Skandali me provimin e letërsisë, Prokuroria nis hetimet

anazapta

Rreth 50 mijë maturantë në të gjithë vendin i janë nënshtruar dje provimit të detyruar në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës-Shqipe, duke iniciuar zyrtarisht provimet e Maturës Shtetërore 2013. Pavarësisht masave “blinduese” të raportuara nga Ministria e Arsimit kundrejt frenimit të kopjimit, incidentet e kanë shoqëruar edhe këtë provim. Në kryeqytet pretendohet se teza e provimit është fotografuar me aparat celular nga maturantët e Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Ismail Qemali” dhe më pas është nxjerrë në ambientet e jashtme të shkollës, në kohën që provimi po zhvillohej ende.

Dyshimet e ngritura nga televizioni “News 24” (ku është publikuar edhe një nga fotokopjet e testit), janë kundërshtuar nga funksionarët e Ministrisë së Arsimit, të cilët i kanë cilësuar si të qëllimshme dhe dashakeqëse. Pak orë pas mbarimit të provimit dhe publikimit në media të këtij skandali Prokuroria ka nisur hetimin e rastit në fjalë.

Procesi i administrimit të provimit të letërsisë në rrethe pohohet të ketë qenë më dorëlëshues, çka ka favorizuar komunikimet mes maturantëve mbi alternativat e përgjigjeve të sakta, teksa në shumë qytete (sidomos në qytetet e vogla) thuhet nën zë se nuk janë vënë në punë as zhurmuesit për bllokimin e valëve të telefonisë celulare duke bërë që maturantët t’i marrin përgjigjet me celular.

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Arsimit, provimi është zhvilluar në rreth 203 shkolla gjithsej. Testi ishte i ndarë në dy pjesë, ku 60 për qind e pyetjeve janë nga letërsia dhe pjesa tjetër i përket njohurive që të rinjtë kanë marrë në mësimin e gjuhës shqipe.

Sipas MASH-it, teza e provimit ishte në përputhje me programin mësimor dhe orientues të kësaj lënde të zhvilluar në shkollën e mesme. Administrimi i procesit është bërë sipas Rregullores së Maturës Shtetërore. Skema e vlerësimit të testit tashmë  është bërë publike dhe përgjigjet e sakta të testit i gjeni të detajuara  bashkangjitur shkrimit. Përgjigjet e testimit të letërsisë pritet të shpallen pas dhjetë ditësh, ndërkohë që në 14 qershor të rinjtë e shkollave të  mesme do t’i nënshtrohen provimit të dytë të matematikës.

 

Problemet në rrethe

Mësohet se në një prej gjimnazeve të Qarkut të Elbasanit kanë qarkulluar kopje të testit të letërsisë, ende pa u mbyllur zyrtarisht provimi. Sipas të rinjve, testi është fotokopjuar dhe është plotësuar më pas duke u rikthyer tek maturantët. Ky rast mësohet se është konstatuar në Gramsh, por kjo nuk është konfirmuar nga administratorët.

Gjithsesi, provimi përgjithësisht është zhvilluar në kushte të larta sigurie dhe testi sipas maturantëve ka qenë mesatar dhe nuk ka pasur ankesa lidhur me pyetjet si një vit më parë. Maturantët në 24 shkolla të mesme të qarkut të Elbasanit kanë zhvilluar provimin e letërsisë në masa sigurie. Të gjitha shkollat janë monitoruar nga policia.

Ndërkohë në pjesën dërrmuese të shkollave kanë funksionuar normalisht zhurmuesit. Sipas informacioneve në çdo shkollë  janë venë 3 zhurmues që kanë funksionuar në pjesën më të madhe. Sipas drejtuesve të shkollave, nuk është dashur mbledhja e celularëve me thes ashtu siç ishte deklaruar pasi maturantët kanë qenë të ndërgjegjshëm dhe nuk kanë marrë celular me vete. Në shkollat e qytetit nuk janë regjistruar raste të përdorimit të telefonave apo të mbledhjes së tyre.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *