Skema e mashtrimit me barnat e rimbursueshme, zbardhet dëmi

Saimir Lleshi

Prokuroria ka zbuluar të tjera detaje në lidhje me skandalin e rimbursimit të barnave dhe falsifikimit të dokumenteve shëndetësore.

Plot 13 persona janë arrestuar pak ditë më parë për receta fiktive me anë të të cilave merrnin para nga fondi i rimbursimit.

Deri më tani, dëmi i shkaktuar ndaj shtetit është 500 mijë euro. Në krye të skemës qëndron kompania farmaceutike “Omega Farma”, e cila ka përfituar shumicën e parave.

13 personat e arrestuar janë shtetasit: Nadir Çausholli, Fisnik Kollcaku, Valbona Kraja, Arjola Pipera, Ela Malaj, Mariela Përnoci, Arbi Teqja, Arbër Thereska, Erind Hajdari, Ornela Plepi, Violeta Bejko, E. P, Tasim Toçi.

“Nga hetimi ka rezultuar se disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive; nga këqyrja e hyrjeve të këtyre farmacive vihet re se një pjesë e madhe e furnizimeve ose të gjitha furnizimet janë bërë nga ‘Omega Pharma Group”, thekson prokuroria.

Prokuroria ka zbuluar se faturat tatimore janë paguar me para kesh në dorë, ndërsa emri i subjektit nga i cili është marrë malli mbetet i paidentifikuar.

Kompania farmaceutike në skemën e mashtrimit ka futur barna të shtrenjta, siç është insulina, pompat dhe medikamenti ketosteril.

“Ekziston dyshimi se depoja ‘Omega Pharma Group’ ka krijuar fatura tatimore fiktive sikur ka bërë hyrje mallrash të ndryshme me qëllim justifikimin e faturave të shitjes, të cilat në sasi dhe vlerë janë më të mëdha sesa blerjet. Ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitjeje fiktive pa pasur blerje, ndërsa më pas farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar para Fondit të Rimbursim për këto receta”, shprehet prokuroria.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *