Policia italiane ka bllokuar një sasi të madhe droge, e cila ishte nisur nga brigjet e Shqipërisë. Një 35-vjeçar shqiptar është vënë në pranga, pasi është kapur nga efektivët e Guardia di Finanza-s në Leçe, ku kishte mbërritur me skafin plot me lëndë narkotike.
Sipas informacioneve që vijnë nga policia italiane, vlera e ngarkesës së lëndës narkotike që tentoi të futet në shtetin përtej Adriatikut arrin në 2 milionë euro.
Për transportimin e saj, 35-vjeçari shqiptar ka përdorur një skaf 7.5 metër, me 250 kuaj fuqi dhe dy motorë. Moratoriumi i skafeve nuk e ka penguar një mjet kaq të fuqishëm të lundrojë drejt Italisë, ku i ka “dalë në pritë” policia e shtetit fqinj.