Të bombarduara nga telekamerat dhe aparatet fotografike, vogëlushet në bikini dhe në poza provokuese kanë tmerruar opinion publik, i cili e ka etiketuar shfaqjen si një ‘ndjellje të turpshme për pedofilët’
Jemi mësuar që në ekspozitat e makinave të shtrenjta të shohim vajza të bukura e provokuese, të ulura në poza shumë sensuale, por askush nuk do të imagjinonte që të gjente aty vogëlushe 5-vjeçare me rroba banje, të përdorura për qëllim promovimi.
I tillë është rasti i ekspozitës “Chutian Auto Culture” në qytetin Uhan të Kinës, ku modelet e rritura reklamojnë autoveturat të veshura jo me bikini, por me ‘rroba banje trup’, sepse nuk duhet të zhvishen më shumë se ç’e lejojnë normat në Kinë. Por për vajzat e vogla duket sikur këto ligje nuk funksionojnë. Këtë herë ‘vendi i dragonjve’ duket se e ka ekzagjeruar duke ngjallur indinjatë në të gjithë botën. Edhe Perëndimi ‘i pacipë’ nuk ka përdorur kurrë vajza miturake, për më tepër të zhveshura, për të reklamuar çfarëdolloj kompanie.
Është e kuptueshme që në ditët e sotme trupi mund të përdoret për të promovuar të mirat materiale, por me fëmijë të pafajshëm është e papranueshme. Fëmijët mësojnë shpejt dhe janë mjeshtra të imitimit, por të trajtuara si të rritura, ‘të baltosura’ me makiazh dhe paruke, “bebi-modelet” kineze janë shndërruar në një ‘himn’ të pedofilisë kohët e fundit.
Çing Ming, gazetarja e “Metropolis Daily” e pranishme në ekspozitë, ashtu si çdo njeri i zakonshëm, nuk do të kishte pritur të shihte vajza 5-vjeçare në rolin e modeleve ‘joshëse’ në pozime të turpshme, por të pavetëdijshme për shkak të moshës.
Pamja e këtyre ‘grave të vogla’ që ishin trukuar dhe ‘fërkoheshin’ nëpër makinat luksoze si modelet e revistave erotike, shkaktoi indinjatën e gazetares, e cila i publikoi imazhet e tyre në internet duke shpërthyer një valë proteste në të gjithë botën kundër keqpërdorimit të fëmijëve të pafajshëm. Protestat nuk prekën vetëm organizatorët e ngjarjes, por edhe prindërit që çuan vajzat e tyre në një shfaqje të tillë të dënueshme, së paku moralisht.
Zhang Ping, menaxher i përgjithshëm i organizimit të ekspozitës “Chutian Auto Culture Festival”, tha se qëllimi i marrjes së vogëlusheve në vend të modeleve të vërteta ishte vetëm që t’i “ndihmonin ato që të ishin më të guximshme edhe në të ardhmen e tyre”.
“Nuk të çudit aspak fakti se si pasojë e ngjarjeve të tilla, këtyre vajzave mund t’u rrënjoset ideja se paratë fitohen edhe në mënyra të thjeshta, veçse duke ndjekur rrugë aspak të denja. Gjithashtu sjellje të tilla ndikojnë në zhvillimin e tyre psiko-seksual”, tha Çing Ming. Duke pasur parasysh shtimin e rasteve të pedofilisë në mbarë botën, këto lloj imazhesh janë stimuluese për këtë kontingjent.
Liu , një nga vogëlushet modele, i tha gazetares Ming se ka marrë pjesë në sfilata që kur ishte dy vjeç. Duke konsideruar që tani është 5, ajo duhet të luajë me kukull,a dhe jo të kthehet vetë në një kukull…
Është e thjeshtë të hakërrehesh kundër prindërve për shfrytëzimin e fëmijve të tyre, por duhet konsideruar se pjesa më e madhe jetojnë në injorancë e varfëri. Ata përsërisn të njëjtin refren, se “në fund të fundit, fitojnë ca të ardhura dhe nuk ka asgjë të keqe ekspozimi i fëmijëve të tyre në shfaqje të tilla”. Por pati edhe prindër që u ndërgjegjësuan dhe shpërthyen në lot kur e kuptuan se nuk kishte mëkat më të madh sesa lejimi i shndërrimit të fëmijëve të tyre në një lodër seksi./Dorina Gjuzi
Dua edhe une te bej sfilad