Në klinikën e Onkologjikut ka rreth tre javë që firmat farmaceutike kanë dhuruar barna shumë të shtrenjta, të cilat nuk u janë ndarë ende pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kancerogjene dhe që luftojnë me vdekjen.
Justifikohet drejtoria e QSUT-së: Na u deshën tre javë për të verifikuar afatet e përdorimit dhe skadencën. Kostoja e këtyre barnave është e papërballueshme për pacientët. Vetëm një flakon kushton mbi 1000 euro.
Pranvera Kola
Firmat farmaceutike dhurojnë ilaçe 1 000-euroshe për pacientët që vuajnë nga sëmundjet kancerogjene e që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, por nga ana e drejtorisë së QSUT-së nuk bëhet asgjë për t’i shpërndarë ato. Skandali raportohet pas marrjes së njoftimit se pavarësisht se ka tre javë që janë dhuruar barna për të sëmurët, ato nuk janë shpërndarë. Duke marrë parasysh se çdo ditë është e rëndësishme për këta pacientë, pasi rrezikohet jeta e tyre, qëndrimi i drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mund të konsiderohet me të drejtë tërësisht absurd.
Mungesa e Barnave është bërë tashmë një refren i përditshëm që ndeshet në gjitha shërbimet e QSUT-së prej muajsh. Për të mos vënë në rrezik shëndetin e të afërmve të tyre, familjarët e pacientëve në çdo rast janë të detyruar që t’u drejtohen faturave të kripura të farmacive private përreth spitalit. E më të rrezikuarit janë pacientët e onkologjikut, barnat e të cilëve janë shumë të shtrenjta dhe shpeshherë të vështira për t’u siguruar. Por që në dhjetor të vitit të shkuar përfaqësues të firmave farmaceutike i kanë dhuruar këtij shërbimi një sasi të konsiderueshme barnash, të cilat nuk u janë dhënë pacientëve në gjendje të rëndë shëndetësore.
Përgjatë gjithë kësaj kohe pacientët janë detyruar që t’i blejnë vetë këto barna, kostoja e të cilave është shumë e lartë, pasi vetëm një flakon kushton edhe më shumë se 1000 euro. Ndërkohë që për të vijuar terapinë kërkohet përdorimi i disa flakonëve.
Skandali
Duke marrë shkas nga fakti shqetësues i mungesës disamujore të barnave në këtë pavijon në datën 26 dhjetor të 2012-s përfaqësues të firmave farmaceutike në vendin tonë dhuruan një sasi medikamentesh për pacientët që janë në gjendje të rëndë shëndetësore tek onkologjiku.
Konkretisht në pjesën e dhurimeve përfshihen 120 flakonë herceptinë 150 miligramësh. Ky ilaç, i cili bëhet në formën kimioterapisë, ndihmon për të luftuar sëmundjet kancerogjene. Sipas mjekëve një pacient i cili nuk ka probleme me zemrën, por që vuan nga sëmundje tumorale, mund të kryejë këtë lloj kimioterapie një herë në tri javë për një periudhë njëvjeçare. Çka bën që kostoja e blerjes në rrugë private të jetë e papërballueshme për pjesën dërrmuese të pacientëve.
Një tjetër medikament i dhuruar janë edhe 40 flakonë “mabthera 500 miligramëshe”. Pjesë e dhurimeve është edhe “exeloda 500 mg”, për të cilën janë dhuruar 108 kuti, si dhe 6 flakonë “Avastin” 400 miligramësh. Avastini i kombinuar edhe me kemioterapinë ndihmon në bllokimin e enëve të gjakut që ushqejnë tumoret me oksigjen, duke bërë që qelizat kancerogjene të vdesin.
Por kanë kaluar rreth tre javë që nga dhurimi i këtyre barnave dbe pacientëve që janë trajtuar gjatë kësaj kohe (dhe çdo ditë e jetës së të cilëve është një sfidë më vete) nuk u është siguruar në asnjë rast dhënia e këtyre barnave jetike për ta.
Justifikimi i QSUT-së
Të vënë përballë këtij skandali, drejtoria e QSUT-së e pyetur nga gazeta “Dita” deklaron se “shpërndarja e tyre do të nisë”. Sipas drejtorisë, gjithë kjo kohë që nga momenti i dhurimit është përdorur nga farmacia e spitalit për të bërë verifikimet përkatëse në lidhje me skadencën e barnave, afatet e përdorimit etj. “Për shkak të procedurave burokratike këto barna nuk janë ndarë në kohë. Farmacia e spitalit ka ndjekur të njëjtat procedura sikundër ndodh me blerjen e barnave, ku para përdorimit verifikohet data e skadencës dhe elemente të tjera”, thuhet zyrtarisht nga QSUT, e cila nuk e ka quajtur aspak të ngutshme shpërndarjen e barnave për pacientët me sëmundje kancerogjene.
Nuk është hera e parë që kjo situatë përfshin shërbimet e kësaj qendre spitalore, ku në çdo rast mungesat e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore janë të pafundme. Mungesa për të cilat sipas drejtorisë përgjegjëse është procedura burokratike e kryerjes së tenderave. Por edhe në rastet kur tenderat kryhen, farmacitë e spitalit boshatisen në më pak se një muaj, duke i detyruar pacientët që gjatë gjithë muajve të tjerë të vitit t’u drejtohen farmacive private.
Barnat e dhuruara
120 flakon herceptinë 150 miligramëshe
40 flakon mabthera 500 miligramëshe
108 kuti exeloda 500 miligramëshe
6 flakon Avastin 400 miligramëshe