Pas dy vitesh pa fitore ndaj të kuqve, skuadra e Skënderbeut ka fituar sot me rezultatin 2-0 ndaj Partizanit. Një fitore e vendosur nga goli i realizuar nga Sowe, në minutën e 66’ dhe ai i Lilaj me 11-metërsh në minutën e 87’, që i ka shërbyer korçarëve jo vetëm për të nxjerrë mllefin e gjithë përballjeve në të cilat është frenuar nga kryeqytetasit, por gjithashtu edhe për të marrë kreun e klasifikimit, mbase edhe vetëm provizorisht. Nga ana tjetër, kjo disfatë në transfertë ka vulosur krizën e Partizanit në këtë fillim sezoni, duke mbetur në fund të klasifikimit, me vetëm një pikë në tre ndeshje, po aq sa Lushnja.
Bardhekuqtë kanë dominuar në mënyrë të padiskutuar ndeshjen, që nga fillimi i saj. Në minutën e 3’ të takimit regjistrohet rasti i parë flagrant për korçarët, me protagonist Sowe në zonën e të kuqve, që në djagonale tenton, por topi përfundon jashtë kuadratit të mbrojtur nga Hoxha. Në të 10’ Skënderbeu godet shtyllën me Gavazaj që pasi rrëmben një top nga të kuqtë, tenton të gjejë golin e avantazhit, por ndalet nga shtylla.
Në të 11’ Partizani i përgjigjet me kundrasulm të shpejtë, por topi i Çanit përshkon të gjithë zonën korçare, pa u devijuar. Muzaka vonon në manovrën e tij në hyrje të zonës në të 16’. Një mori tentativash nga skuadra e Skënderbeut, që ose janë të gabuara në finalizim, ose ndalen nga prapavija e Partizanit. Nga ana tjetër të kuqtë janë të pafuqishëm për të rrezikuar seriozisht portën e Shehit.
Me të njëjtin skenar zhvillohet edhe fraksioni i dytë i lojës, me korçarët që në këtë pjesë janë më të saktë në finalizim. Një asist perfekt i Vangjelit në të 66’, është shndërruar në gol nga Sowe. Në të 82’Nimaga ekzekuton një gjuajtje perfekte, por po aq perfekte është edhe ndërhyrja e Hoxhës. Në të 86’ Mici pengohet në zonë dhe fiton një 11-metërsh, i shndërruar në gol në të 87’ nga Lilaj që ekzekuton në mënyrë të zjarrtë një top të pandalshëm nga Hoxha. As Çani dhe as Sukaj nuk kanë mundur dot të të tërheqin para Partizanin në këtë përballje me Skënderbeun.
Skënderbeu – Partizani 2-0
Shënues: Sowe 66′, Lilaj 87’ (11-m)
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Aliti, Mici, Lilaj, Nimaga, Muzaka, Gavazaj, James, Sowe.
Trajner: Ilir Daja
Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Atanda, Krasniqi, Kotobelli, Batha, La Camera, Adorjan, Trashi, Progni, Çani.
Trajner: Mark Iuliano
Arbitër: Remzi Sadiku
