Sivëllai shqiptar i Dantes (III)

Ornela

Bedri Islami

(Vijon nga numri i kaluar)

Atdheu nuk kërkon rritjen, kërkon shpagimin! Ndaj kujt? Pashko Gjeçi nuk ka pasur të bëjë asnjë ditë me politikë, miqtë e tij, po. Qemali nuk është më. Xhemal Broja po përgatit veten për arrestimet e ardhshme, megjithëse drejtues i lëvizjes komuniste. Arshi Pipa do të arrestohet në të njëjtën ditë me të. 4 shtator 1947. Pas tri ditëve do të ishte 29 vjeçar, pasi ka lindur me 7 shtator 1918. Tre muajt e parë në një dhomë izolimi. Terrinë, që, kur nis të zbardhë, i risjell në mend vargjet e Dantes, të cilat i di përmendësh dhe kishte nisur të provonte përkthimin e tyre. E nis nga Purgatori dhe Parajsa. Ferrin, që e kishte brenda asaj ngushtice të qelisë, do e vazhdojë në tharjen e Kënetës së Maliqit.

Përkthimet e para i kishte nisur në moshën 17 vjeçare, gjimnazist. Do i përfundonte në një dhomë të ngushtë, gjysëm bodrum.

Në moshën e shtyrë, pak para ndarjes nga jeta e këndejme, për të shkuar në atë të përtejme, Pashko Gjeçi kujton:

“Për përkthimin e saj unë shfrytëzoja orët e para të mëgjesit para se të fillonte mësimi dhe çdo ditë hidhja në letër nga katër vargje në gjuhën shqipe. Disa prej këtyre vargjeve, në mos gaboj ato të “Ferrit”, unë ia tregova mikut tim të ngushtë Llazar Siliqit, i cili i botoi menjëherë në revistën “Nëntori”. Ndonëse ato u pëlqyen mjaft dhe u vlersuan nga shumë njerëz dashamirë, kritika e asaj kohe heshti, sepse nuk mund të shkruante për një ish të burgosur politik. Meqënse i kisha vënë detyrë vetes që ta përktheja me çdo kusht Danten, vazhdoja të punoja çdo ditë dhe kishte raste që për një varg më duhej tre katër ditë punë. Pasi kisha përkthyer mijëra vargje në ato tre vjet, katër vargjet e fundit i kam përkthyer një ditë të shtunë kur tre kolegët e mi kishin shkuar në Tiranë. Ato i mbarova aty rreth orës katër të mëngjesit dhe kur i mbarova, mu duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm”.

M‘u duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm!

Ishte njëlloj si të thoshte se, m’u duk se u hap dera e prej aty doli Jeta e më la vetëm, pasi Dante kishte qenë pjesa e fillesës së jetës së tij.

Për një ironi të fatit, botimi i plotë i Veprës madhore do të bëhej me porosi të Enver Hoxhës. Sikur të mos ishte i mjaftueshëm ferri i ngritur mbi tokë, papritmas, një urdhër suprem do të bënte të mundur botimin e plotë të Dantes dhe emërimin e përkthyesit si profesor në Fakultetin e Filologjisë, profesor i latinishtes dhe greqishtes së vjetër. Përkthyesi i vyer, që do të sillte në shqip edhe kryeveprën tjetër, “Odiseu“, kishte dhënë gjithçka nga vetja.

Largimi i tij  nga jeta ishte i heshtur… sikur të hapej një derë e prej aty të dilte përkthyesi i famshëm dhe të na linte vetëm…

***

Joyce thonte dikur se “Historia është një makth nga i cili dua të zgjohem“. Dantja kishte lindur për të gjithë, por në botën përballë vendit të tij, ishte një truall tjetër, ku do të njihej shumë më vonë se nga kombet e tjerë rreth e rrotull tij, po ku do të ishte më i ngjashëm se askund tjetër. Dantja nuk ishte vetëm poet për shqiptarët, ai ishte pjesë e një hisorie, makthi i së cilës ende kërkon zgjimin e tij. Një vend, ku tri gjendjet poetike të “Komedisë Hyjnore“ ndërthuren me njëra tjetrën dhe në të cilat përmasat janë të ndryshme me atë që ka ndodhur në tercinat e njohura.

Nëse në përkthimin e Pashko Gjeçit, gjendja e Ferrit do të ishte më e plotë, më e natyrshme, më e dhimbshme, më sublime, më e shenjtë, më tronditëse, më e kapshme, më befasuese, më tingëlluese, kjo nuk ka të bëjë vetëm me forcën e përkthimit, por edhe me fillesën e procesit të zgjatur në shumë vite, në një qeli burgu, që ngjante pambarimisht e vockël me atë që ndodhte rreth e rrotull, me rrathët e krijuar njëri pas tjetrit, ku numri i tyre përzihej, duke i zënë vendin njëri tjetrit, jo sipas përcaktimit poetik, por prej ngarendjes së një trysnie të pashoqe, të ashpër e mizore, e cila, nga njëra anë jepte devizën e saj, që në vitin 1945,“më shumë bukë, më shumë kulturë“, dhe, nga ana tjetër shpallte të huaj për kombin, të përjashtuar, të dëbuar e të mallkuar pikërisht atë elitë që mund të bënte ringritjen e vlerave.

“Komedia hyjnore“ ishte një ëndërr që kishte gjithnjë në vete drojën se mos ndërpritej dhe bashkë me të krijohej ndarja mes saj dhe historisë. Do të ishte e mjaftueshme një turfullim i pushtetit, i dikujt që mund të kishte parë pjesë të vetvetes në tercinat e njohura, të cilat pavarësisht kohës kanë mrekullinë të jenë të pranishme edhe sot e kësaj dite, dhe, e gjithë vepra do të mund të dërgohej në kthinat e territ, ku kishte qenë dikur përkthyesi i saj.

Ismail Kadareja është, mund të them pa droje, i tronditur nga Dantja dhe i marrosur pas tij, si ndodh shpesh herë kur takohen shpirtrat binjakë. Ai është gati ta nacionalizojë Danten, t’i japë atij nënshtesinë shqiptare, ta bëjë ambasador të vendit të tij dhe të jenë bashkë, në të mirë e në të keq. Për të, jo vetëm në këtë histori të shkurtër, Dantja është ndërtuesi i urave mes kulturave dhe, si më i madhi poet i Europës i takon edhe asaj pjese europiane shqiptare, që shikoi tek poeti fiorentinas bulimin e idesë së kundërshtimit, duke ngritur, me aq sa kishin hapësirë, artin e tyre normal në një vend jo normal.

Kadareja e sjell Danten në mjediset shqiptare si një gjë të zakonshme, e vendos në fillimin e marshimit fashist mbi kryeqytetin shqiptar, e dërgon me falangat italiane në marshimin mbi shtetin fqinj grek, si për të dashur të bëjë njësimin e Homerit helen me Homerin e Italisë, si është quajtur Dantja, heziton për vendndodhjen e tij në ditët e pushtimit nazist, por gjithëherë në praninë e së mirës; më pas, në kohërat e shtetit diktatorial, kur asgjë nuk është e sigurtë, ai përndjell të mirën përmes tij dhe, befas, tabloja që shfaq, në një trekëndësh Tiranë – Romë – Shkodër, nga ku janë edhe më e shumta e përkthyesve të tij, zakonisht të krishterë katolikë, synon të bëjë lidhjen e asaj ndjenje ende të pashfaqur si duhet të shqiptarëve ndaj perëndimit.

Shumë studiues kanë shfaqur mendimin se Dantja mund të kuptohet si duhet vetëm në gjuhën italiane, bile në dialektin fiorentinas. Nobelisti Seferis e mendonte këtë, por edhe Borges e kishte shijuar pikërisht në italisht.

Kadareja mbështet mendimin e studiuesve të shquar shqiptarë të Dantes, sidomos të Fishtës dhe Koliqit se poeti i shquar, duke qenë gjuhësisht i afërt për shqiptarët, ai është i kapshëm në gjuhën tonë. Gjergj Fishta, sipas kujtimeve të Koliqit, mendonte se gjuha shqipe,“gjuha jonë mashkullore“, sipas tij, ishte tepër e përshtatshme për të mbartur shprehjet krenare danteske. Kadareja shkon edhe përtej këtij mendimi. Ai është i bindur se edhe vetë trualli ynë, historia e tij, me përplasjet, fatkobet, mençurinë, mbijetesën, dështimet dhe ringritjet i përngjan truallit poetik të Dantes dhe mund të jetë një strehë e mirë për të, ndoshta streha më e përshtatshme në hapësirën ballkanike, për më tepër me një përkthim brilant që tingëllon aq natyrshëm.

Ka edhe një veçori tjetër, e cila nuk do të mungonte asesi. Në fillimet e ardhjes së Dantes në vendin tonë, përcjellja apo shoqërimi i tij u bë nga korifej të letrave shqipe, atë po e përcillin drejt “altarit“ të jetësimit në shqip figura që e kishin përnjëmend për zemër, që ishin rritur duke i thënë tercinat e tij, fillimisht në origjinalin e tyre e më pas në përkthimet e para, të drojtura, por të mirëpritura, si çdo gjë që troket për herë të parë.

Shoqërimi i Dantes nga figura të mëdha të letrave shqipe, mes tyre Fishta, Koliqi, Kuteli, Pashko Gjeçi,   i jepnin atij hijen dhe nderimin e fshehtë, që ishte edhe më tej interesant, por edhe e “legalizonin“ atë në botën e shpirtit shqiptar.

Këta autorë, më pas, në kohën e komunizmit, në shumicën e tyre, do të shpalleshin të padëshiruar, do hiqeshin nga tekstet, do të pëshpëriteshin dhe librat e tyre do të lexoheshin netëve të terrta, por, megjithatë, ata kishin aureolën e tyre, të cilën nuk ia hiqnin dot të ardhurit në letrat shqipe dhe as ndalimi disa dekadash i tyre. Dantja ishte i lidhur me ta; ai ishte i pandaluari që kishte ardhur mes të ndaluarve dhe kjo i ngjante historisë që ai vetë kishte ngritur përmes tri “gjendjeve“ të tij: Ferrit, Purgatorit e Parajsës.

Me rënien e komunizmit, pa asnjë mëdyshje, rehabilitimi i këtyre figurave ishte i menjëhershëm; gjithçka ndodhi marramendshëm shpejt dhe, “ashtu si është vuajtja pa dhimbje, ngadhnjimi ishte, po ashtu, pa haraç“.

Çfarë ndodhte ndër kohë me Kadarenë? Si lëviste ai në këtë botë marramendëse, ku gjysma e tij ishte në balada e gjysma tjetër në mengenenë e shtetit?

A ishte ai i Parajsës, i Purgatorit apo i Ferrit?

Çka doli me veprën e tij, e cila, në të gjithë këtë perandori që ka ngritur mund të ketë vend për të gjitha, që nga mënjanimi, heshtja e deri tek mallkimi, e po ashtu, që nga lëvdata, marrja nën mbrojtje, ngadhnjimi e deri tek fillesa e Parajsës.

Si ndodh me përsonazhet e Purgatorit, ai ndodhej në një gjendje shëlbimi, pra, midis mallkimit dhe bekimit.

A është e vërtetë kjo?

Si përfytyrohej ai në një vend që quhej “Parajsë“ pushtetore me rrathët e saj dhe si mendohej ai në një vend që ishte vërtet Ferr?

Si me asnjë shkrimtar tjetër ai ka qenë i pranishëm në dy skajet e botës shqiptare: në Komitetin Qendror, të cilin më pas e ngriti mjeshtërisht në Pallatin e Ëndrrave dhe, në skajin tjetër, tek të burgosurit politikë.

Sa herë që është dukur se ka rrëshqitur nga selia murale dhe deri diku groteske, aq herë është dukur se i është afruar të tjerëve, që ishin tashmë të humnerizuar.

Nëse në fillimet e poezisë së tij është dukur se po thërret parajsën, dhe kjo është e kuptueshme dhe çuditërisht më e pranishme se në prozën e tij, vitet e mëpasme e afrojnë drejt asaj që ka të bëjë me ftillimin e së të vërtetës përmes artit; sa herë që është rrëzuar nga shkallët e selisë masive të Komitetit Qendror, aq herë është dukur i afruar me rrethinat e kthinave të një jete të mbyllur.

Ai fqinjëronte me të dyja, duke u larguar përherë e më shumë nga masivja e duke shkuar drejt një britme shumë dimensionale që tingëllon fundbotshëm dhe fillim bote njëkohësisht.

Çfarë mendonte “Parajsa“, Komiteti Qendror për Kadarenë?

Në mbledhjen e zhvilluar në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH, me 25 tetor 1975, nën drejtimin e Ramiz Alisë, seketar i Komitetit Qendror për ideologjinë dhe ku janë të pranishëm funksionarë të lartë partiakë, do të diskutohet lidhur me poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“ të Ismail kadaresë, e njohur si “Pashallarët e kuq“.

“Gabimi i Kadaresë është më i rëndi nga të gjithë gabimet që kanë ndodhur deri më sot. Me këtë vjershë ka goditur në ballë vijën e partisë. Diktaturën e proletariatit ai e nxjerr gjakatare. Shpreh mendimin se shteti socialist i nënshtrohet të njëjtit ligj si shteti borgjez: zhduket nga themelet…“.

Të duket se ka sjellë pjesë të Ferrit. Edhe ai. Kadareja, e di këtë. Në autokritikën e tij, ai shkon edhe më tej se kaq: bën përcaktimin më serioz të jetës së tij në përballjen me shtetin dhe pret momentin tjetër të goditjes.

“Unë kam shkruar dhe kam çuar për botim një vjershë armiqësore, kundërrevolucionare, të drejtuar kundër regjimit tonë, kundër diktaturës së proletariatit… E gjithë vjersha është armiqësore dhe kundërrevolucuionare. Unë isha në këtë vjershë po aq i rrezikshëm sa një kundërrevolucionar“.

Visar Zhiti, ish i burgosur politik, poet:

“Vepra e Kadaresë i ngjan një beteje, një dueli homerik, me oratori dhe kërcënime, me pauza dhe vërvitje topuzësh, me mërira dhe… me gjak në gotën e verës festive… me romane të vrara, poema të therura, elegji të heshtura… Dhe gjithsesi shihet se kundërshtari i shkrimtarit është një gjigand monstër, që nxjerrë kokë të tjera përbindshmërisht, me brirë dhe gjuhë zjarri. …Gjithnjë e më i guximshëm shkrimtari, më i zymtë dhe më sublim. Mallkueshmërisht nga perënditë për të qenë i pandreqshëm. Shefat e mi, do të thoshte, s’janë ata të shtetit, por Eskili, Dante, Shekspiri, Servantesi“.

Bashkim Shehu – ish i burgosur politik, shkrimtar, në letrën e tij të vitit 1991, dërguar Kadaresë, letër që u botua edhe në shtypin perëndimor:

“Desha të të shkruaj për atë pjesë të hetuesisë sime: më 1982 më kanë pyetur për ty. Më kanë pyetur intesivisht për rreth një javë. Madje një herë më erdhi në mesin e natës zëvendësministri i brendshëm Rexhep Kolli. Të quanin “armik të vjetër e të rrezikshëm“, që “ishte munduar të i’a hidhje partisë, por nuk i’a hidhje dot“, që “të kishin dhënë dorën disa herë, por tani nuk kishe ku të veje më“ etj. Kërkonin të dinin se çfarë mendimi kishe ti për regjimin, çfarë kishe thënë kundër Enver Hoxhës, madje të implikonin edhe në çështje agjenturore…“.

***

Dantja ka qenë dhe vazhdon të mbetet i gjithëkohshëm. Ai i është përafruar kohërave, pasi, në rastin e tij, gjithçka është kaq e gjallë, sa arrijmë të bindemi se ai, jo vetëm ka besuar tek bota tjetër, por këtë besim e ka përcjellë edhe nëpër kohëra.

Dantja qëndron përtej vizionit, ai është njëri ndër magjistarët e fjalës, me një fuqi shprehëse të pazakontë dhe, si ndodh rrallë, kjo fuqi nuk reshtet në të 100 këngët e tij.

Në kohërat e mëpasme ai ka qenë gjithnjë e më i kuptuar dhe pikërisht atëherë kur mendohej se tashmë përkimet e tij do të ishin të tepërta, në botën njerëzore, të këtejshme, u shfaqën dy format më llahtaruese të Ferrit, nazizmi dhe komunizmi.

Kampet e tmerrshme të përqëndrimit, furrat e stërmëdha me gaz, vdekjet e llahtarshme, 6 milionë izraelitë do të vriteshin në një hark kohor prej 5 viteve, ose 1.2 milion në vit, rreth 3300 në ditë, pa shkuar më tej, tek gjëmat e mëdha të vrasjeve masive në Poloni, Rusi, Ukrainë… të cilave, llahtarshëm, po ashtu, do iu përgjigjej komunizmi.

Në Shqipërinë e vogël do të kishte, po ashtu, vend për tercinat e Ferrit të Dantes, ku kampet e internimit, nisur bashkë me pushtetin e ri, do të ishin të kobshëm, nëpër të cilët vetë jeta do të rridhte në një ritëm ndryshe.

***

Që Dantja të vinte në Shqipëri këtë nuk mund ta ndalonte asnjë traktat. Vetëm diçka mund të bëhej pengesë për të dhe shtytëse: gjuha shqipe, por, për fat të bardhë, ajo u bë mbështetja e tij.

Regjimet që kanë shkuar në Shqipëri, republikë, monarki, gjysëm republikë dhe gjysëm monarki, diktaturë e proletariatit, përsëri republikë, luftërat që kanë ndodhur, përplasjet brenda shqiptare, të ashpra, si gjithë përplasjet ballkanaike, por me më shumë pezm e mëri, liderët që e kanë drejtuar këtë vend, herë-herë perëndimorë e herë – herë anadollakë, miqësitë e krijuara dhe ndarjet e mëdha politike, traktatet dhe ndryshimi i epokave, asnjëra prej tyre nuk e ka trandur Danten.

Shqipëria ka historinë e saj me poetin e madh fiorentinas, ka përngjasimet e saj, përkimet dhe ngarendjet e përbashkëta.

Dantja nuk mund të ishte kurrsesi i huaj për këtë truall dhe “Mëtimi i Shqipërisë së vogël për të patur një histori të veçantë me Dante Aligierin, s‘besoj se do të merrej si prirje përvetësimi, prirje aq fort e njohur në gadishull. Në fund të fundit të kesh një histori të privilegjuar me Danten, nuk është gjë tjetër veçse të ofrohesh për të vuajtur më fort“.

Ky përfundim i Ismail Kadaresë, në librin e tij “Dantja i pashmangshëm – një histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Aligierin“, nuk është asgjë tjetër veçse një dëshmi e asaj që ka ndodhur dhe, për më tepër, një përulje ndaj poetit të shquar nga një sivëlla i tij, disa shekuj më pas.

FUND

Share This Article
1 Comment
  • Retorizëm politik nëpërmjet Dante Aligierit
    Autori i këtij shkrimi B.I. bën sikur apo nuk e di vërtetë historinë e Dantes që ishte aktiv në jetën politike dhe u dëbua nga Firence më 1301 kur partia e tij humbi pushtetin? Apo që Dante shkroi poema për dashurinë e tij kalorsiake për vajzën që dashuroi të cilën e mbiquajti Beatriçe? Apo që Dante, pas vdekjes së saj premtoi se do të shkruante më shumë për të dhe e mbajti fjalën me kryeveprën epike kristiane dhe autobiografike “Komedia” Hyjnore përfunduar para se të vdiste? Apo se nuk i shpiku Dante ferrin, purgatorin dhe parajsën? Apo se lexuesi i kësaj gazete i njeh mirë pikëpamjet dhe qëndrimet e tij ndaj sistemit të kaluar të trajtuara jashtë kuadrit kohor objektiv?
    Eshtë sharlatanizëm i pastër nga kushdoqoftë të quaj ferr kohën kur populli dhe pushteti i tij e ngritën Shqipërinë nga errësira në dritë me punë vetëmohuese dhe nën goditjen e egër të luftës gjoja të ftohtë. Kasandra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *