Vetëm një ditë më parë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, deklaronte se do të bënte minimalisht edhe 3 blerje të tjera cilëore, në mënyrë që ekipi të përfaqësohet sa më mirë në fazën e grupeve europiane, por edhe për sezonin e ri në futbollin shqiptar, ku Skënderbeu sërish kërkon të jetë dominues, pse jo, duke i kërkuar të dy trofetë. Ende pa u mbushur 24 orë nga kjo deklaratë, Takaj ka zyrtarizuar blerjen e radhës.
Emerson Gomes de Moura është lojtari më i ri i skuadrës së Skënderbeut. 27-vjeçari brazilian luan në qendër tës mesfushës (shkatërrues) dhe gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për ekipe të mirënjohura braziliane, si Botafogo dhe Ponte Preta. Lojtari në fjalë ka firmosur sot kontratën, që e lidh me klubin korçar për sezonin 2015-2016 dhe të mërkurën e ardhshme do t’i bashkohet ekipit në Shqipëri. Emerson nuk do të luajë në ndeshjen e kthimit kundër Dinamos së Zagrebit. Debutimin pritet ta bëjë në ndeshjen e parë të sezonit kundër Vllaznisë, por më parë trajneri Josa do të shohë formën fizike të tij.
Është blerja e katërt cilësore për Skënderbeun gjatë kësaj merkatoje, nëse llogarisim edhe Salihin. Pas Eskuerdinjës dhe Hristov, Emerson shihet një përforcim me shumë vlerë. Megjithatë, duke qenë se Skënderbeu minimalisht do të jetë në fazën në grupe të Europa League, kërkohen të tjerë futbollistë cilësorë. Të paktën edhe dy futbollistë të tjerë priten gjatë javës tjetër t’i bashkohen Skënderbeut, por presidenti Takaj edhe njëherë tjetër ka deklaruar se për emrat do të flitet vetëm kur të jetë arritur akordi.
