Për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, gara për specializimet afatgjata në mjekësi për kuotat e 2020-s do të vijojë vetëm me një fazë (testimin e informatizuar), ndërkohë që intervistat me gojë nuk dot të zhvillohen.
Në vendimin e marrë së fundmi nga Universiteti i Mjekësisë, saktësohet se qindra kandidatët e kualifikuar për vijimin e procedurave të konkurimit, do t’i nënshtrohen vetëm testimit të informatizuar në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit. Por, ky testim do mund të zhvillohet vetëm pas datës 23 qershor, kur të ketë përfunduar edhe gjendja e fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga Covid-19.
Autoritetet e Universitetit të Mjekësisë bëjnë me dije se testimet do të realizohen në grupe të vogla, sipas planit që do të shpallë QSHA, duke respektuar njëkohësisht të gjitha rregullat sa i takon kujdesit të higjienës, si dhe distancës fizike. Ditën e zhvillimit të provimit, kandidatët duhet të kenë me vete dokumentacionin në vijim: “Dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë), një fotokopje të saj, si dhe mandat pagesën e hyrjes në testim.
Gjithashtu është përcaktuar edhe skema e re se si do të vlerësohen me pikë garuesit per kuotat e miratuara të pranimeve të reja në programet e specializimit afatgjatë në mjekësi. Sipas skemës së përcaktuar saktësohet se vlerësimi i kandidatëve që kanë aplikuar për kuotat e pranimit për vitin akademike 2019-2020 do të bëhet me një sistem prej 1000 pikësh maksimumi. Këto pikë konvertohen në 30 për qind (300 pikë) që do të vijnë nga nota mesatare e ponderuar e rrumbullakosur me dy shifra pas presjes dhjetore, si dhe 70 për qind (700 pikë) që kandidati do t’i sigurojë në testimin e informatizuar.
Për vitin akademik 2019-2020, Rektorati i këtij universiteti ka vendosur që në programet e specializimit do të pranohen 296 kandidatë në total. Ndërkohë që ndarja e kuotave është e tillë: 113 prej tyre janë kuota të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 18 kuota nga Ministria e Mbrojtjes, 11kuota nga Ministria e Drejtësisë, 1 kuotë nga Ministria e Brendshme, si dhe 153 kuota që janë të lirë. “Kandidatët që kanë grumbulluar jo më pak se 380 pikë nga numri i pikëve totale të konvertuara (maksimumi 1000 pikë, kualifikohen për procesin e përzgjedhjes së programit të specializimit sipas sistemit të meritës)”, thuhet në udhëzimin e zbardhur më herët nga Universiteti i Mjekësisë.
Kështu, shpallja e fituesve do të bëhet nga pikët finale që kandidati ka siguruar nëpërmjet mesatares së studimeve, si dhe testit të informatizuar. Kështu, të drejtën e regjistrimit si fitues e kanë aq persona sa janë edhe kuotat e caktuara në programin e specializimit përkatës, sipas rendit zbritës të pikëve totale.
Zgedhja e specializimit bëhet në mënyrë transparente, nga vetë kandidatët fitues, sipas rendit zbritës të pikëve në listën përfundimtare që do të shpallë Universiteti pas realizimit të provimit.
Programet e studimeve të specializimeve afatgjatë përfshijnë kuota pranimi për specialitetet në Alergologji, Anatomi patologjike, Anestezi-reanimacion, Dermatologji, Endokrinologji, Gastrohepatologji, Hematologji, Diagnozë me imazhe, Kardiokirurgji, Kardiologji, Kirurgji e përgjithshme, Kirurgji maksilo-faciale, Laborator klinik-biokimik, Mikrobiologji, Mjek familjeje, Mjekësi interne, Mjekësi ligjore, Nefrologji, Neurologji, Neurokirurgji, ORL, Obstetrikë-gjinekologji, Okulistikë, Onkologji, Ortopedi-traumatologji, Pediatri, Pedodonti, Pneumonologji, Psikiatri, Psikiatri e fëmijëve dhe e adoleshentëve, Reumatologji, Sëmundje infektive, Shëndet publik, Terapi stomatologjike, Toksikologji klinike, si dhe stomatologji (kirurgji orale, kirurgji maksilo- faciale, protetika fikse, protetika të lëvizshme, protetika kirurgjikale, ortodonci periodontologji).
Tarifa vjetore e shkollimit për studentet që ndjekin programet specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë, do jetë 115,000 lekë. Studentet e shpallur fitues duhet të paguajnë menjëherë 30 për qind të tarifës vjetore të shkollimit, ndërsa pjesa tjetër e pagesës do të arkëtohet me këste të përcaktuara sipas fakulteteve përkatëse ku kandidati është shpallur fitues. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së plotë të studimeve në vitin akademik ku vijojnë studimet.
p.k\Dita
