Pranvera Kola
Vijojnë përllogaritjet për shtesat suplementare për punët e kryera në miniera, industrinë e naftës dhe gazit, si dhe në metalurgji. Ekspertët e sigurimeve shoqërore kanë detajuar tashmë listën e re të përfituesve që i shtohen skemës së pagesave suplementare nga zbatimi i ligjit Nr. 29/2019 për punët e kryera në këto profesione.
Pas vlerësimit të kritereve përfituese, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme listën e radhës me 114 përfituesit që do të trajtohen nga ligji përkatës “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën e plotë të përfituesve të rinj që kanë gati pagesat suplementare për çdo qark, ku për secilin prej tyre konfirmohet edhe qendra se ku duhet të paraqiten për të marrë pagesat që ju takojnë. Shtesat për këta përfitues janë përllogaritur ndërmjet datave 11 gusht-7 shtator. Ndërkohë që puna për llogaritjen e përfitimeve të tjera do të vijojë edhe përgjatë ditëve në vijim, pasi janë ende mijëra kërkesa në pritje të verifikimit të kushteve për të përfituar nga zbatimi i këtij ligji.
Përfitimi, sipas përcaktimeve në ligjin Nr. 29/2019, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e ka paraqitur atë më herët pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij, ose pranë sporteleve të shërbimit në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rregulloreve të ISSH-së.
Pension për shkak të profesionit kanë të drejtë që ta përfitojnë ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë; trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij. Të drejtën e marrjes së këtij lloj përfitimi e gëzojnë edhe të gjithë ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”. Po ashtu kanë të drejtë që të marrin pension për shkak të profesionit edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 2, “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kategoria tjetër që trajtohet me pensione të kësaj kategorie janë edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr. 1, të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.
Ndërsa shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe mbi pensionin e invaliditetit, mund të përfitojnë: ish-punonjësit, sipas përcaktimeve në ligjin për trajtimet suplementare, të cilët kanë përfituar pension pleqërie ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Shtesën mbi pension e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj; Gjithashtu shtesën mbi pension e përfitojnë edhe personat që marrin pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, kur data e lindjes së të drejtës për pension është deri më 31.12.2014.
Përllogaritje\ 3 llojet e përfitimeve nga zbatimi i ligjit Nr. 29/2019:
- Pension për shkak të profesionit(llojit të punës).
- Shtesë mbi pensionin e pleqërisë.
- Shtesë mbi pensionin e invaliditetit.
