Dy ish-inspektorë të transportit rrugor, u shpallën fajtorë nga gjykata për akuzën e korrupsionit dhe jane denuar me nga 16 muaj burg secili
Ata u kërkonin ryshfet shoferëve të kamionëve. Sipas vendimit të gjykatës që disponon gazeta “Shqip”, rezultoi se në datë 1 prill 2015, rreth orës 17:00 në Morin është paraqitur Mentor A. Ai është i punësuar si shofer pranë një kompanie me qendër në Ferizaj, Kosovë, dhe drejtonte një automjet kamion trajler, me të cilin transportonte materiale të ndryshme si hekur, skrap etj.
Më datë 1 prill 2015, rreth orës 10:00, është nisur me kamionin e tij, të ngarkuar me hekur nga Elbasani dhe ka lëvizur nga rruga e Durrësit për në Kosovë.
Rreth orës 12:30, ka qenë në Vorë, kur te bashkimi i rrugës së vjetër me autostradën i kanë bërë shenjë me tabelë ndalese tre punonjës tatimorë.
Ai i është bindur urdhrit dhe ka ndaluar në anë të rrugës. Aty i janë afruar punonjësit, të cilët nuk i janë prezantuar, por i kanë kërkuar dokumentet e mallit.
Gjykata thotë se, pavarësisht se kallëzuesi ua ka dorëzuar dokumentet e kërkuara, punonjësit i kanë thënë se do t’i vendosnin një gjobë prej 500 eurosh. Kallëzuesi i ka kërkuar arsyen e vendosjes së kësaj gjobe, por një nga punonjësit i thotë që të shkonte dhe të linte 100 euro në bagazhin e makinës së tyre që ishte parkuar 10 metra më larg dhe nuk do ia vendosnin gjobën.
Kallëzuesi u ka thënë se nuk kishte 100 euro për t’u dhënë, por ata kanë këmbëngulur, duke i thënë që t’u japë të paktën 50 euro. Më pas ka shkuar te kabina e kamionit, ka marrë portofolin, e ka hapur dhe ua ka treguar punonjësve, duke u thënë se nuk mundej, pasi me vete kishte vetëm 45 euro. Njëri nga punonjësit ka zgjatur dorën dhe ia ka marrë 45 eurot që kishte në portofol.
Kallëzuesi u ka kërkuar që t’i lëshojnë ndonjë shënim, që të justifikohej te pronari për pagesën. Kanë rënë dakord dhe njëri nga punonjësit i ka dhënë një copë letër, në të cilën ka shkruar vetë emrin e mbiemrin e kallëzuesit dhe shumën 45 euro e dhënë si për certifikatë.
Kjo fletë është nënshkruar nga vetë punonjësi. Në vendim thuhet se pas kësaj, kallëzuesi ka bërë dy herë përpjekje për të lajmëruar policinë, por nuk ka qenë e mundur të lidhej. Në këto momente, te kamioni është afruar njëri nga punonjësit e shfrytëzimit rrugor, i cili i ka folur ashpër, duke i thënë se “a donte t’ia kthente eurot e t’i vinte gjobën jo 500, por 1000 euro?”.
Kallëzuesi është larguar dhe gjatë rrugës ka telefonuar numrin 129 për të njoftuar policinë. Kur ka qenë në zonën e Rrëshenit, nga policia i është thënë që të njoftojë kur të mbërrijë në Pikën e Kufirit Morin. Kur ka shkuar në Morin, ai është paraqitur te stacioni i policisë, duke kallëzuar për çfarë i ka ndodhur.
Atij i është sekuestruar edhe fleta që plotësoi dhe nënshkroi një nga punonjësit, në të cilën shkruhet “Mentor Alia pagoi 45 euro. Për certifikata AA256BO 01.04.2015 ora 12:30”. E në fund edhe nënshkrimi i tij.
Prokuroria pyeti tre inspektorët, të cilët thanë se nuk e njihnin kallëzuesin. Për letrën thanë se nuk e kanë nënshkruar ata. Hetuesit kanë bërë kryerjen e ekspertimit teknik grafik të shënimit të kryer.
Në konkluzion të aktit të ekspertimit grafik, është përcaktuar se shkrimet në letrën objekt ekspertimi janë të njërit prej punonjësve, të pandehurit Leonard Dedej.

Këta sojsëzësh duhet të kalben në burg.
O Edi,po perse te kalben ne burg keto tatimore per pese lek,qe Ilir Meta dhe Sali Berisha,apo Lulzime basha dhe Edi Rama me shoke e shoqe te lejonen te kakarisin si gjeli siper plehut te tyre ne qevri,apo opozite, megjithse jane akuzuar me ze,figure e deshmi te gjalla per korrupsione qe kapin vlerat e miljona eurove te cvatura nga taksapaguesit shqiptare me fuqine e pushteteve,apo……?
Jo kaqe duf ndaj ketyre tre mijve produkt i politikave sa korruptive aqe dhe kriminale te dites,kur ujqerit,cakejte dhe krododilet vazhdojne te bejne kerdine ne krye te tre pushteteve e medjan vizive e te shkruar,apo biznes.