Në Spanjë, Prokuroria po vazhdon hetimet në lidhje me një manipulim të mundshëm të ndeshjes Levante–Zaragoza, takim ky i luajtur në javën përmbyllëse të edicionit 2010-11 të Primera Division. Për shkak të renditjes klubit nga Aragona asokohe i nevojitej patjetër fitorja dhe në fakt Saragosa triumfoi ndaj Levantes jashtë fushe duke siguruar me sukses qëndrimin. Në ditën e dytë të kësaj çështje vazhdoi marrja në pyetje e futbollistët Hector Rodas, Iborra, Xavi Torres, Stuani, Caicedo, Robuste, Manuel Reina, Cerra dhe Juanfran dhanë të gjithë me radhë versionin e tyre të fakteve përpara prokurorit Alejandro Luzon. Kurioz është fakti se tre prej tyre nuk pranuan të dëshmojnë në lidhje me këtë ngjarje dhe pohuan se do ta bëjnë diçka të tillë vetëm në rast se do t’iu kërkohet juridikisht. Që të gjithë futbollistët e tjerë mohuan në bllok në deklarata fare të shkurtra që të kenë patur dijeni, qoftë edhe për një implikim të skuadrës aragonase mbi një manipulim të mundshëm të asaj sfide. Kjo çështje pritet të mbyllet të hënën e ardhshme dhe pritet gjithashtu edhe dëshmia e sulmuesit nigerian të Villarealit, Uche Ikechukwu që në atë kohë ka qenë pjesë e ekipit të Zaragozës. Më herët u morr në pyetje për këtë çështje edhe ish-kapiteni i Zaragozës Gabi që deklaroi se asokohe ka bërë gjithçka çfarë i është kërkuar nga drejtuesit e klubit. Në Prokurori, Gabi Fernandez pranoi transferimin e një shume prej 85.000 eurosh në llogarinë e tij, pak ditë përpara ndeshjes përcaktuese, nga ish-presidenti Agapito Inglesias, shumë e rikthyer megjithatë po atë ditë.
