Zbardhet e plotë masakra e Belishovës së Mallakastrës, në fund të tetorit të vitit të kaluar, kur u vranë e u dogjën dy bashkëshortët Enver dhe Hazbije Myftaraj. Prokuroria ka përfunduar hetimet ndaj të pandehurit Xhevit Malkaj i akuzuar për vrasjen e dy bashkëfshatarëve të tij dhe disa ditë më parë ia ka përcjellë dosjen për shqyrtim Gjykatës së Fierit.
Gazeta “Shqip” ka siguruar të dhëna mbi dëshminë e të pandehurit 19-vjeçar, që u ngjason skenarëve të filmave horror. Përgjatë tre muajve të kaluar, grupi hetimor i kryesuar nga prokurorja Elsa Miha ka dokumentuar autorësinë e të arrestuarit, duke kryer edhe eksperimente me qëllim zbardhjen e së vërtetës së ngjarjes që tronditi atëherë opinionin publik.
Motivi
Duket se 19-vjeçari Xhevit Malkaj ka qenë gjakftohtë në kryerjen e krimit, pasi ka treguar me detaje të gjithë masakrën, çka është përputhur plotësisht me rindërtimin e dinamikës së ngjarjes. Ai ka shprehur pendim dhe ka treguar versionin e tij për motivin që e ka çuar deri në kryerjen e këtij krimi. Sipas Malkajt, ai së bashku me viktimën Enver Myftaraj kishin rreth një vit që nxirrnin tubo hekuri në impiantet e naftës dhe i shisnin për skrap. Më tej, ai ka sqaruar se kanë vjedhur edhe solar, duke shpuar tubat e puseve të naftës. I pandehuri ka pretenduar se konfliktet mes tij dhe Enverit kishin lindur që herët. Kjo, pasi ishte viktima, ai i cili merrej me shitjen e hekurave dhe naftës dhe sipas 19-vjeçarit Malkaj, ndarja e parave nuk bëhej në mënyrë të drejtë. Për shkak të këtyre konflikteve, Enveri kishte nisur të bashkëpunonte me të tjerë për vjedhjen e skrapit dhe solarit e për këtë arsye, i pandehuri pretendon se ishte nxehur shumë. Ai ka sqaruar se mesditën e 25 tetorit 2012 është grindur me Enverin në lokalin e tij, në prani edhe të bashkëshortes Hazbije Myftaraj. Sherri ka qenë për të njëjtat motive, por në këtë kohë, ai ka marrë fyerje nga viktima. “Më quajti barbon dhe më fyeu me fjalë të tjera të rënda, ndërsa unë i thashë se do ta shikonim në të ardhmen këtë punë”, ka deklaruar i pandehuri. Më pas, 19-vjeçari është larguar për në shtëpinë e tij, ku ka qëndruar gjithë pasditen, duke u ngushëlluar me raki e duke planifikuar vrasjen.
Vrasja
Rreth orës 19:30 të 25 tetorit, i pandehuri është ngjitur në mënyrë të fshehtë në tavanin e shtëpisë, ku ka marrë armën e gjahut të babait, Bajram Malkajt dhe e ka fshehur në dhomën e tij. Rreth orës 20:00 ka vjedhur në shtëpi edhe katër fishekë të çiftes. Me një bidon plastik gjysmë litërsh me raki në një dorë dhe me armën e gjahut në dorën tjetër, ai është nisur drejt lokalit të Enverit, duke konsumuar pijen alkoolike. Gjatë rrugës e ka mbushur çiften me dy fishekë ndërsa të tjerët i ka futur në xhep. Kur ka shkuar tek lokali, ai ka gjetur aty vetëm bashkëshortët Myftaraj. Enveri duket se e ka parandier diçka të pazakontë, pasi e ka pyetur pse kishte marrë me vete çiften. Por, sipas të pandehurit, viktima e ka fyer sërish. Në këto kushte, ai e ka qëlluar me çifte duke e plagosur në shpatull. Më pas, 19-vjeçari është afruar dhe e ka qëlluar drejt e në fytyrë. Në këtë kohë ka ndërhyrë Hazbija, e cila është goditur një herë në kokë e një herë në shpatull me qytën e çiftes. Në këtë kohë, e plagosura është tërhequr pas banakut për t’u shpëtuar goditjeve. Autori ka shtënë një herë me çifte mbi Hazbijen, duke e plagosur rëndë në brinjë. I pandehuri ka mbyllur derën e lokalit nga brenda e ka dalë nga dhoma tjetër. Aty ka vërejtur kasafortën dhe me një fresibël, që e ka gjetur në një kasolle jashtë shtëpisë, ka nisur ta presë metalin. Pasi nuk ka mundur ta hapë kasafortën, ka shkuar sërish në kasolle, ku ka marrë një bidon me raki dhe ka spërkatur viktimat me qëllim që t’i digjte e të humbiste provat. Kur i ka spërkatur me raki, Hazbija është përmendur dhe autori e ka qëlluar me çifte në kokë. Pastaj u ka vënë flakën dy trupave dhe e ka përhapur zjarrin në të gjithë shtëpinë. Para se të largohej nga shtëpia që po digjej në flakë, ka marrë armën e gjahut të viktimës dhe ia ka lënë në dorë me qëllim që të dyshohej sikur Enveri kishte vrarë gruan e më pas veten. Më pas është kthyer në banesën e tij ku ka gjetur të atin në verandë dhe i ka treguar gjithçka kishte ndodhur. (“Shqip”)