Organizatorët e edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë njoftuan në mes të korrikut se në konkurrimin për Dokumentarin më të Mirë është pranuar edhe dokumentari shqiptar për lëvizjen LGBT, “SkaNdal”. Ky dokumentar do të shfaqet në këtë festival në datën 17 gusht. Kjo është hera e parë që në aktivitetin më të rëndësishëm të Europës Juglindore përzgjidhet një film dokumentar shqiptar.
Me regji të Elton Baxhakut dhe Eriona Camit dhe skenar të Xheni Karajt dhe Kristi Pinderit, kjo dëshmi frymëzuese tregon për historinë e jashtëzakonshme se si një lëvizje sociale dhe politike mund të fillojë nga pasioni i vetëm pak njerëzve të përkushtuar, mund të rritet e të shkojë në zemër të shoqërisë dhe të shndërrohet në frymëzues për qindra të rinj, familjarë, miq apo aleatë të tyre. “Na është dashur bashkë me Erionën që të punonim për këtë dokumentar me një temë plot me të papritura. Dokumentari nuk nisi thjesht si një zbatim rigoroz i planit të punës, por si një proces i gjatë diskutimesh, qëndrimesh, punë kërkimore në arkiva, etj, për të sjellë para publikut jo vetëm problematikën e komunitetit LGBT, por edhe çështje të tjera të aktivizimit të këtij komuniteti për të cilat në Shqipëri askush nuk ka dijeni”, thotë Elton Baxhaku, i diplomuar për shkenca politike në UET e më pas për regjisurë në Akademinë Marubi. “Sigurisht që bashkëpunimi me komunitetin në realizimin e këtij dokumentari ka qenë një nga mbështetjet dhe nxitësit pa të cilin ky dokumentar nuk do bëhej i mundur”, thotë Eriona Cami, e diplomuar gjithashtu për regjisurë.
Eltoni dhe Eriona janë tashmë aleatët më të zëshëm të kauzës LGBT në Shqipëri. Si janë njohur me njëri-tjetrin, cili ka qenë frymëzimi dhe motivimi për një grusht njerëzish përpara 5 viteve për të nisur bashkërisht një angazhim më të madh se frikërat e tyre, cilët kanë qenë personat që e kanë ndihmuar lëvizjen LGBT, cilat ishin format “e nëndheshme” të aktivizmit të tyre, sfidat familjare dhe dramat personale, cilët ishin aleatët e parë dhe si lëvizja u bë publike, politike dhe një prej faktorëve kryesorë të shoqërisë civile në Shqipëri? Të gjitha këtyre pyetjeve tenton t’u përgjigjet ky dokumentar në 63 minuta gjatë së cilave, vetë protagonistët e kësaj historie që vazhdon edhe sot, tregojnë përjetimet, mendimet dhe aspiratat e tyre. “Ka patur shumë ngjyra në këtë histori, herë të forta e herë gri. Dhe sfida kryesore gjatë punës me dokumentarin ka qenë si të tregojmë në ato 63 minuta gjithë intensitetin e lëvizjes LGBT pa zbehur, zbukuruar apo fshirë asnjë prej ngjyrave të saj, qofshin ato momente të forta inkurajimi, qofshin ato momente të vështira të një izolimi dhe vetmie që pjesëtarët e këtij komuniteti u është dashur të kalojnë në jetën e tyre”, shton Baxhaku.
“Gjatë gjithë punës, sfida kryesore ishte si të realizojmë një dokumentar që të frymëzojë komunitetin”, thotë Xheni Karaj, bashkëskenariste e dokumentarit dhe një prej drejtueseve të lëvizjes LGBT në Shqipëri. “A frymëzon kjo pjesë? A mund të kuptohet ky moment në dokumentar nga pjesëtarë të komunitetit jashtë Tiranës, kryeqytetit? A ia vlen për komunitetin ta zhvillojmë më shumë këtë argument? Të gjitha këto ishin pyetjet që na vinin në çdo moment gjatë punës me dokumentarin”, nënvizon Karaj, e cila së bashku me Kristi Pinderin, aktivist për të drejtat e LGBT dhe gazetar, kanë qenë ideatorët për realizimin e këtij dokumentari.
“Dokumentari SkaNdal”, shton Pinderi, “është edhe një formë e bukur përmes së cilës ne komunikojmë jo vetëm me komunitetin LGBT, por edhe me prindërit, me miqtë, me të afërmit, me aleatët dhe me gjithë publikun”. “Në shumë raste”, vazhdon ai, “kemi parë se si njerëz që kanë mundur ta shikojnë dokumentarin kanë reaguar në këtë formë: Kjo është e jashtëzakonshme, ju keni kaluar gjithë këto gjëra dhe ne nuk kemi ditur asgjë”.
Dokumentari SkaNdal konkurron jo vetëm për trofeun kryesor që është “The Heart of Sarajevo”, por edhe për disa çmime të tjera të rëndësishme të këtij eventi me më shumë se 100 mijë vizitorë, siç është çmimi “Human Rights Award”, për disa çmime që akordohen nga Al Jazeera, dhe për EDN Talent Grant. Pas shfaqjes së dokumentarit në datën 17 gusht do të organizohet një debat në “DocuCorner”, një formë kjo interaktive mes të rinjve dhe regjisorëve që synon të ngjallë debat dhe diskutime. Përveç Shqipërisë që këtë vit konkurron me dokumentarin SkaNdal janë plot 20 vende të botës pjesë e së njëjtës garë.
