Skënderbeu me “shpatë”, Josa: Luajmë në sulm

redaktor

Skënderbeu do të ndeshet sot me Neftchi Baku, kampion i Azerbajxhanit, me shpresën që të bëjë më mirë se në dy pjesëmarrjet e mëparshme në Champions League. Kampionët e Shqipërisë janë eliminuar që në raundin e parë më 2011 e 2012 dhe kanë fituar vetëm një nga katër ndeshje, duke i humbur tri të tjerat. Tani skuadra ka më tepër përvojë dhe rrjedhimisht edhe shpresë, ndonëse kundërshtari do të jetë edhe këtë herë i fortë. Neftchi Baku është skuadra më e mirë e Azerbajxhanit dhe një klub me buxhet shumëmilionësh, financuar nga bosët e naftës të vendit buzë detit Kaspik. Trajneri i të kuqve, Mirel Josa, në intervistën pas mbërritjes në Bakú, u ka bërë të qartë vendasve se skuadra e tij nuk do të mblidhet pas në mbrojtje, duke synuar një rezultat pozitiv që në takimin e parë. Edhe pse azerët janë favoritë për t’u kualifikuar, Josa thotë se fituesi i këtij raundi do të njihet vetëm pas takimit të kthimit, në Korçë. “Besoj se Neftchi do të bëjë futboll sulmues, sepse luan në fushën e tij dhe dëshiron të marrë fitoren, por as Skënderbeu nuk do të ulet prapa në mbrojtje”, paralajmëron Josa. “Shpresojmë të marrim një rezultat të mirë këtu, për të pasur më tepër shanse në fushën tonë. Sido që të shkojë, jam i bindur se kualifikimi do të vendoset në Korçë”. Josa është trajneri i tretë i Skënderbeut në tri pjesëmarrje në Champions League dhe shpreson të bëjë më mirë se Shpëtim Duro e Stanislav Levi. “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për skuadrën tonë, por edhe për gjithë futbollin shqiptar”, deklaron Josa për Sport 1 News të Azerbajxhanit. “Ne jemi kampionët e Shqipërisë për të tretin vit radhazi dhe këtë herë duam të tregojmë përmirësim krahasuar me dy pjesëmarrjet e tjera në Champions League. Jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e ndeshjes dhe për kundërshtarin që kemi përballë. Neftchin e kemi parë në Austri, po sigurisht që në këtë ndeshje do të shohim një kundërshtar krejt tjetër. Kjo vlen edhe për ne. Shpresoj që gjithçka të jetë korrekte në fushë”.

 

Shkëmbi, pa frikë kundër azerëve

Kapiteni i Skënderbeut, Blendi Shkëmbi, siguron se e respekton kundërshtarin, por nuk i trembet aspak atij. Azerët bënë bujë vitin e kaluar në Evropë, me kualifikimin në fazën e grupeve në Europa League, ku morën dy barazime me Partizanin e Beogradit dhe një barazim 2-2 me Interin, në Milano. “E dimë që kjo është një ndeshje shumë e vështirë”, deklaron Shkëmbi. Sigurisht që do ta trajtojmë me respekt Neftchinë, por jo me frikë”. Edhe kapiteni, ashtu si trajneri Mirel Josa, shprehet se Skënderbeu nuk do të luajë në mbrojtje, përkundrazi. “Nuk do të presim kundërshtarin, do të përpiqemi që të bëjmë ne lojën tonë e të sulmojmë”, thotë Shkëmbi, i cili identifikon kapitenin Rashad Sadigov dhe Araz Abdullajev si dy lojtarët kundërshtarë më të rrezikshëm.

Kapiteni azer sheh deri në fazën e grupeve

Rashat Sadigov, kapiten i Neftchi Bakú, sheh më larg se përballja e sotme kundër Skënderbeut, duke synuar kualifikimin në fazën e grupeve në Champions League. Pasi bëri të njëjtën gjë në Europa League sezonin e shkuar, oreksi i skuadrës azere është rritur. “Jemi përgatitur seriozisht për këtë ndeshje”, thotë Sadigov. “E respektojmë kundërshtarin, por do të përpiqemi të fitojmë. Kemi besim te vetja dhe shpresojmë që të arrijmë në fazën e grupeve në Champions League. Kapiteni kundërshtar thotë se tani e njeh lojën e Skënderbeut: “Luajnë futboll kolektiv, duke preferuar kryesisht kundërsulmin”.

 

Trajneri azer komentonndeshjen… e kthimit

Trajneri i Neftchi Bakú, Bejukaga Haxhijev, ka premtuar trajtim me respekt të Skënderbeut në ndeshjen e sotme, por indirekt lë të besohet se e merr të mirëqenë fitoren, teksa flet për mënyrën se si do të luajë skuadra korçare në ndeshjen e kthimit. Sipas tij, shqiptarët në Korçë do të bëjnë lojë të hapur, për të kërkuar patjetër fitoren, çka nënkupton që rezultati pozitiv i takimit të parë u përket azerëve. “Do ta trajtojmë kundërshtarin me respekt, ndryshe do të jetë e pamundur të fitojmë. Në fushë do të hyjmë vetëm me mendimin për fitore. Do të bazohem më tepër te garda e vjetër, djemtë që luajtën vitin e kaluar dhe kjo është e natyrshme, sepse ata kanë luajtur bashkë dhe e njohin më mirë lojën e njëri-tjetrit. E kemi studiuar lojën e kundërshtarit, të cilin e kemi parë në disa ndeshje, thotë trajneri. “Në Shqipëri do të jetë më e lehtë, sepse ata do të luajnë për fitore dhe do të jenë më të hapur”. Ashtu si Skëndebreu, edhe Neftchi nuk shkëlqeu në ndeshjet miqësore në Austri, por trajneri thotë se atje u vu theksi te përgatitja fizike dhe lojtarët kishin shumë ngarkesë. “Lojtarët patën ngarkesë të madhe, por e konsideroj si të frytshme stërvitjen në Austri. Nuk kishim shumë kohë në dispozicion, ndaj nuk u dhashë asnjë ditë pushim. Tani jemi në formë më të mirë”.

 

Kuotat e basteve, Neftchi superfavorit

 

Bet 365    1.33 4.75 10.00

Bwin       1.30 4.75 8.25

Sbobet     1.33 4.10 8.25

WillHill   1.30 4.40 8.00

 

 

 

 

Kundër rrymës

 

Tri arsye pse

do të jetë

e vështirë

kundër Skënderbeut

 

Neftchi Bakú shpreson te fitorja sot kundër Skënderbeut dhe konsiderohet favorit, por një prej analistëve sportivë të Azerbajxhanit, Shemshedin Abazov, sheh vështirësi për kampionen e vendit, duke radhitur tri arsye që i konsideron thelbësore:

1. Largimi i sulmuesit kilian, Nikolas Kanales. Për të aplikohet shprehja e Jul Çezarit, “erdha, pashë, fitova”. Pasi erdhi këtu, shënoi shumë gola, përfshirë edhe kundër Interit të Milanos. Pas skadimit të kontratës, kërkoi më tepër pará, por nuk ia plotësuan dëshirën dhe iku te Zeniti. Sigurisht që Neftchi do t’ia ndiejë mungesën kundër Skënderbeut dhe nuk e kuptoj se pse klubi nuk bëri gjithçka për ta mbajtur.

2. Arsyeja e dytë është psikologjike dhe nuk aplikohet vetëm për lojtarët dhe skuadrën në tërësi. Në të kaluar, askush nuk e besonte se Neftchi mund të luante në fazën e grupeve në Europa League. Pasi e arriti vjet, tani që të gjithë duan të shkojnë në grupe në Champions League dhe askush nuk ka durim e të presë. Kjo ushtron një presion shumë të madh mbi lojtarët dhe trajnerin.

3. Arsyeja e tretë lidhet me të dytën. Pasi eliminoi APOEL Nikosian e Qirpos dhe u kualifikua në grupe, ku më pas barazoi dy herë me Partizanin e Beogradit dhe një herë me Interin, në Milano, skuadra jonë tani nuk përbën më surprizë. Tani është e njohur dhe që të gjithë do ta marrin shumë, shumë seriozisht. Favori i nënvlerësimit të kampionit tonë nga kundërshtari tani nuk ekziston më.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *