Festa e titullit për Skënderbeun është shtyrë për javën e ardhshme, kur do të ndeshet me Kastriotin para tifozëve të tij. Kampionët e vendit janë mundur dje në Vlorë, ndërkohë që Kukësi ka fituar në Kavajë. Këto dy rezultate e çojnë në nëntë pikë diferencën midis dy skuadrave të para, kur kanë mbetur edhe tri javë për t’u luajtur. Nga këto, Skënderbeu do të luajë dy në shtëpi, kundër Kastriotit e Luftëtarit, para se t’i bëjë vizitë Kukësit në javën e fundit, me siguri si kampion i rikonfirmuar i Shqipërisë. Por, ndërsa titulli nuk komprometohet, me siguri që humbja përballë rivalit kryesor të viteve të fundit është e vështirë për t’u kapërdirë. Takimi nisi menjëherë në malore për korçarët, teksa Migen Memelli shënoi që në minutën e katërt, duke i dhënë kryesimin skuadrës së tij. Fillim premtues për më tepër gola, por nuk ndodhi dhe rrjeta e shënuesit më të mirë të kampionatit nuk u shoqërua nga të tjera. Përtej “kunjave” dhe kënaqësisë që shtyn festën e rivalëve, fitorja e Flamurtarit ka shumë vlera në luftën për Evropën. Vlonjatët ruajnë vendin e tretë, me pikë të barabarta me Teutën, një më pak se Kukësi. Ky i fundit fitoi pastër në Kavajë kundër Besës, me nga një gol për çdo pjesë loje. Pas eliminimit nga Kupa, Kukësi synon të hyjë në Europa League përmes kampionatit. Deri tani është në pozita të mbara, por java e ardhshme mund të thotë shumë, pasi pret Flamurtarin. Teuta përmbysi disavantazhin e pjesës së parë, duke mundur 2-1 Apoloninë, falë golit të Daniel Xhafajt dy minuta para fundit. Të treja skuadra që synojnë dy vendet në podium poshtë Skënderbeut fituan dje, çka e lë Tiranën me shpresa më të pakta për Europa League, pasi asgjë nuk ka ndryshuar në renditje. Për skuadra poshtë Tiranës është e vështirë të pretendohet më Evropa, pasi janë shtatë pikë që ndajnë Vllazninë me vendin e tretë, ndërkohë që pikët e mundshme për t’u fituar janë nëntë, ndaj mund të thuhet se verdikti i kësaj jave ka qenë pakësimi i numrit të pretenduesve, pas fitores së bardhebluve me shkodranët.
Loja në prapaskenë
Teuta duket skuadra më e favorizuar në letër për të zënë një nga dy vendet që të çojnë në kompeticionin evropian. Durrsakët dhe Tirana kanë kalendar më të mirë, krahasuar me Kukësin e Flamurtarin, por bardheblutë kanë pengesën e madhe të pikëve, -4 nga vendi i tretë. Teuta ka dy ndeshje në transfertë nga tri që kanë mbetur, por luan me skuadra të painteresuara dhe kjo ka vlerë të jashtëzakonshme në kampionatin shqiptar. Dy kundërshtarë janë finalistët e Kupës, që mund të ruajnë forcat, ndërsa i treti është Tomori, tashmë i rënë. Kjo vlen edhe për Tiranën, me Apoloninë në vend të Tomorit. Kukësi e Flamurtari ndeshen javën e ardhshme, ndërsa më pas kuksianët shkojnë në Krujë dhe presin Skënderbeun. Vlonjatët presin Vllazninë dhe pastaj luajnë në Fier, përballë Apolonisë së rrëzuar. Duke ditur lojërat e mëdha në prapaskenë, që nuk mungojnë asnjë vit, është vërtet e vështirë të parashikosh se kush do të luajë në Evropë. Më tepër se fusha, përcaktuese do të jenë “tryezat” me të ashtuquajturat aleanca ato që do të nxjerrin përfaqësuesit e Shqipërisë në Europa League.
Lufta për Europa League
Java Kukësi Flamurtari Teuta Tirana
24 Flamurtari Kukësi Bylis Apolonia
25 Kastrioti Vllaznia Laçi Bylis
26 Skënderbeu Apolonia Tomori Laçi
Me germa të zeza, ndeshjet brenda