Ndeshja Skënderbeu-Tirana e programuar për tu luajtur të mërkurën në 17.00 nën dritat e prozhektorëve rrezikon të zhvillohet në këtë orar pasi stadiumi “Skënderbeu” është debitor për shkak të mos pagimit të faturave të energjisë elektrike në një shumë që kap vlerën 44 milionë lekë të vjetra.
Ky detyrim për hir të së vërtetës është i mbartur prej 8 vitesh, pasi daton që në 2007 që stadium nuk i paguan faturat përkatëse. Në atë periudhë klubi dhe stadium administrohej nga Bashkia e Korçës dhe fillesat e këtij borxhi me një shifër relativisht të madhe i përkojnë pikërisht institucionit të rëndësishëm të qytetit. Klubi Skënderbeu administrohet që nga vera e vitit 2012 nga Ardian Takaj dhe nën këtë administrim të duket absurd që klubi i sotëm të paguajë dhe detyrimet e së shkuarës.
Alarmi për këtë borxh është dhënë që dy javë më parë dhe pavarësisht interesim të Takajt ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti që Bashkia nuk është shqetësuar dhe nuk ka marrë përsipër për momentin asnjë tratativë me kompaninë përkatëse për të gjetur një mënyrë për shlyerjen e borxhit dhe për të mos cenuar aktivitetin.
Skënderbeu ka opsionin të luajë pa prozhektorë por një gjë e tillë do të cenonte realisht imazhin e ndeshjes dhe programin zyrtar të sfidës. Një spostim i orarit të ndeshjes përpara kohe do të ndikonte direkt dhe në pjesëmarrjen e tifozëve në stadium duke qenë se është ditë jave dhe njerëzit janë në marrëdhënie pune në orarin e drekës.
Klubi Skënderbeu dhe personalisht presidenti Takaj janë duke negociuar që edhe kjo ndeshje të zhvillohet në orarin e premtuar dhe fill pas kësaj sfide, klubi dhe bashkia të ulen për të gjetur një mënyrë për të nisur shlyerjen e borxhit i cili mbaret tanimë prej 7 vitesh. Nëse e gjitha kjo nuk mund të arrihet ka një ide për të instaluar gjenerator por një gjë e tillë duket realisht e vështirë, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion dhe të sigurisë maksimale që ofron një zgjidhje e tillë.
Një pakujdesi e vjetër e mbartur sidomos nga një institucion shtetëror mund të prodhojë sërish kaos me kalendarin e javës së ardhshme në superiore. Zhvillimi i ndeshjes në orën 17.00 ditën e mërkurë për momentin është në rrezik.

Shikoni kur Rama te urdheroj arrestimin e “Skenderbeut”