Skuadra korçare e Skënderbeut ka reaguar pas seancës dëgjimore të zhvilluar në Komisionin e Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, skuadra e Skënderbeut ka konfirmuar një dënim të mundshëm nga UEFA, ndërsa shprehet se strategjia e ndjekur nga bashkëpunëtorët do të japë rezultate të kënaqshme në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Në njoftimin zyrtar të Skënderbeut thuhet:
Sot, më datë 21.03.2018, është zhvilluar seanca dëgjimore në Komisionin e Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s, lidhur me procedimin disiplinor ndaj Klubit të Futbollit Skënderbeu. Në këtë seancë kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit tanë ligjorë, të cilët kanë argumentuar mospërfshirjen dhe pafajësinë e plotë të klubit në veprimtaritë e pretenduara nga Inspektorët e Disiplinës të UEFA-s.
Duke marrë në konsideratë natyrën e konfliktit, specifikën që paraqet gjykimi disiplinor në organet juridike të UEFA-s dhe veçanërisht, ekzistencën e një marrëdhënie institucionale ndërmjet organit të akuzës dhe të gjykimit, Klubi i Futbollit Skënderbeu ka bindjen e plotë se strategjia e ndjekur nga bashkëpunëtorët tanë do të japë rezultate të kënaqshme në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
Sqarojmë sportdashësit dhe opinionin publik se procesi gjyqësor për çështjen në fjalë është në fazën fillestare të tij dhe se Klubi i Futbollit Skënderbeu është i gatshëm të mbrojë investimet dhe punën disa-vjeçare në të gjitha shkallët e gjykimit, qofshin ato sportive apo civile.
Faleminderit për mirëkuptimin!
Zyra për shtyp
KF Skënderbeu
l.h/ dita
