Pranvera Kola
Janë me mijëra maturantët që do të vijojnë konkurimin për të siguruar një të drejtë studimi në degët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës për pranimet e vitit të ri akademik 2021-2022.
Krahas rezultateve të shkollës së mesme, kriter pranimi për studimet në degët e këtij fakulteti është edhe testi i pranimit që do të zhvillohet në datën 26 gusht për të gjithë kandidatët që garojnë në këto degë. Sipas kushtit të përcaktuar në testin e pranimit do të lejohen të hyjnë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë kryer në kohë procedurat e regjistrimit për konkursin e pranimit. Sa i takon ndikimit që do të ketë secili kriter në përzgjedhjen finale të fituesve sipas kuotave të miratuara për çdo degë, autoritetet sqarojnë se kriteri i vlerësimit të shkollës së mesme përbën 60 për qind të ndikimit në rezultatin final, ndërsa testi i pranimit 40 për qind.
Autoritetet e këtij fakulteti sqarojnë se testi synon vlerësimin e njohurive në degët specifike të studimit, i përbërë nga katër komponentë që janë vlerësimi i arsyetimit logjik, vlerësimi i kulturës së përgjithshme, vlerësimi i historisë së arkitekturës, si dhe vlerësimi nëpërmjet testit të vizatimit dhe prezantimit. Secili prej këtyre komponentëve përbën 25 për qind të pikëve të rezultatit final që maturanti duhet të grumbullojë gjatë plotësimit të testit. Për të orientuar maturantët dhe kandidatët e tjerë rreth përmbajtjes së testit, autoritetet e Fakultetit të Arkitekturës kanë zbardhur edhe një model testi, të cilin e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Testi do të zhvillohet në datën 26 gusht, ku maturantët do të kenë 2 orë kohë në dispozicion për të plotësuar të gjitha pyetjet. Ky test do të përmbajë 60 pyetje dhe përgjigjet e pyetjeve do të jenë me përzgjedhjen e alternativës së saktë, çka do të mundësojë edhe korrigjimin elektronik të testit. Lidhur me skemën e vlerësimit të testit, sqarohet se për çdo përgjigje të saktë në secilën pjesë të testit do të siguroni 3 pikë. Në rastet kur keni plotësuar një përgjigje të gabuar do të humbisni një pikë, vlerësim të cilin po ashtu do ta merrni edhe në rastet kur do të përzgjidhni më shumë se një alternativë për një pyetje të caktuar. Ju nuk do të humbisni asnjë pikë nëse pyetjen e lini pa përgjigje, për të cilën vlerësimi do të jetë me zero pikë.
Pyetjet e komponentit të arsyetimit logjik do të merren me raste ose probleme, të cilat do të bazohen në tekste të eseve me një natyrë shkencore, apo me një natyrë abstrakte, zgjidhja e së cilës kërkon adoptimin e formave të ndryshme të arsyetimit logjik.
Për pjesën e kulturës së përgjithshme, pyetjet do të bazohen në tekste të eseve shkencore ose treguese nga autorë klasikë ose bashkëkohorë, ose në tekstet aktuale të botuara në gazeta ose në revista të përgjithshme, apo të specializuara. Fushat të cilat kontrollohen, lidhen ngushtë si me aktualitetin politik, social e kulturor, por edhe me koncepte e fenomene të së shkuarës.
Ndërsa pyetjet rreth historisë kanë për qëllim përcaktimin e kritereve të përgjithshme në përputhje me orientimin kronologjik në lidhje me protagonistët dhe fenomenet me rëndësi historike (të epokës së lashtë, të Mesjetës së lartë dhe të ulët, të epokës moderne, të epokës bashkëkohore).
Pyetjet rreth vizatimit dhe prezantimit synojnë të konstatojë aftësinë për të komunikuar grafikisht, për të analizuar grafikët, vizatimet dhe kushtet e korrespondencës në lidhje me objektin e përfaqësuar nga zotërimi i nocioneve elementare, që lidhen me komunikimin grafik dhe prezantimin (objektet, bimët, lartësitë, aksonometritë, etj). Për të kryer këtë test, duhet të keni mjetet e vizatimit teknik. Pyetjet do të bazohen në tekstin shkollor të teknologjisë.
Për vitin akademik 2021-2022 në këtë institucion të arsimit të lartë publik do të mund të vijojnë për herë të parë studimet e larta 205 kandidatë, 30 prej të cilëve në ciklin “Bachelor” në degën Arkitekturë Interieri dhe Dizajn, 90 në programin e integruar të Arkitekturës, 50 në programin e integruar në profilin e Urbanistit, si dhe 35 në Restaurim Monumentesh Kulturore.




