Skënder Luarasi më 1978: Mehmet, ruaju se duan të të zhdukin!

redaktor

Mehmet Shehu jo vetëm e ka parandier fundin e tij, por edhe është paralajmëruar drejtpërdrejt nga miqtë e tij më të ngushtë. Një nga miqtë e tij më të ngushtë ka qenë padyshim Skënder Luarasi, i biri i Petro Nini Luarasit. Profesor në shkollën amerikane të Herri Fulcit, Skënder Luarasi e ka pasur student Mehmetin. Duke parë zgjuarsinë, talentin, temperamentin dhe prirjet e studentit të tij, Skënderi qysh në fillim të viteve ‘30 ka lidhur një miqësi të ngushtë me të, që koha e provoi se do të vazhdonte deri në fundin e jetës së tyre. Fakti që të dy, Profesori dhe studenti, shkuan vullnetarisht në Luftën Civile të Spanjës në krah të forcave republikane, është mjaft domethënës. Skënder Luarasi e ka dashur dhe ka shpresuar shumë nga Mehmeti. Pas vrasjes së Mehmetit, në qarqe tepër të ngushta tregohej kjo histori, të cilën unë po e sjell këtu ashtu si e kam dëgjuar për herë të parë:

Profeci, apo këshillë miku?

Çdo përvjetor të lindjes së Mehmetit, ish-bashkëluftëtarët e tij në Luftën Civile të Spanjës i shkonin për ta uruar në shtëpi Kryeministrin. Por me një dallim: ata i shkonin më 11 janar dhe jo më 10, kur ishte dita fikse. Kjo me sa duket ishte një marrëveshje, një pakt i dyanshëm, në mënyrë që ata të ndiheshin sa më të lirshëm në komunikimin midis tyre. Kështu vit pas viti. Në një nga përvjetorët në gjysmën e dytë të viteve ‘70, ndërkohë që ishin pushkatuar gjeneralët dhe disa ministra të Mehmetit, ish-luftëtarët e Spanjës bënë adetin dhe i shkuan Kryeministrit për ta uruar për ditëlindjen. Në bazë të hulumtimeve që kam bërë, më rezulton se ka qenë 11 janari i vitit 1978, pra afro katër vjet para asaj që ndodhi në 17-18 dhjetor 1981. Mehmeti, pasi i priti shokët e tij për ditëlindjen e tij dhe i gostiti sipas zakonit, në ikje doli e i përcolli deri në oborr. Profesorit i kishte futur krahun e bisedonin në intimitet duke ecur. Pikërisht atje në oborr, pasi të tjerët ishin distancuar paksa, Skënder Luarasi kthehet nga Mehmeti dhe i lëshon papritmas një rrufé:

– Mehmet, ruaju, duan të të zhdukin!

Kur i ka thënë këto fjalë, Profesori ka ngritur sytë mbi kokën e Kryeministrit. Ata që e tregonin këtë histori më pas dhe që e tregojnë dhe sot e kësaj dite, këmbëngulin se Skënder Luarasi i ka thënë:

Mehmet, ruaju nga ai që ke mbi kokë…”

Skender Luarasi
Skender Luarasi

Por, edhe pa këto fjalë “parazitare” që i atribuohen Profesorit, nuk ndryshon gjë në këtë histori. Profesori ishte lakonik dhe kur i ka thënë ish-studentit “ruaju, duan të të zhdukin!”, ka thënë gjithçka. Sepse nuk kishte nevojë të shpjegonte se nga kush rrezikohej e kush donte ta zhdukte… Si ai dhe ish-studenti i tij i njihnin tragjeditë e Shekspirit.

Kryeministri i gjendur në befasi nga kjo këshillë, kthehet dhe e sheh në sy, ndoshta për të kapur më mirë thelbin e këshillës. E dinte që Skënder Luarasi ishte një erudit i pashoq, një njohës si ai i tragjedive me mbretër dhe rivalë në lojërat e rafinuara për pushtet, të përshkruara artistikisht nga tragjedianët më të shquar të botës. E dinte që ishte një rebel i pandreqshëm, por edhe një nga dashamirësit e mëdhenj të

tij, e dinte që nuk kishte simpati për Enver Hoxhën, por kjo këshillë dukej se ishte e tepërt dhe shumë e guximshme për t’ia thënë një Kryeministri. U mendua pakëz, uli sytë duke parë majat e këpucëve, pastaj kthehet dhe i thotë qetësisht Profesorit duke e parë sy:

– Profesor, unë që dita të vij deri këtu, do të di ta çoj deri në fund…

Mos ki merak!…

Kjo ka qenë e gjithë biseda. Paralajmërimi ishte dhënë dhe mesazhi ishte marrë.

