të pranohej hipoteza se besët janë përhapësit e krishtenizmit ndër shqiptarë, në shekujt e mëvonshëm?

Ose, si të kuptohet e tërë ajo korrespondencë e papëve të Romës me ipeshkvijtë e trevës iliro-shqiptare, sikur të pranohet një hipotezë e krishtenizmit të vonshëm të shqiptarëve, të cilin ua sollën besët?”

Shihet qartë se Mirdita arsyeton me argumente. Dhe ka të drejtë.

Kam patur rastin ta takoj dhe të bisedoj gjatë me Schramm-in në Tiranë me rastin e një konference shkencore për krishterimin më 1995.

Schramm-i e mbajti kumtesën e tij sui generis, debatoi, foli gjatë.

Në një takim me të së bashku me prof. Skënder Anamalin ja kundërshtuam tezat e tij.

Arkeologjia ka dhënë fakte për krishterimin në Shqipëri shumë më përpara shekullit IV, shumë më përpara Niketës së Remezianës.

I thashë se studiuesi Ramadan Sokoli ka bërë një kumtim, ku thotë se Niketa qe dardan, pra ilir, se Niketa është autor i himnit të Deum Laudamus.

Schramm-i e kundërshtoi me forcë këtë fakt.

Në atë kohë unë s’kisha në dorë bibliografinë më të fundit për këtë çështje.

Në librin e dr. Mirditës kjo çështje sqarohet, besoj, përfundimisht. Dr. Mirdita në një nga shënimet e tij erudite ve në dukje:

“Për jetën dhe veprat e Niketës shih: Ernst Hompel, Nicetas Bischof von Remesiana. Studien zur Geschichte des altkirchlichen Taufsymbols. Diss. phil. Erlangen 1895; E. A. Burn, Niceta of Remesiana. His life and works, Cambridge 1905; Wilhelm August Ptin, Niceta, Bischof von Remesiana als Schriftsteller und Theologe, München 1909; Zoran Semjak, Niceta von Remesiana. Christliche Unterweisung und christliches Leben im spätantiken Dacien. Diss. theol. Greiburg i. Br. 1975; Klaus Gamber, vep. e cit., fq. 71 – 83; Gottfried Schramm, Anfänge des albanischen Christentums…, f1. 48 – 111, 209-218. Deri vonë është menduar se Niceta është edhe autor i himnit Te Deum laudamus.

Mirëpo, në saje të një analize të thukët, të vetë tekstit, që e ka bërë Ernst Kähler, del se ky himn nuk është i tij. (shih: Ernst Kähler, Te Deum laudamus. Studien zum Te Deum und zur Geschichte des 24. Psalms in der alten Kirche, Berlin 1958, f1. 119-130).”

Teoria e Schramm-it ngjall diskutim, debat.

Ai nuk përfill faktet arkeologjike, por bën një sistem arsyetimi gati unik.

Schramm-i “rrëzon” teorinë e autoktonisë së iliro-shqiptarëve të paktën që nga prehistoria dhe epoka e bronzit.

Teza e Schramm-it është se shqiptarët janë të ardhur relativisht vonë në trojet e tyre.

Për më gjatë dhe hollësisht mund të konsultohet Gottfried Schramm, Anfänge des albanischen Christentum: die frühe Bekehrung der Bessen und ihre langen Folgen, Freiburg im Brisgau 1994.

*****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Share This Article
1 Comment
  • Ne lidhje me Beset ka folur per here te pare Jirechek
    Dhe ai thote se ky fisi I Beseve, qe I quanin Vesoi, duhet ta kete pasur emrin Besoi.

    Dhe sipas Jirechek, emri I tyre duhet t ekete qene Besoi dhe jo Vesoi,
    sepse ata ishin fetare

    Aty ku jetonin fisi I Beseve, Beset kishin vizatuar ca shenja ne formen e Diellit dhe ,
    ato shenja tregonin se ai fis aty ishte nje fise besimtaresh apo nje dergate besimtaresh , qe I luteshin Diellit, apo edhe perendive te tjera, sipas vizatimeve t e tyre .

    Dhe pikerisht nisur nga ato vizatime, Jirechek mendoi se ai fis aty e kishin emrin Besoi dhe jo Vesoi

    Ndaj edhe Jirechek, atehere deklaroi se ” ketu ne Bullgari, ne lashtesi,,
    kane jetuar popullsi shqipfolese ”

    Keshtu qe Jirechek I pari fare e ka hedhur poshte kee mendim te ketij Gjermanit , qe flet tani pas pilafit

    Jirechek mbahej si babai I Historiografise Bullgare, pavaresisht se ai vete ishte nje Cekia

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *