Përfaqësues të komunitetit të biznesit, të cilët aderojnë pranë “Biznes Albania” kërkuan që kontrollet e administratës tatimore të mos jenë selektive. Kreu i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, u shpreh gjatë një takimi me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Brisejda Shehaj se, administrata tatimore duhet të tërhiqet nga proceset gjyqësore të fituara nga bizneset në apelim, kryesisht referuar gjobave. Nga ana e saj, Shehaj theksoi se, tashmë marrëdhëniet mes biznesit dhe tatimeve janë futur në një fazë të re reformimi, por edhe bashkëpunimi. Marrëdhëniet mes administratës së tatimeve dhe biznesit prej vitesh mund të etiketohen si të acarurara, dhe jo partneriteti siç duhet të jenë. Në shumë raste përfaqësues të organizatave të biznesit vendas dhe të huaj kanë apeluar për një përmirësim të sjelljes së administratës tatimore, pasi sipas tyre janë kontrolluar dhe gjobitur në mënyrë arbitrare.