Nuk ka surpriza në ndeshjet e kthimit të turit të parë të Kupës së Shqipërisë, e madje as për sa i përket kualifikimeve me të gjitha skuadrat favorite që avancojnë më tej.
Kualifikohet edhe Kukësi që kishte humbur në mënyrë befasuese takimin e parë 3-1 nga Naftëtari. Në kthim skuadra e Troisit fitoi po 3-1 në kohën e rregullt, ndërsa në shtesë një gol i të riut Jonuzi i dha kualifikimin verilindorëve.
Vjen në Kupën e Shqipërisë edhe fitorja e parë sezonale për Vllazninë që mposhti 4-0 Pogradecin pas barazimit 1-1 në sfidën e parë.
Sukses në bllok ndërkohë edhe për skuadrat e tjera të Superiores, me Tërbunin që pasi kishte barazuar 0-0 me Burrelin kualifikohet falë fitores 2-0 në kthim, Teuta shënoi një tjetër goleadë këtë herë në shifrat 6-1 ndaj Adës, Fitore e thellë 6-0 edhe për Bylisin ndaj Dinamos, ndërsa Flamurtari u mjaftua me suksesin 3-2 ndaj Orikumit.
Nuk është lodhur shumë Laçi i Cungut që falë fitores 3-1 në takimin e parë me Besën i ka lejuar vetes edhe barazimin 1-1 ndaj kavajasve , ndërkohë që kualifikohen edhe Apolonia, Lushnja, Iliria, Sopoti, Kamza dhe Kastrioti.
