Skema e re e pensioneve shpërblen ata që deklarojnë pagat reale

anazapta

Përfitimet që do të rrjedhin nga skema e re e pensioneve, zbatimi i të cilës nis nga janari i 2015-s, shkojnë në favor të personave që deklarojnë pagën reale. Është kjo një ndër risitë, që përmban reforma e pensioneve, ku në varësi të masës së kontributeve do të vendoset edhe përfitimi maksimal i pensioneve. Kreu i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, pasi vizitoi ambientet e një kompanie fasoni të sapohapur në Bilisht të Korçës, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, vuri edhe njëherë në dukje rëndësinë që ka për reformën e pensioneve deklarimi i plotë i pagës nga bizneset dhe pagesat e kontributeve shoqërore. Ministri Veliaj, nënvizoi se skema e re e pensioneve që do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2015, shpërblen vetëm ato kompani dhe individë që deklarojnë pagat reale, çka do të thotë se këto kategori do të mund të gëzojnë edhe të drejtën e marrjes së pensioneve më të larta. “Është e rëndësishme që bizneset të deklarojnë pagën reale të punonjësve dhe individët të paguajnë të plota kontributet shoqërore, sepse vetëm kështu mund të kemi një skemë të shëndoshë pensionesh. Skema e re do t’i gjejë më të përgatitura këto kompani sepse kjo reformë shpërblen kompanitë dhe individët që deklarojnë pagat reale”, ka deklaruar ministri Veliaj. Sipas tij, vlerësimi i fundit i Standard & Poor’s e bën Shqipërinë më të besueshme tek investitorët. Më tej, ministri Veliaj është ndalur edhe në ndihmën që do të ofrohet për fasonët, për të cilët shumë shpejt do të bëhet publike një pakete specifike, e cila do të ndahet në formë grantesh, në mënyrë që më pas të mund të përdoret për shlyerjen e sigurimeve të punonjësve. Veliaj, vuri në dukje se aktualisht qeveria po përgatitet të kalojë shumë shpejt paketën fasone. “Kjo paketë nënkupton se tatimi i fitimit prej 3.5 milion dollarësh, që merret nga kompanitë fasone, do t’u rikthehet sërish atyre në formë grantesh, nëpërmjet fondit të punësimit, me të cilat mund të paguajë sigurimet shoqërore”, u shpreh Veliaj. Ndërkohë që vijuar të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit me zyrat e punës, për të mundësuar hapjen e vendeve të reja të punës. Për këtë ai u bëri thirrje investitorëve që të vazhdojnë të përdorin zyrat e punës për të rekrutuar stafet e tyre, sipas profesioneve specifike që ofrojnë. “Jemi duke siguruar paga më të larta, duke nxitur biznesin, jemi duke shëndoshur sigurimet shoqërore dhe po përkrahim ata investitorë që janë larg vëmendjes së ekonomisë në zonën Tiranë-Durrës, të cilët krijojnë më shumë punësim. Kjo është mënyra e vetme se si të largojmë njerëzit nga ndihma ekonomike”, përfundoi ministri Veliaj. Ndërsa kreu i Kuvendit Ilir Meta , pasi u njoh me kushtet e punës dhe me projektet e zhvillimit të këtij biznesi me impakt për të gjithë zonën përreth, theksoi se biznesi fason shihet si aktiviteti kryesor punëdhënës sot në Shqipëri, e si i tillë do të marrë përkrahjen nga qeveria. “Vijmë këtu për të inauguruar këtë ndërtim të ri, të standardeve më të larta evropiane, këto kushte të reja, të jashtëzakonshme, mjaft cilësore. Njëkohësisht, vijmë këtu për të inkurajuar këtë investim të shkëlqyer, shqiptar dhe grek njëkohësisht, për të shtuar vende të reja pune. Sikurse kemi biseduar dhe informuar, po punohet për të zgjeruar më tej këtë aktivitet dhe për të shtuar dhe 250 vende të reja puna, gjë që është një kontribut i jashtëzakonshëm për komunitetin e Devollit dhe të Korçës që e do aq shumë punën”, deklaroi Meta. 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *