Skandali në aeroportin e Kukësit, rroga fiktive 38 punonjësve

Dita

Aeroporti i Kukësit ka dhënë rroga fiktive për 38 punonjës për rreth një vit dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi penale, pasi sipas prokurorisë askush nuk ka bërë kallëzim penal.

Ndërtimi i aeroportit të Kukësit nisi në muajin maj të vitit 2002 dhe u mor në dorëzim nga autoritetet shqiptare në vitin 2006. Sipas projektit të ndërtimit, në këtë aeroport është parashikuar që të zbresin njëherësh deri në pesë avionë, por deri më sot nuk është vënë asnjëherë në punë. Deri pa dy vitesh, pengesë ka qenë marrëveshja koncesionare e aeroportit të Rinasit.

Prill 2016

Më 1 prill 2016, ministri Haxhinasto, duke shpallur arritjen e marrëveshjes me Tirana-Airport, tha se menjëherë pritet hapja e aeroportit të Kukësit dhe se kjo do të krijojë rreth 200 vende të reja pune.

Konkretisht, deri para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, u punësuan 38 persona në këtë aeroport, por edhe pse kanë kaluar dy vite, aeroporti nuk ka hapur dyert për asnjë fluturim. Pikërisht për këto punësime, që u bënë pikërisht para zgjedhjeve parlamentare, rasti është investiguar nga Fiks Fare.

Prill 2017

Në prill të vitit 2017, Fiks Fare i kërkoi informacion Autoritetit të Aviacionit Civil sesa persona janë emëruar gjithsej në këtë aeroport nga 1 Janar 2016 – 25 prill 2017.

Aviacioni Civil nuk tregoi numrin e të punësuarve, por tha që Aeroporti i Kukësit administrohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe që përballon shpenzimet nga fondet e veta.

U verifikua edhe situata pranë Aeroportit të Kukësit. Rezultoi se në aeroport ishin të punësuar 38 persona, por nuk paraqiteshin ndonjëherë, duke përfituar pagat nga emërimet fiktive që ishin bërë në vit elektoral.

Rojet e aeroportit tregojnë se në punë paraqiten 6-7 veta gjithsej, të cilët janë për mirëmbajtjen e pistës. Sipas tyre, në punë vjen edhe drejtori e financieri. Ata thonë se ka të punësuar të tjerë, por nuk i kanë parë ndonjëherë.

Maj 2017

Për këtë arsye, edhe prokuroria e Kukësit kishte nisur një hetim, megjithëse ky hetim dështoi. Nga verifikimi i kryer, rezulton se prokuroria e Kukësit ka nisur hetimin për punësime fiktive më 4 maj 2017.

Nga lista e punonjësve të Aeroportit Kukës ka rezultuar se në këtë aeroport punonin 38 persona. Kështu janë sekuestruar filmimet për shtatë ditë të aeroportit Kukës. Me këto prova, prokuroria ka arritur në konkluzionin se punësimet ishin fiktive dhe ka vendosur që më 11 korrik 2017, të nisë procedimin penal për Arben Carkanji dhe Agron Xhafa për “shpërdorim detyre”, të cilët kanë qenë drejtorët e aeroportit nga janari 2016 deri në maj 2017 dhe kanë nënshkruar listëpagesat për punonjësit e aeroportit të Kukësit.

Në ndjekje penale është marrë edhe shefi i financës së aeroportit, Faredin Noka. I pyetur si i pandehur, drejtori Agron Xhafa ka deklaruar se punonjësit e aeroportit të Kukësit në periudha të ndryshme janë trajnuar në aeroportin civil Tiranë, e për pasojë nuk janë paraqitur në punë vazhdimisht në aeroportin e Kukësit, pasi ky aeroport nuk ishte funksional.

Gjithsesi, kjo dëshmi nuk e ka bindur prokurorinë dhe më 31 korrik 2017, çështja u dërgua në gjykatë për shpërdorim detyre ndaj tre zyrtarëve.

Tetor 2017

Por, më 10 tetor 2017, në prag të aplikimit të ligjit të Vettingut, ish-kryeprokurori Llalla kryen disa ndryshime në Prokurorinë e Kukësit. Çështja e aeroportit të Kukësit i kalon prokurorit Edmond Kariqi. Vetëm 6 ditë më vonë, prokuroria tërheq dosjen nga gjykata, me argumentin për plotësim hetimesh.

