Ministri i jashtëm Edmond Panariti do të zhvillojë takime me gjashtë ambasadorë të akredituar në Tiranë në lidhje me situatën në Luginën e Preshevës.
Takimin e parë ministri Panariti e ka zhvilluar me ambasadorin e SHBA-së Aleksandër Arvizu, ndërsa në orën 14:30 ai do të presë ambasadorin e OSBE-së Eugen Wollfarth dhe në orën 15:00 do të takohet me amabsadorin e BE-së në Tiranë Ettore Sequi.
Gjithashtu shefi i diplomacisë shqiptare do të takohet edhe me ambasadorët e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës.
Kështu në orën 15:30, ministri Panariti do të presë ambasadorin britanik Nicholas Cannon, në orën 16:00 ambasadoren gjermane Carola Holtkemper dhe në orën 16:30 do të takohet me ambasadoren franceze Christine Moro.
Situata në Luginën e Preshevës është tensionuar pas largimit nga xhandarmëria serbe të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e komunës.
Më herët në një deklaratë të saj, Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka dënuar ashpër heqjen e memorialit të dëshmorëve në Luginën e Preshevës, ndërsa u ka bërë thirrje shqiptarëve në Serbinë e Jugut, por dhe më gjerë, të vetëpërmbahen.
Gjithashtu Ministria e Jashtme, ka theksuar se dëmtimi i disa varrezave në Kllokot dhe Prizren, bie ndesh me frymën e tolerancës që karakterizon shoqërinë në Kosovë, duke mbështetur qeverinë e Kosovës në thirrjet e saj për vetëpërmbajtje dhe shmangien e akteve të dhunës.