Grupi i hakerëve pro diktatorit sirian, Bashar al Assad, Syrian Electronic Army, prej muajsh ka vënë në shënjestër mediat amerikane, me qëllim depërtimin në të dhënat e punonjësve, për të mbledhur informacion apo përhapur mesazhe politike. “Viktima” e fundit ka qenë faqja online e revistës “Forbes”, në të cilën është shfaqur mesazhi “Hacked by Syrian Electronic Army”. “Forbes” ka pranuar në faqen e saj shumë blogje, ku autorët shkruajnë dhe kontribuojnë herë pas here. Platforma që përdor revista e njohur për faqen e saj në internet është WordPress, një alternativë e përdorur në masë në të gjithë botën, për shkak të sigurisë dhe përmirësimeve të herëpashershme. Rrjedhimisht, ka pak të ngjarë që grupi i hakerëve të ketë gjetur hapësirë për t’u futur në këtë sistem, ndërsa shihet me dyshim aksesi përmes përvetësimit të të dhënave të përdoruesve të privilegjuar. Muajt e fundit, sulme të tilla janë kryer ndaj Associated Press, të cilës iu mor adresa në Tuiter. Por edhe Reuters, New York Times, CNN, The Onion e Skype kanë qenë shënjestra e hakerëve sirianë përsa i përket strukturës informatike, por edhe të dhënave të punonjësve. Strategjia që hakerat ndjekin është kjo: ata u dërgojnë e-maile gazetarëve më të njohur, duke ngjitur një dokument në të cilin pretendojnë se ndodhet një lajm i rëndësishëm. Ky dokument është në fakt një virus, i cili sapo hapet, u jep hakerave akses në kompjuterin e gazetarit. Lidhur me sulmin ndaj Forbes, hakerët ironizuan në Tuiter, duke u shprehur se “Forbes duhet të falënderojë Alex Knapp për këtë që ndodhi”. Alex Knapp është një ndër redaktorët e rëndësishëm dhe aksesi në panelin e faqes mendohet të jetë bërë nëpërmjet të dhënave të tij. Këto lloj sulmesh ndaj medieve online mund të jenë të rrezikshme, pasi mund të komprometohet i tërë sistemi apo të hidhen hipoteza për skenarë të ndryshëm. Një prej këtyre të fundit mund të jetë adresimi i vizitorëve të faqes në faqe të tjera apo më keq akoma, komprometimi i kompjuterëve të lexuesve./ Përgatiti: Gazmira Sokoli

po po keta spiunojne edhe merkel, holond e shume te tjere e dime mire te gjithe. ti moj shoqja gazmira mund te besh shume pune te dobishme ne jete por qe gazetarine lerja ndonje tjetri me mire se nuk e paske zanat?