Interpretimi i Prof. Alfred Uçit:

– Po, kjo histori është e vërtetë. Skënderi e ka paralajmëruar Mehmetin, veçse mendoj se kjo ngjarje ka nevojë për ndonjë saktësim, – më thotë Prof. Alfred Uçi, nipi i Skënder Luarasit. Më tej ai shton: – Ma ka thënë vetë Skënderi qysh atë ditë që ai ka bërë këtë bisedë me Kryeministrin. Ka qenë viti ’78 apo ’79, pak rëndësi ka.

Prof. Uçi, njohësi i shkëlqyer i tragjedive antike greke dhe të Shekspirit, i cili në një sërë librash me vlera të padiskutueshme, është i vetmi që na ka dhënë në dorë çelësin e deshifrimit të tragjedive të mëdha botërore, e tregon në një mënyrë më origjinale këtë fakt, ashtu siç e ka fiksuar nga tregimi i dajës së tij. Me këtë rast ai ka bërë një interpretim filozofik për fundin e Mehmet Shehut në librin “Shekspiri në botën shqiptare”, botuar në Tiranë në vitin 1996.

Por edhe ky fakt i publikuar dhe analizuar nga Profesor Uçi rreth 20 vjet të shkuara, ka kaluar thuajse pa u vënë re në morinë e analizave filozofike, historike dhe estetike që ai bën për tragjeditë antike dhe ato më të vonshme. Sipas Prof. Uçit, ajo që ndodhi në Shqipëri në fundin e shekullit XX ishte thjesht një tragjedi shekspiriane në kohë moderne. Në vijim, po e sjell të plotë këtë fragment:

“Veprat e plota anglisht të Shekspirit Përkthyesit ia pat dhuruar në një rast Kryeministri, dikur ish-nxënës e bashkëluftëtar, që ecte prej kohësh në një rrugë tjetër nga udha e mësuesit. Me sa duket, dhuruesit nuk i hynte më në punë Shekspiri, kurse Përkthyesit i hapte sytë të shikonte edhe zhvillimin e dramës shekspiriane midis diktatorit të pamëshirshëm dhe Kryeministrit të tij. Edhe kjo dramë ishte pushtuar nga “dialektika tragjike” e historisë. Kryeministri që i kish ngjitur shkallët e Pushtetit sipas rregullave të përgjithshme të tragjedive shekspiriane, po bënte një gabim, të përsëritur shumë herë në histori: ai besonte se kish arritur në një pikë, kur Pushteti i duhej për ta gënjyer historinë, për ta mashtruar, për ta futur atë, më në fund, në një rrugë, ku nuk do të kishte më nevojë për gjakderdhje. Kjo ishte një grackë për të.

“Ruaju, se duan të të zhdukin!” – i lëshoi njëherë brengën që e mundonte Përkthyesi. Ai iu përgjigj: “Mos ki merak, di të ruhem vetë!” dhe si me të qeshur, shtoi: “Jam mjeshtër në këto punë!?.

Përkthyesi pyeste vazhdimisht veten: “Për cilat punë? Për cilat punë je mjeshtër?”. Përkthyesi e dinte se historisë nuk i pëlqen ta heqësh për hunde, ajo parapëlqen të bëjë të sajën. Krijuesit e historisë ajo i shndërron në viktima.

Numëronte Përkthyesi emrat e shumë heronjve të Luftës Nacionalçlirimtare, ish-nxënës të tij, e të shumë gjeneralëve fitimtarë, që kishin përfunduar në viktima tragjike. Përkthyesi vinte re se dhe mjaft nga ata që tregonin zell të tepëruar për t’i shërbyer Diktatorit, përfundonin, gjithashtu, në viktima të metodave të tyre.

(Me këtë rast prof. Uçi citon Balinbrokun nga tragjedia “Rikardi II”. Balinbroku e përbuz vrasësin e kundërshtarëve të tij dhe thotë: “Kush ka nevojë për helm, nuk e do helmin. Në m’u desh vdekja e tij (e armikut), e urrej vrasësin, dua të vrarin”).

Ky fat e priste edhe Kryeministrin në atë kohë, kur besonte se lufta për pushtet ish qetësuar. Rivalin kryesor e kishte rrëmbyer vdekja natyrore, pa gjak; Diktatori po drobitej, dvarej i plakur e i sëmurë pa shpëtim; dukej se edhe ky po bëhej gati të largohej nga kjo botë pa gjak. E atëhere udha drejt Fronit e hapur, nuk do të kërkonte viktima të tjera. Në këtë mënyrë Kryeministri shpresonte se ia kish hedhur, e kish mashtruar historinë. Por, ndërkohë, historia kish vendosur Magjistricat e “Makbethit” në Tiranë, në vilën e porsandërtuar, ku përgatiteshin dasma trashëgimtarësh. Ajo vilë ishte kthyer në skenë, ku po luhej një tragjedi e re shekspiriane. Historia edhe kësaj here i respektoi ligjet e saj. Magjistricat, si erinitë e antikitetit, arritën t’ia turbullojnë edhe njëherë shpirtin Diktatorit të merakosur për trashëgimin e pushtetit. “Kujt do t’i binte dardha në dorë?”-pyeste. Ai dëshironte ta kish për vete, edhe kur shpirti do t’i dergjej në skëterrë. Dhe një natë të zezë makbethiane, i çmendur si Mbreti Lir nëpër shkretëtirë, në një gjendje deliri të llahtarshëm, i dërgoi lajmin: “Ma dorëzo kokën!”. Dhe Kryeministri-Mjeshtër, që lozte me historinë, u shtri në krevat dhe ia ktheu vetes. Historia e mposhti, e mbyti në gjak. Me sa duket, lufta për pushtet e kish lodhur, rraskapitur shpirtin e tij, ndonëse jo aq sa të paraqitej vetë para skuadrës së pushkatimit.

Historia jonë kombëtare eci më tej me zakonet e saj, gjithsesi për të qeshur e për të qarë, sipas formulës së Shekspirit”. (Alfred Uçi, “Shekspiri në botën shqiptare”, Tiranë, 1996, faqe 34-36).

+++

Kjo qasje filozofike e Prof. Uçit disa vjet pas tragjedisë, është sa e argumentuar, aq dhe bindëse, ndërsa mendoj se ka dhënë thelbin e asaj që ndodhi në vitin 1981 në Tiranë. Sepse është një interpretim logjik, i ftohtë, përtej pasioneve dhe brenda logjikës së ligjeve të historisë.

Fakt është që Skënder Luarasi, pavarësisht se i kishte humbur kurioziteti për ato që po ndodhnin, i pa dhe i përjetoi deri në fund aktet e tragjedive shekspiriane që u luajtën në kupolën e regjimit komunist shqiptar në fundshekullin XX. Ai thjesht vërtetoi një parandjenjë të tij, konkluzionin e përpiktë në të cilin kishte arritur tragjediani i madh anglez, të cilin e kishte përkthyer me aq pasion dhe elegancë. Në tragjedinë shqiptare ndryshonin vetëm emrat, por jo skenari, pabesitë, kurthet, intrigat dhe fatet e pashmangshme njerëzore. Gjaku i viktimave të radhës vazhdonte të rridhte lumë, ashtu si vera në gostitë e të kurorëzuarve të rinj… Megjithatë, me sa duket Profesori-Përkthyes e përjetoi me dhimbje eliminimin e ish-studentit të tij Kryeministër dhe i mbylli sytë 40 ditë më pas, më 27 janar 1982, si për të thënë se ato që do të ndodhnin më vonë nuk i interesonin dhe nuk donte të shihte më shumë gjak dhe tmerre… Aq më tepër të shihte përsëritjen e historisë si komedi, rishfaqjen e magjistricave, makbethëve dhe rikardëve të rinj, përbetimet e hipokritëve bastardë për ideale, shtirjen e batakçinjve si heronj dhe turmat amorfe që i brohorasin në çdo kohë. Në 82 vitet e jetës së tij kishte parë aq shumë tragjedi, sa i kishte humbur kurioziteti për të dëgjuar gjëma të tjera, të cilat i shkaktonin vetëm dhimbje. Por edhe i bindur se historia do të vazhdonte të rridhte tragjikisht edhe paskëtaj sipas ligjeve të saj të përjetshme…

*(Marrë nga libri “PRAPASKENA – Hulumtime në historinë e Shqipërisë komuniste”)

1
Kopertina e librit të ri: “PRAPASKENA – Hulumtime në historinë e Shqipërisë komuniste”, të gazetarit Xhevdet Shehu

 

Share This Article
11 Comments
  • Xhevdeto,po kush mundet me m`tregue se vetem ne shqiptaret jemi tragjiket per pushtetin?
    Jo,xhevdet te gjith njerzit apo ata qe jua jep lotria fati apo fatmirsia,nga zoti apo ezopi,qe te hyn ne politik,dhe ne pushtete,pra makbethi,dhe shekspiri nuk ishin shqiptare,po tragjedit e tyre jan edhe sot te freskta apo jo?
    Prandaj thuhet se shkami,karika,pushteti jan te lezetshem,kariera e shijshme,pra pushteti eshte shum shum i shijshem dhe nuk jepet kullai,jo vetem nga shqiptaret qe kan 103 vite shtet,por sikur tju kthehemi monarkive botrore ku nji familje mbretorore si ne angli,apo arabi saudite qe nji familje sundon qinra vite cka i thue ksaj,pse po kapeni vetem tek memeti apo “diktatori,,Enver hoxha?!!Cèshte kjo vetem ne meremi me gjerat te tilla ce sa vite eshte elizabeta e dyt ne britani,dhe nuk ju pengon juvet?

  • O Xhevdet, me ke menderosur gazit me gjithe Alfred Uçin. Po si, si? Tragjedia, Shekspiri, pushteti, e terci e verci. Bjeri or taj drejt se e dime te gjithe Kryeplaku i katunit Shqiperi ia ngrefi Zevendes Kryeplakut, dmth ia futi fare thjesht. E ti me flet per tragjedi e politike e Shekspir e pordha e mordha. Peh!

  • Ato iken te luftojne ne brigadat komuniste per Republiken Komuniste Spanjolle. Ato u rekrutuan nga spiunet Kominternit, spiunazhit sovjetik GRU dhe agjenteve te tyre jugosllave.

  • Ja,tani NDUe,na doli dhe kush dota ndigjoi duke shpifur dhe duke share se,jan apo kan qen komuniste dhe spijun te sllaveve dhe jugosllaveve,pra xhevdet ju ke dhan apetit matrapazve antikombtar dhe antikomunist se gjoja ata jan demokratet si sali serbi,pra na doli ndue dhe tani priti tjeret ndoshta dhe nasradini nuk haron,apo shkrimitari,poeti apo ervizu,se shum jan si ndue.

  • kater komente shume dobet gjuha shqipe. Nuk e kuptoj, a kan bo shkolle kta njerez apojon elifmatrakna (te pa mesuar)

  • @Emigranti

    Emigrant ke shume te drejt, Mire qe komentuesit e mesiperm nuk dine mire shkrim e kendim, por na shesin mend dhe me komente. Hapu dhe te futesh nga injorantet. 🙁

  • Emigrant,edhe ti ke bere 5 gabime ne 15 fjale.Me pelqen qe je kapur tek gjuha,qe po e shkaterrojne te paaftet.Respekt!

  • Ky burre i rralle i kohes vjeter,e cau jeten e tij me :”koke ne torbe”,ashtu si i ati.E kam fjalen per trimin Skender Luarasi dhe jo per kriminelin Mehmet Shehu.E urreu Enver Hoxhen deri ne thellesi te shpirtit,por edhe te ngjashmit e tij.Do te duhej nje nate dimri t`ju tregoj romuzet e Skender Luarasit per Enver Hoxhen dhe Dhimiter Shuteriqin.

  • Ky artikull meriton vëmendje e gjykim serioz sepse zbëthen disa enigma dhe jep mesazhe universale:
    1. Marrëdhëniet e E.Hoxhës -kreu i PPSH me M.Shehun-kryeministër
    2. Mekanizmin e funksionimit të diktaturës ku drejtonte Njëshi, të tjerët qenë dekor.
    3. Veprat shekspiriane (klasikët në përgjithësi) meritojnë të studjohen mire nga politikanët e intelektualët për të kuptuar më mire të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, në funksionimin, drejtimin dhe kontrollin e pushtetit.
    Për saktësim: S.Luarasi e ka njohur M.Shehun si nxënës, si bashkëluftëtar antifashist në luftën e Spanjës dhe më pas si bashkëvuajtës në kampet e përqëndrimit në Francë. Pas çlirimit takoheshin rrallë ku diskutonin për ngjarje historike e letrare, por jo për politikë. Në kujtimet e tij S.Luarasi (i ndarë nga jeta më 27 prill 1982) ka sqaruar disa rrethana që dëshmojnë konjukturat, mendësinë dhe metodat ndërvepruese të kreut të diktaturës me klanet në luftën për pushtet, nga të cilat vetë S.Luarasi u luftua dhe u mënjanua duke iu përkushtuar monografive për rilindasit, përkthimit të klasikëve dhe punës si arsimtar. Ne kujtime ai ka bërë një dallim të qartë midis M.Shehut si intelektual, atdhetar, luftëtar antifashist, kryeministër i zoti kundrejt politikanit që manovronte në vorbullat e diktaturës. S.Luarasi e dinte fundin kur shkroi : ‘’me vdekjen e Hysni Kapos, u prishën ekuilibrat në Byronë Politike’’ dhe koha vertetoi paralajmërimin që i bëri M.Shehut. Me bekimin e Udhëheqësit përsëri fitoi grupimi ‘’i të rinjve revolucionarë’’ mbi ‘’të vjetrit reaksionarë’’.
    Pyetja kryesore është: A fitoi apo humbi Shqipëria dhe kombi shqiptar nga vrasja e M.Shehut qindra e luftetarëve antifashistë dhe intelektualëve të mirëfilltë (tok me persekutimin e familjeve te tyre) për hir të ruajtjes së pushtetit personal e klanor?

  • E besoj keshillen me zemer ne dore te fisnikut, letrarit e gjuhetarit brilant Skender Luarasi per Mehmet Shehun,ish-nxenesin bashkeluftetarin e tij ne betejen internacionale te Spanjes dhe mikun e vyer te tij,po aq sa besoj lehtesine fatale me te cilen e ka marre kete kumt dritherues Kryeministri me jetegjate dhe me dobiprures per Shqiperine,ne tere historine e shtetit te shqiptareve.Mendoj se duhet te kete ndodhur pas vdekjes se Hysni Kapos;pra pas shtatorit 1979 .
    Nuk kam per t’a harruar kurre thirrjen e trishte te Mehmet Shehut nga tribuna e Kongresit te tete (nentor 1981) drejtuar shqiptareve,-“Ketej e tutje shqiptaret duhet t’a ngulin kasmen mire”,-ishte nje thirrje shume deshperuese qe paralajmeronte varferimin progresiv te tere shoqerise;ashtu sikunder edhe ndodhi me nje shpejtesi sketerre pas vrasjes se tij.Nuk ia fal edhe sot viktimizimin qe I beri boshnjaku me ze femre,i peshtire sa me s’behet,te cilin nuk e merrte askush ne hesap,,,hijena ramiz alia.Per kete arsye them qe nuk e ka marre lehte kumtin e Prof.S.Luarasi.
    Sidoqofte nga ky artikull mesoj miqesine e bekuar te Skenderit dhe Mehmetit,si dy xhentellmene sojllinj;sikurse edhe ishin.
    TUNG.

  • Bravo!!! Njohje dhe gjykime goxha filozofike mbi historine e provinces sone totalitare!!! Enver-Mehmet sikunder e keqja perballe se mires!!! Rrevolucionare, lufterare ne Spanje, te shkolluar, intelektuale e politikane te shquar – ç’e pyet – dhe ja ku u ndrit e u ndricua historia jone “Enver-Mehmet” me profecine “ruaju Mehmet i lavdishem” dhe me analiza Uçiane! LUMSI NE!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *