Përcaktimi më i qartë i rregullave dhe procedurave për kryerjen e pagesave me instrumente që përdoren si mjete pagese do të sjellin më shumë siguri për kreditë e dhëna nga bankat tregtare. Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi projektligjin për sistemin e pagesave, të hartuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me FMN. Qëllimi i projektligjit është përcaktimi i rolit të kësja banke në fushën e rregullimit dhe të mbikëqyrjes së sistemit të pagesave në Shqipëri. Drafti synon gjithashtu të rregullojë ndarjen e kompetencave ndërmjet BSH-së dhe AMF-së, në lidhje me sistemet e klerimit dhe shlyerjes së titujve. Në terma ndërkombëtare është pranuar teza që bankat qendrore duhet të kenë një juridiksion të veçantë për infrastrukturën e shlyerjes së instrumenteve financiare. Sipas këtij modeli, Banka Qëndrore siguron një rregullim dhe mbikëqyrje gjithëpërfshirëse të urdhër-transfertës në cash dhe urdhër-transfertës së titullit, pjesë të një transaksioni financiar. Një përqasje e tillë kontribuon edhe në cilësinë e mirë të operacioneve të politikës monetare, ku kreditë jepen ndërmjet një sistemi pagesash në vlera të mëdha, ndërsa titujt e vënë si kolateral në favor të bankës vendosen në sistemin e shlyerjes së titujve.
