Telashe në horizont për Skënderbeun, vetëm pak ditë përpara ndeshjes shumë të rëndësishme ndaj Partizanit që do të përcaktojë edhe fatet e titullit kampion. Marko Radas, mbrojtësi kroat i korcarëve ka pësuar një dëmtim në gju dhe me shumë gjasa do të mungojë për rreth 4 javë.
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga klubi i Skënderbeut pasi këta të fundit po presin që 32-vjecari të kryejë të gjitha ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar përfundimisht shkallën e dëmtimit, gjithsesi është e sigurtë mungesa e Radas në duelin vendimtar ndaj Partizanit.
Nëse gjithcka konfirmohet, atëherë ky sezon për qëndërmbrojtësin kroat mund të konsiderohet i mbyllur. Pa Radas në dispozicion në ndeshjen ndaj Partizanit trajneri i kampionëve Mirel Josa pritet ti japë një fanellë titullari, Bajram Jashanicës, me këtë të fundit që do të rreshtohet përkrah Tefik Osmanit në qëndër të prapavijës.
Në sfidën e fundit të kampionatit ndaj Teutës, Radas la fushën në minutën e 89-të duke i bërë vend pikërisht Jashanicës. 32-vjecari kroat është një futbollist shumë i rëndësishëm për Skënderbeun. Në këtë sezon Marko Radas numëron 25 ndeshje në kampionat me korcarët, teksa ka arritur të realizojë edhe 1 gol, pikërisht atë ndaj Flamurtarit drejtëpërdrejtë nga një goditje standarte.
