Krahas zgjerimit të shërbimeve për përkujdesin mjekësor edhe në nivel bashkiak, për fëmijët autikë do të rishikohet edhe skema e ndarjes së pagesa financiare, e cila tashmë do të jetë e diferencuar.
Lajmi është konfirmuar dje në “Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin” nga vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli, teksa ka vizituar Qendrën e Zhvillimit “Pëllumbat”, ku trajtohen fëmijë me aftësi të kufizuar.
Sipas ministres, fëmijët me çrregullime të spektrit autik do të kenë pagesa të diferencuara të pagesës së kempit, në bazë të shkallës së dëmtimit mjekësor. Reforma e nisur për vlerësimin e personave me aftësi të kufizuar, ku përfshihen edhe fëmijët autikë, vlerëson jo vetëm nevojat mjekësore, por edhe kontekstin social të individit.
Do të ketë përshkallëzim të masës së përfitimit, në varësi të nivelit të dëmtimit mjekësor, si dhe diferencim në masën e përfitimit për fëmijët dhe të rriturit.
“Kjo reformë orientohet drejt shërbimeve konkrete dhe jo thjesht drejt përfitimit të pagesës në cash (KMCAP). Reforma që kemi ndërmarrë për vlerësimin bio-psiko-social të personave me aftësi të kufizuar, ku përfshihen edhe fëmijët me çrregullime të spektrit autik, e cila ka nisur të pilotohet në Tiranë, do të na japë mundësi për të mbështetur më shumë në pagesa ato kategori të cilat janë në gjendje më të rëndë, duke bërë një diferencim me ato kategori që janë me problematika më të lehta dhe që mund të trajtohen përveç ndihmës në cash edhe me shërbime sociale”, vuri në dukje ministrja Manastirliu.
Lehtësimi i procedurave
Tashmë, zbatimi i reformës është shoqëruar edhe me lehtësimin e procedurave për përfitimin e pagesës së aftësisë së kufizuar, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në eliminimin e burokracive, jo vetëm për pagesat e fëmijëve, por edhe të kujdestarëve.
“Personi me aftësi të kufizuar nuk paraqitet më në komision, pasi vlerësohet vetëm dokumentacioni që përmban dosja e tij. Për personat me autizëm nuk ka më rikomisionim të përvitshëm dhe kjo është një lehtësi e madhe për qindra prindër që çdo vit bashkë me fëmijët e tyre, që edhe ata duhet të paraqiteshin në komisione, kalonin një kalvar të vërtetë mundimesh”, shtoi më tej ministrja Manastirliu.
Zgjerimi i shërbimeve në nivelet bashkiake
Një tjetër risi në përkujdesin që do të ofrohet për këta fëmijë do jetë edhe zgjerimi i shërbimeve në territ nëpërmjet Fondit Social, i cili do ë vihet në dispozicion të çdo bashkie në vend.
“Për të gjitha ato bashki ku këto shërbime mungojnë, apo janë të pamjaftueshme, me Fondin Social të miratuar së fundmi, do të mbështeten Bashkitë të ngrenë shërbime të reja apo të zgjerojmë gamën e shërbimeve që ofrojnë, përfshirë këtu edhe ofrimin e shërbimeve rehabilituese dhe integruese për fëmijë me çrregullime të spektrit autik dhe aftësi të kufizuar”, tha ministrja Manastirliu.
Aktualisht fëmijët me çrregullime të spektrit autik trajtohen në 6 qendrat rezidenciale dhe 2 qendrat ditore publike në Shqipëri. Nga të dhënat në rang kombëtar, gjatë viteve të fundit vihet re një rritje e numrit të fëmijëve që trajtohen pranë qendrave komunitare të shëndetit mendor (rreth 942 fëmijë trajtohen në këto qendra në Tiranë). Pjesa më e madhe vijnë me rekomandim të konsultorit të lagjes, një tregues ky që flet për rritjen e ndërgjegjësimit për çrregullimet e spektrit autik.
Shenjat e hershme dalluese
Diagnoza e autizmit bazohet në sjelljet e fëmijës. Aktualisht, nuk ka ndonjë test mjekësor që do të ndihmonte në diagnostikimin e autizmit. Profesionistët konstatojnë se fëmija ka autizëm apo diagnoza të lidhura me të, problemet vlerësohen në tri hapësira: ndërveprimi social, komunikimi, sjelljet/interesat jo të zakonshme. Disa nga shenjat e hershme që duhet t’ju tërheqin vëmendjen janë: problemet me gjumin, dëshira që fëmija shfaq për të luajtur vetëm, hiperaktiviteti, problemet me zhvillimin e gjuhës dhe të komunikimit, si dhe refuzimi i përkëdheljeve. Përgjithësisht, fëmijët diagnostikohen me autizëm, pas moshës 4 vjeçare, megjithëse autizmi mund të diagnostikohet rreth moshës dy vjeç.
Specialistët që duhet të kujdesen për fëmijët autikë
Kjo varet nga modelet dhe nevojat unike të çdo fëmije. Disa specialistë që janë shpesh shumë ndihmues në punën me fëmijët autikë janë specialistë të të folurit-gjuhës, terapistë të lëvizjes, fizioterapistë dhe terapistët e sjelljes. Ndoshta një fëmijë autik nuk ka nevojë për gjithë këta specialistë në të njëjtën kohë. Gjithsesi, një prind që ka një fëmijë me probleme të tilla duhet të ketë informacion për këta specialistë.
Specialisti i të folurit-gjuhës
Prania e këtij specialisti është e nevojshme pasi është i trajnuar në vlerësimin, trajtimin dhe parandalimin e problemeve të komunikimit. Ai vlerëson dhe trajton vështirësitë në të kuptuarin dhe shprehjen e gjuhës, si dhe problemet me të folurin (artikulimi dhe rrjedhshmëria). Duke qenë se komunikimi me gjeste dhe fjalë është i vështirë për fëmijët me autizëm, këta specialistë luajnë shpesh një rol themelor në skuadrën ndërhyrëse. Ka raste kur këta specialistë kanë njohuri edhe në trajtimin e çrregullimeve të të ngrënit, gjë që i ndihmon të kuptojnë qëndrimet e disa fëmijëve autikë që hanë një numër të kufizuar ushqimesh, apo kanë vështirësi të tolerojnë disa shije apo përbërje ushqimore.
Terapistët e lëvizjes
Terapistët e lëvizjes fokusohen në dhënien e ndihmës për të zhvilluar aftësitë motorike fine (lëvizjet përfshirë muskujt e vegjël të krahëve, duarve dhe fytyrës), procesimin e informacionit nga shqisat dhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme të tilla si të ngrënët, të veshurit etj. Për fëmijët me autizëm, këta terapistë ndihmojnë shumë për të zhvilluar aftësitë për lojë, të mësuarin e aftësive të vetëkujdesit, si dhe në përballjen me diferencat në përjetimin e ndjesive të ndryshme.
Ndihma e fizioterapistëve
Fizioterapistët janë të trajnuar për trajtimin e problemeve me lëvizjen dhe qëndrimin. Ndryshe nga të parët, këta fokusohen në zhvillimin e aftësive motorike të mëdha (lëvizje që përfshijnë muskujt e mëdhenj të duarve e këmbëve). Këta fizioterapistë mund të ndihmojnë fëmijët me autizëm që kanë vështirësi në koordinim, balancë apo planifikim të lëvizjes kundrejt ambientit, si dhe pjesëmarrjen në lojëra dhe aktivitete rikrijuese.
Terapistët e sjelljes
Terapistët e sjelljes ndryshojnë në backroundin e tyre të formimit. Përgjithësisht terapistët e sjelljes aplikojnë Analizën e Sjelljes së Aplikuar (ABA), e cila është një qasje e organizuar e ndryshimit të sjelljes ku nxiten sjellje pozitive, mësohen aftësi të reja duke shpërblyer aftësitë që terapisti kërkon të zhvillojë. Qëllimet e kësaj terapie janë rritja e sjelljeve pozitive, të mësuarit e aftësive të reja, rënia e sjelljeve të padëshiruara, si dhe ndihma për fëmijët që t’i përdorin këto aftësi të reja në shtëpi, shkollë, apo në situata ku ata luajnë apo ndërveprojnë me të tjerë.
p.k/dita

Dua te di
1.ne se puna e harxhuar per nje femije autik ka rezultuar e sukseseshme ne trasformimin e tij ne nje femije me parametra normal.
2. a ja vlen qe njerezit normal te paguajne per nje njeri i cili nuk ka per ta kthyer kure kete investim.
3. cila eshte leverdia ekonomike e kesaj ndermarjeje.
4. Nuk do te ishte me mire qe keto shpenzime te kalonin ne prinderit me femije normal por ne kushte ekonomike te veshtira