Ministri i Drejtësisë njoftoi sot se po përgatiten burgjet e hapura, burgjet alternative, që u afrojnë mundësinë të burgosurve të edukohen dhe të integrohen. Ky projekt do të nisë me të miturit dhe gratë.
Të rinjtë nuk do të lihen në qeli, por do të çohen në shkollë me detyrim, “me dhunë” – pjesë e shtrëngimit ligjor ose do t’u mësohet një zanat, kurse grave do t’u afrohen alternativa që të jenë sa më afër familjes, që të jenë të pranishme tek fëmijët.
Në një takim me përfaqësues të BE-së dhe ambasadas britanike sot, Manjani tha se “synimi ynë nuk është ndëshkimi, por edukimi dhe integrimi. Dhe për të arritur në standartin e burgjeve të hapura, do të fillojmë me kategori të caktuara: Pra, jo burg për të miturit dhe jo për gratë dhe ky është standarti numër një që duam të arrimjë.
Nuk është synimi që njerëzit të ftohen të vrasin, por një i mitur në qeli është fatkeqësi për shoqërinë dhe burgu nuk është alternativë për të: Pra, jo burg po shkollë me detyrim, shkollë me dhunë, arsim professional.
Një i mitur nuk mund të edukohet në një burg të mbyllur dhe shkolla do të jetë pjesë e procesit të shtrëngimit. Kjo është një nga idetë tona dhe shpresojmë që shumë shpejt të kemi mbështetje të gjërë jo vetëm nga institucionet, por dhe nga shoqëritë civile sepse mundësitë tona janë të limituara.
Edhe për një grua nuk është izolimi thelbësor por zgjidhja tjetër alternative, gruaja pranë familjes është më e dobishme. Jo në të gjitha rastet natyrisht,” theksoi Manjani.
