Sipas Pushkinit

Ornela

Kujtoj at’çast të paharruar,
kur ti m’u shfaqe para sysh,
gjer në detaj e pikturuar,
si një dhuratë perëndish!

Mundim e lodhje se ç’m’u tretën,
më ikën krejt si me magji,
të shtangur sytë tek ti më mbetën,
se s’kishin parë një perëndi!

Këtë magji, këtë finesë,
këtë shkëlqim që të merr sytë,
njeriu shekuj mund të presë,
dhe s’e sheh dot për herë të dytë!

Tek një e vetme janë mbledhur,
gjithë mrekullitë e rruzullimit,
në çast kjo xhinde më ka hedhur
poshtë në greminë të frymëzimit!

Ti s’mund ta fshehësh bukurinë,
dhe ndryshe krejt tek unë të vije,
pa u gremisur në greminë,
s’mund t’i këngosh një perëndie!

Dhe kritizeri më i çmendur,
tek ti nuk gjen dot një defekt,
se ti e gjitha je e gdhendur,
Se ti e gjitha je perfekt!

Të adhuroj, po nuk të dua,
kjo do të ishte marrëzi,
se mendja s’më ka ikur mua,
të dashuroj një perëndi!

Kur para syve ti m’u shfaqe,
krejt madhështore si kështjellë,
në shpirtin tim nuk kish më paqe,
dhe rashë në honin më të thellë!

Veç Zoti ty mund të afrohet,
tani është vetëm pa Marinë,
po dhe Ai mirë do të mendohet,
kur të ta shprehë dashurinë!

M’u shfaqe ti e s’jam i bindur,
në ishte verë, apo vjeshtë,
po jam i bindur që s’ke lindur
për një njeri fare të thjeshtë!

Që nga ai çast i paharruar,
kur ti m’u shfaqe me magji,
i kaloj ditët i hutuar,
e kaloj jetën në mërzi!

Se që kur gdhin e gjersa muget,
e kaloj ditën në katrahurë,
përpara teje sot më duket
çdo grua një karikaturë!

Nuk është çudi të më shikoni
gjithnjë të vetëm si kukuth,
mbas gjithë atij nur-perfeksioni,
një tjetër femër s’mund të puth!

Vetëm një çast e ti më çmende,
kometë që ndrite krejt papritur,
unë ëndërroj veç buzën tënde,
ndaj do të vdes krejt i zhuritur!

Share This Article
3 Comments
  • Je i madh i nderuari Arben! Nuk jeni vetem poet i madh,por jeni dhe nje politikan shembullor,nje analist i klasit pare me nje intelekt te thellë,jeni nje person modern me pikpamje te larta demokratike,nje patriot dhe atdhetare i shkelqyer.Mendimet tuaja ,kane vlera te medha per te shkuaren,per te tashmen dhe baze per projektimin e se ardhmes.Me shpirt dhe me zemer ju uroj suksese ,per te miren njerzve te ndershem dhe ata qe e duan Shqiperine,Urime dhe plot respekt per vepren tuaj.!

  • Një tjeter Poet si JU Beni do perkthente:
    “Kujtoj një çst të pa harruar,
    Kur para meje mu shfaqe Ti
    Si një vegim i ënderruar
    E bukur posi një Peri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *