Skandali, hormoni i ndaluar që përshpejton pjekjen e perimeve tregtohet lirshëm në farmacitë e vendit

anazapta

Qumështi me aflatoksinë apo mishi me hormone duket se janë vetëm maja e ajsbergut të ushqimeve me kimikate të dëmshme që konsumojmë përditë. Perimet janë të dyshuarat e radhës, për shkak të etrelit, një stimulues për rritjen e tyre, por që mund të jetë i dëmshëm për shëndetin. Gazetarët e Fiks Fare kanë mundur ta sigurojnë atë në farmacitë e disa qyteteve në vend, pavarësisht se ky lloj hormoni nuk përfshihet në listën e produkteve të mbrojtjes së bimëve të regjistruara për t’u importuar dhe tregtuar në Republikën e Shqipërisë.

Etreli përdoret për skuqjen e domateve të serave. Farmacistë të ndryshëm arrijnë ta fusin stimulantin që kryen skuqjen e domates nëpërmjet doganave, pa e zhdoganuar atë, ndërsa AKU-ja duket se e ka të pamundur zbulimin e këtyre hormoneve, të cilat shiten në ambalazhe të medikamenteve të tjera. Pas gjetjes dhe blerjes së ilaçit që përdorej për skuqjen e domates, i cili ishte Etreli, gazetarët kanë mësuar nga farmacistët e farmacive bujqësore se këtë medikament “e siguronin nga Greqia”. Medikamenti, që sillet pa u zhdoganuar, dërgohej në qytetin e Beratit dhe prej andej shpërndahej në farmacitë e zonës së Lushnjes dhe Beratit. Në videon e transmetuar nga Fiks Fare, farmacisti u shpjegon gazetarëve (që u paraqitën si fermerë) mënyrën e përdorimit, duke i këshilluar të përdorin doreza plastike, pasi ky medikament është shumë i fortë.

Në video, një farmacist i medikamenteve bujqësore në Lushnje u thotë gazetarëve që “domatet që u hidhni hormone të mos i përdorni për familjet tuaja, por lini pesë rrënjë domate pa spërkatur me hormone, që t’i konsumoni për vete”. Ndërkohë, nga fermerët e zonës së Beratit dhe Lushnjes, është mësuar se hormoni përdoret edhe në serat e tyre. Një fermer në Berat është shprehur se “simulantët në perime përdoren jashtë norme”.

Foto-01Foto-02Foto-03Foto-04Foto-05

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *