Këshilli Kombëtar i Punës ka zhvilluar sot mbledhjen e tij të radhës, ku është bërë analiza për formalizimit të vendeve të punës, si dhe janë miratuar në parim projektligji “Për ndërmarrjet sociale” dhe Plani i Veprimit të Dokumentit Politik për Riintegrimin Social.
Që në nisje të kësaj mbledhjeje, kryetari i Këshillit, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, pasi falënderoi përfaqësuesit e biznesit në rolin e punëdhënësve për përkrahjen e politikave që janë ndjekur në drejtim të formalizimit të vendeve të punës, evidentoi faktin se në vetëm dy vite i janë shtuar skemës së pensioneve më shumë se 200 mijë persona, si të punësuar rishtazi apo që më parë punonin në të zezë.
“Në vitin 2014 ishin 400 mijë të punësuar të deklaruar në regjistrat e sigurimeve shoqërore dhe ato të tatimeve, ndërsa në 2016 janë 600 mijë të punësuar të deklaruar. A janë të gjitha vende të reja pune? Natyrisht që s’janë të gjitha vende të reja pune, por janë edhe legalizim i punës së zezë dhe një përpjekje e përbashkët për punësim”, tha ministri Klosi, duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se vetëm në 5 muajt e fundit, falë aksionit kundër informalitetit, skema u rrit me 100 mijë persona.
Gjithashtu, ministri Klosi evidentoi edhe një herë faktin se si nga kontaktet direkte me biznesin, ashtu edhe nga të dhënat e zyrave të Punës rezulton se ka kërkesë të vazhdueshme për punëtorë dhe jo vetëm në ndërmarrjet e masonerisë, por edhe për profesione dhe zanate të vlerësuara.
“Dhe në këtë biznes ku jemi sot, ka shumë nevojë edhe për punëtorë; në këtë biznes ka nevojë për njerëz të kualifikuar, ka nevojë jo vetëm për punëtorë të masonerisë, por ka nevojë edhe për menaxherë shitjesh, marketingu, biokimistë, laborantë etj. Pra kemi një biznes që ka standarde në investim, është në ekspansion jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon për produktin e tij, mirëpo ka vështirësi që të gjejë punëtorë të kualifikuar, ka vështirësi të gjejë edhe njerëz me diploma që ekuivalentohen në tregun e punës”, tha ai.
Më tej ai theksoi se zgjidhja e situatës, përveç shtimit të përpjekjeve të zyrave të Punës për të ndërmjetësuar dhe kontaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë punëdhënësit dhe punëmarrësit, është edhe arsimi profesional.
“Shqipëria ka punë, Shqipëria ka nevojë për profesionistë. Kjo nuk është një bindje e imja personale dhe vetëm nga të dhënat e zyrave të Punës, por është një bindje që vjen nga vetë diskutimi me komunitetin e biznesit. Ne kemi një zgjidhje dhe ajo është arsimi profesional, kualifikimi i punëtorëve në vendin tonë”, tha Klosi.
Kërkesa për punë dhe nevoja për fuqi punëtore të kualifikuar është konfirmuar edhe nga përfaqësuesit e biznesit të përfaqësuar në Këshill, të cilët deklaruan se kërkohet një politikë më e drejtpërdrejtë në favor të nxitjes së të rinjve drejt shkollave dhe qendrave të formimit profesional, në mënyrë që sipërmarrja të gjejë profesionistët e duhur.
Dhe kjo jo vetëm në fushën e industrisë përpunuese apo në ndërtim, por edhe në bujqësi. Kështu, Agim Rapaj, përfaqësues i biznesit që vepron në këtë fushë, duke folur për situatën në sektorin e bujqësisë, evidentoi se aktualisht ka ndërmarrje bujqësore që kanë futur një teknologji të lartë teknike, por për të cilat nuk ka profesionistë për t’i përdorur.
Gjatë këtij takimi u prezantua dhe u miratua në parim projektligji “Për Ndërmarrjet Sociale”, i cili vjen si risi dhe mbështetje për grupet në nevojë dhe synon që skemat pasive t’i kthejë në skema aktive. /Dita/

Ministri Klosi ka bere nje premtim qe pensionistet do ta marrin pensionin ne banke. Por si duket rradhet dhe mundet e pensionisteve do te vazhdojne pasi tani pas fjales se ministrit Jane shtuar proceset qe mbulojne zyrat e postave duke e bere gjithnjë e me te veshtire marrjen e pensionit.Ministri duhet te shikoje lehtesimin e qytetareve dhe jo interesat e ngushta te punesimit per mbledhje votash. Mos venija ne jete e premtimit te marre i ul vlerat e ketij Ministri ose e then shqip hajde te flasim njeher, pune kalamajsh.