Korçarët mundin Flamurtarin dhe shkëputen ndjeshëm nga skuadrat e tjera
Skënderbeu fitoi 3-1 me Flamurtarin dje, në ndeshjen e prapambetur të javës së dhjetë, dhe tashmë është i shkëputur shtatë pikë nga vendi i dytë, që mbahet nga Teuta. Kanë kaluar vetëm 11 javë dhe matematikisht janë të shumta skuadrat që mund ta pretendojnë kurorën, por pakkush mund të ketë dyshime në revanin e Skënderbeut drejt titullit të tretë radhazi. Por, korçarët nuk janë thjesht skuadra kryesuese e kampionati, ata janë njëkohësisht skuadra më e stabilizuar, nuk njohin ende humbje dhe kanë mundur rivalët direkt, gjë që nuk vihet re te të tjerët, të gjithë me shumë lëkundje. Në këtë mënyrë, skuadrave që në letër ende pretendojnë titullin, do t’u duhet që thjesht të luftojnë për dy vendet në Europa League, por edhe për Kupën e Shqipërisë. Në takimin e djeshëm, Muzaka krijoi iluzione për kuqezinjtë e Vlorës, me golin e epërsisë, por dy golat e Pejiçit dhe një nga Plaku përmbysën gjithçka, ndërkohë që përgjegjësi të madhe në golin e dytë e të tretë mban edhe portieri i Flamurtarit, Koliqi.