Qeveria siriane ka deklaruar se do të dërgojë një delegacion në bisedimet e reja për paqen që do të nisin të hënën në Gjenevë, por ka vendosur disa kufizime në axhendë.
Ministri i Jashtëm sirian, Walid Muallem, duke folur në një event në Damask, përjashtoi çdo mundësi që në dialog të përfshihet çdo debat për zgjedhje presidenciale.
Ndërkohë, një zëdhënës i grupit kryesor të opozitës siriane, Komiteti i Lartë i Negociatave, deklaroi se parakushtet e qeverisë mund të pengojnë zhvillimin e bisedimeve që përpara se ato të kenë filluar.
Më herët, Shtetet e Bashkuara deklaruan se dhuna në siri ka rënë ndjeshëm që nga nisja e armëpushimit dy javë më parë.
Ndërsa grupi opozitar KLN deklaroi një ditë më parë se në bisedime do të insistojë për krijimin e një qeverie të përkohshme, me pushtet të plotë ekzekutiv, ku presidenti Bashar al Assad dhe lidershipi aktual të mos kenë asnjë rol.
Faktikisht, fati i presidentit Assad ka qenë një nga ngërçet kryesore në raundet e mëparshme të negociatave.
