Nga Ilir Metaj
Orët e mbrëmjeve ndodh që e ndalin pultin në ndonjë studio debati.
Natyrisht, kur objekti i debatit të ngjall interes, ndalesa zgjat. Por këto mbrëmjet e kohëve të fundit shpeshtësia çuditërisht e të njëjtës temë, e pat bërë ndalesën të shkurtër.
Aq e shpeshtë po bëhej kjo temë nëpër studio, sa më mjaftonte të mblidhja copezat e kapura aty-këtu midis ndalesave e të plotësoja gjithë tablonë. Tabloja po ajo: Gjethja jeshile, herë e madhe e herë e vogël e kanabisit.
Epo, “green energy”. Të paktën, “green”. Frekuenca e shtuar më bëri të kuptoj se diçka e re po tirret, ndaj u përqendrova të kuptoj. Mbase ka dalë ndonjë gjë që nuk e kemi ditur.
Por jo, asgjë e re. Po ajo bimë e hashashit. Po ato argumenta të vjetra, por të veshura me një tis të ri kurajoje trendy. Po ajo shprehje e famshme shqiptare: “Si e ka bota”. Veçse, kur e kërkon këtë botë, të duhen male e male kaluar e nuk të del kollaj përpara. Po ne prapë, fare të qetë themi “si e ka bota…”.
Në këto studio pra, me arredim të ri e ngjyra të rinovuara, vetëm bindja për dobinë e tregtisë së hashashit binte erë molë.
Argumentet e nxjerra nga sëndukët janë po ata të rëndomtit, që nuk arrijnë të ndjellin asnjë nerv për reflektim e rishikim të opinionit refraktar mbi këtë temë. Ti mbetesh vetëm me nervozizmin pse orët e gjumit të ikën për hiç. Por, paçka, ti vazhdon të shohësh gjethen jeshile nër ndalesat e komandës së TV.
Dikush ende është duke u rekur të shesë për të sapogatuar të njëjtën supë bajate të stërzier.
Shkurt, dikush vazhdon me këmbëngulje t’i bjerë vrangallës.
Në fakt më duhet të them se kjo tema e hashash-medicinal-dekriminalizim-legalizim-kultivim etj –im, më acaron me tepri. Sepse, gjithnjë e më shumë po ia kuptoj qëllimin. Eshtë ajo puna e “hedh një budalla një gurë në lumë…”.
Këta dashnorët e legalizim -etj-im nuk janë budallenj siç i marrim në pamje të parë. Jo, ata e kanë një strategji.
Jane si puna e miut që bën një vrimë në fund të thesit dhe e derdh gjithë miellin. E ti thua, hë se një vrimë është.
Ata tjerrin një argument sot e një argument nesër, e kur të shohësh, gjithë fëmijët tanë që gajasen në tymin e agonisë, e ne që themi të çuditur: Po si, po kur, po qysh…Peace bro!
Iku mielli e të ngeli thesi i grisur në dorë. E pastaj, mjerë ai komb që dihat nëpër tym e shikon stërqoka nëpër qiellin plot me avull të bardhë parajse.
E pastaj avulli fillon të bëhet pluhur i bardhë, i kuq… e ku di unë çfarë më.
Po dashnori i hashashit qëllon gjithmonë paralli, që deri sa të zbrazet thesi i ka dërguar fëmijët në ndonjë vend budallenjsh, nga ato vendet që nuk dinë të legalizojnë hashashin. Ndaj, si gjeli majë plehut, dashnori i hashashit reciton të njëjtën ninullë prej sirenash:
Strofa e parë:
– “Të rinjtë tanë të shkretë penalizohen mjaft ashpër edhe pse e mbajnë për përdorim personal…kemi ligjet më të ashpra në Europë…krijohen drama për të rinjtë që përfundojnë burgjeve dhe familjet e tyre…”
Ore, po sa të rinj janë nëpër burgje nga këta të përdorimit personal që thoni ju? Sa, me numër? Se besoj duhet të jenë shumë që e bëni kauzë. Duhet të jenë më shumë nga sa do të shtoheshin përdoruesit nga legalizimi. Se, nuk e keni fjalën që për 5 të vuajnë 5000 familje, apo jo?
Thonë se numri i të burgosurve për shkak të marijuanës është rreth 30% e numrit të përgjithshëm të të burgosurve. Por ama, sa nga këta janë kapur jo me 2 gr, as me 3 gr sa e ka Belgjika, as me 6 sa e ka Gjermania, por po e zëmë se kemi ligjin norvegjez që është edhe me liberali për përdorimin personal, pra po e zëmë 15 gr. Pra po e heqim ligjin shqiptar dhe po vendosim atë norvegjez: sa të burgosur po vuajnë dënimin se janë kapur me vetëm 15 gr marijuanë? Ja se ua them unë:
Nëse do të bëhej një amnisti që nesër, për të lënë të lirë të gjithë të dënuarit e përdorimit personal me ligjin tolerues norvegjez, nga burgjet shqiptare do liroheshin plot…17 vetë. Po or po, kaq janë të dënuarit që vuajnë burgimin vetëm se janë kapur me më pak se 15 gr marijuanë.
Do thoni ju tani që edhe 17 njerëz nuk janë pak. Po, por varet nga këndvështrimi. Se në krahasim me mijëra fëmijë e të rinj që shkojnë nëpër shkolla dhe nuk gjejnë rrethe rrotull murit të shkollës këta “përdoruesit personalë” të marijuanës, të gatshëm të shesin ca “ekperiencë personale”,… ata 17 janë fare pak. Madje, duhet të ishin më shumë.
Nuk jeni aq naiv sa të mos kuptoni që një përdorues personal, nuk ka pse transporton qoftë edhe 1 gr më shumë, kur e di se ligji nuk e lejon. I mjafton një cigare personale. Nëse do pastaj të shesë apo ofrojë, drama personale apo familjare është kosto që duhet të paguajë me meritë.
Strofa e dytë:
“Kanabisi ka vlera kurative për sëmundje të ndryshme dhe nuk ka pse të importojmë kanabisin medicinal kur mund ta legalizojmë dhe kultivojmë vetë…”
Aaa, kjo po që është muzikë e re, e padëgjuar më parë.
Pa ta dëgjojmë…
Ore, po sa janë me numër të sëmurët në Shqipëri që mund të kurohen me kanabisin medicinal? Po sa janë, or miq, që u dashka të mbjellim plantacionet më mirë sesa ta importojmë atë sasi? Kaq shumë qenkemi mo? Na ndryshon GDP thua, po ta prodhojmë vetë këtë sasi kanabisi medicinal për përdorim personal? Po ne 3 milionë jemi të gjithë dreqi e mori me gjithë fëmijë e pleq, edhe sikur të gjithë të kuroheshim me kanabis medicinal…
Pse nuk e kultivojnë vende më të mëdha se ne xhanëm? Pse paskemi avantazh konkurues ne? Po në hashash e gjetëm ta kemi?! Po ne jemi shquar për toka e agrumeve, ullinjve, domates, arrave, gështenjave, mollëve, patateve… Hashashin gjeni ju më të begatin?
Pastaj, mbajeni pak butë me këtë termin “medicinal”. E di, e di që e ndani shapin nga sheqeri, po për shembull fakti që disa derivate të opiumit përdoren në mjekësi, nuk e bën heroinën të shëndetshme.
Strofa e tretë:
“…Ja për shembull Hollanda…”
Hollanda çfarë? Hollanda nuk kultivon kanabis, e ka të ndaluar me ligj. Hollanda lejon përdorimin, por sipas rregullave strikte të ligjeve në fuqi. Apo e thoni që ja ta legalizojmë edhe ne konsumin si Hollanda? Këtë doni të thoni?
Po këtë gjetët për të kopjuar Hollandën? Pak gjëra të mrekullueshme ka Hollanda për t’ia filluar pari? Vetëm kjo ju ka tërhequr kur keni vizituar Hollandën?!
Se për shembull, mund t’ju kishte çuditur shteti, që pa u dukur është kudo prezent, ligji, që i ndihet aroma gjithandej, pastërtia, institucionet, ndërgjegja qytetare, urbanizimi model, dora e njeriut që ka ndërtuar lumenj atje ku ia kërkonte estetika e qytetit.
Por jo, ju thoni hajde të kopjojmë Hollandën duke legalizuar kanabisin. Hollanda është ajo Hollandë që është or miq. Shqipëria është kjo Shqipëri që është. Deri atje, boll rrugë përpara.
A nuk më thoni or miq e mike “hollando-filë”, pse në gjithë botën kanabisin e kultivojnë me ligj vetëm Kili, Kolumbia, Xhamajka, Uruguaji, ndërsa në Europë lejohet vetëm në Spanjë dhe vetëm në sasi shumë të vogël për përdorim personal? Apo Europa e Amerika e madhe nuk kanë fatin të kenë këta llogaritarët tanë.
Finale:
Dikush nga këta “hollandezët”- shqiptarë, tha edhe diçka të pabesueshme. Tha se qeveria jonë duhet t’i kërkojë BE-së të negociojë mos-legalizimin e kanabisit. Tha që ata duhet të na japin në këmbim investimet e munguara në bujqësi.
Pra, të shantazhojmë BE. T’i themi ose na jep investimet që duam ose ne do mbjellim hashash!!
Çfarë të them më? Mbeta pa fjalë. Ky është fundi.

Analize koti! Po kot ama! Aytori nuk njef Europen nuk njef Hollanden! Nuk eshte keq t’i besh presion Europes!
Cia fut kot lol. Vetem q nuk njeh evrop ilir metaj nuk thua dot. Magari t ishin si ky t tjeret. Esht gjigand. Dhe ka t drejt.
Hashashin e kerkon Koqua se e do per biznes. Nuk i plasi Koqos per liri personale e as per kurime medicinale. koqua si gjithe jeten e tij ngordh vetem per para. Nuk ka as dhimbsuri njerezore as patime e asgje me vlere . Ka vetem deshire per tu shke…yer me parate. Legen. Menpelqen cdo argument qe ke dhene zoti Metaj dhe si perhera edhe ironia e larte.
O Ilir zotnia ..spanja e ka te legalizuar edhe nuk i toleron levizjet e dyshimta ne afersi te shkollave ..njerezit informohen per demet edhe te mirat qe ka ..mire tha ai zviceriani para ca ditesh ne nje interviste ..shqiptaret ashtu si zvicerianet jetojne me paranoja e prandaj ndjehem si ne shtepi ..rasti yt eshte me se i goditur ..ps(sirenat e marijuanes)??? .mos kishe konsumuar gje kur e titullove ?