Rreth një muaj më vonë, pikërisht më 16 nëntor 2017, prokurori dërgon sërish çështjen në gjykatë, këtë herë, jo për gjykim, por tërhiqet nga akuza dhe kërkon pushimin e çështjes. Prokurori argumenton se “fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”, duke rrëzuar gjithë hetimin e kryer nga prokurorja Lati, e cila u transferua në Tropojë. Madje, prokurori Edmond Kariqi argumenton se “nuk kemi kallëzim penal që drejtuesit e Aeroportit të Kukësit të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin”.

Por, Fiks Fare e ndoqi rastin edhe pas pushimit të hetimit nga Prokuroria. Iu drejtua me një tjetër kërkesë zyrtare Aviacionit Civil për numrin total të punonjësve të aeroportit të Kukësit. Këtë herë, ndryshe nga hera e parë, që nuk na u dha numri i saktë, Aviacioni Civil deklaroi se aktualisht janë vetëm 7 punonjës.

Nga verifikimet e bëra në disa ditë, rezultoi që në punë nuk shkonin më shumë se 2-3 punonjës dhe rrallë herë ishin të shtatë në punë.

Pra, pavarësisht strukturës së miratuar nga Aviacioni Civil dhe rrogave të dhëna, qofshin ato 7, 8, apo 38, në aeroportin e Kukësit nuk mund të gjesh asnjëherë më shumë se 2-3 punonjës.

Përballë fakteve të dala, Fiks Fare i është drejtuar me kërkesë edhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se kryeprokurorja Arta Marku, pas vënies në dijeni të faktit të mbylljes së hetimeve për aeroportin e Kukësit ka ngritur një grup pune për verifikimin e procedurave të ndjekura për këtë procedim penal dhe pritet dalja e konkluzioneve për këtë çështje.

s.a/dita

Share This Article
7 Comments
  • Petseri ne skene hajdutet e LSI. Autoroteti i avjacionit civil ishte drejtori e LSI-se hajdute dhe Kryeplehra Llalla ka urdheruar mbylljen e ceshtjes per hesap te Kryelopes se LSI-se. Keta jane plehrat e of shoreve te lobimit me parate e Putinit per destabilitet. Mjere kush i shkon pas ati shqiptareve Basha e Meta.

  • Nuk esht faji e i lsi se fajin e ka mond haxhinasto dhe drejtori i aac qe ishte ne kohen e haxhinastos leshkoja kta dy hajdut ben namin

  • Meqenese Prokuroria e ka terhequr dosjen nga Gjykata dhe nuk per ben problem pagesa e 38 personave fiktive se qi qi ty’emen para shte-leshi jane, pagesat e prokuroreve qe jane marre me kete vjedhje te ribehen derdhje ne arken e shte-leshit. Drejtorine e Aviacuionit Civil pa avione kush e kontrollon dhe kush e investigon, apo te gjithe jane bashkehajdute, keta shoku Like jane koke-palaret eLSI dhe jo ata qe vrave ti me Saliun ne bulevard qe protestuan per vjedhjet me bllok ne dore qe beje zotrote.

  • “Më 1 prill 2016, ministri Haxhinasto, duke shpallur arritjen e marrëveshjes me Tirana-Airport, ”
    në 1 prill mund të thuash gjithçka dhe të mos mbash përgjegjësi!!
    ËSHTË DITA E GËNJESHTRAVEEEE!
    sidoqoftë kjo bie erë “ti vërsulemi kundërshatrit të sotëm,atij që e e bëmë shok në ditën e gënjeshtrave 5 vjet më parë!!

  • Skandali ne aeroportin e Kukesit ku paguhen rroga fiktive, eshte Normali ne gjithe ndermarjet shteterore kudo ne Shqiperi. Te kryeje detyren media e te investigoje , do shohe se kudo ne c’do vend drejtoret-pronare kane neper bordero mjaft fantazma te tilla qe marrin rroga.
    Jane pa perjashtim ushtaret e Rilindjes te punesuar nga deputetet rajonale. Eshte pra ajo qe Rama e thote shpesh “Shqiperia qe duam”

  • Ne se ky lajm eshte i vertete, perben SKANDAL! Si ka mundesi qe te paguhen me dhjetra njerez, duke mos dhene asgje? More, a ka pergjegjes per kete pune, apo, o burra te gjithe me luge ne brez, se u be hataja? Ku po shkojme keshtu, dhe ciles force politike i perket ky kontigjent parazitesh? Kaq e veshtire eshte per ti identifikuar, dhe kaq poshte kemi rene si shtet? Mos e thente zoti, por kam idene se as i a kemi haberin ligjeve dhe normave!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *