Katër titujt kampion në vitet e fundit nuk kanë shuar oreksin e Skënderbeut për të tjerë trofe. Të dielën në “Qemal Stafa” korçarët do të diskutojnë finalen e 4-t radhazi të Superkupës së Shqipërisë, kësaj radhe ndaj Flamurtarit. Edhe pse jemi në vigjilje të sezonit të ri dhe bateritë nuk janë karikuar plotësisht, një sfidë e tillë luhet për t’u fituar. “Çdo trofe luhet për t’u fituar, varet nga përgatitjet që kanë bërë skuadrat. Ne kemi qenë gjatë të gjithë kohës në tonus, ashtu si dhe Flamurtari. Kemi probleme pasi kemi lëvizje të lojtarëve kryesorë pas ndeshjeve të Europës. Kush është ai që nuk ka dëshirë të ketë në palmaresin e vet një trofe më shumë. Do të jetë e luftuar dhe mua më intereson që të shoh se çfarë do të bëjë ekipi”, deklaron trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ndërkohë që në të njëjtën linjë shkon edhe kapiteni i kampionëve, Bledi Shkëmbi. “Skënderbeu shkon si gjithmonë për të fituar cdo ndeshje dhe çdo trofe dhe këtë dëshirë kemi edhe për të dielën”, deklaroi ai. Superkupa e Shqipërisë edhe pse nuk ka sharmin e kampionatit apo të Kupës, në një finale me të tillë emra vlen shumë. Kapiteni i Skënderbeut është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka një përballje me Flamurtarin, duke e etiketuar si ndeshjen e duhur për të çelur sezonin. “Patjetër që është një trofe jo shumë i rëndësishëm por ndeshja ndaj Flamurtarit këto vite është ndjerë shumë dhe mendoj se do të jetë e bukur, ndoshta ndeshja e duhur për të çelur një sezon të gjatë”, shton lideri i skuadrës korçare. Një finale e tillë shërben për të kuptuar fytyrën e vërtetë që skuadrat do të tregojnë në sezonin e ri. Megjithatë Josa mendon se kjo sfidë vlen vetëm një trofe dhe jo për të treguar se kush pritet të jetë dominuese këtë sezon. “Nuk tregohet që tani se kush do të jetë skuadra dominuese e futbollit. Të dyja skuadrat kërkojnë një trofe më shumë për veten. Do të jetë një ndeshje ku do të kemi përballë një skuadër e cila ka lëvizur mirë në merkato dhe pretendente si përherë. Me cilëndo skuadër tjetër të luanim të dyja do të kërkonin ta fitonin”, theksoi trajneri. Flamurtari nuk është e vetmja skuadër e përforcuar këtë vit, pasi për titullin gara pritet të jetë e ashpër. Përtej finales së Superkupës, kapiteni Shkëmbi jep mendimin e tij edhe për sezonin e ri, duke u shprehur i bindur se titulli do të përfundojë sërish në Korçë. “Mendoj që këtë vit kampionati do të jetë më i fortë sesa më parë. Rivaliteti do të jetë më i madh dhe për formulën. Por përfundimi dihet në fund kampion është Skënderbeu”, përfundoi Shkëmbi.

Per çfar i fitoni , kur nuk keni tifozeri ne stadium .