Korçarët shkëputen në plus katër, me një ndeshje më pak. Tirana ngjitet në vendin e tretë
Skënderbeu është dominues i kampionatit, teksa ka dalë me tri pikë nga transferta e vështirë në Krujë, kundër Kastriotit. Në qytetin e kalasë së heroit kombëtar, skuadra e Mirel Josës nuk e ka vënë në dyshim suksesin, teksa ka kryesuar 2-0 me gola të shënuar nga Tomiç e Plaku, ndërsa goli i vendasve, me autor Sykajn shërbeu për t’i bërë më dramatike minutat e mbetura, por pa ndikuar në kahun e rezultatit. Me një ndeshje më pak se ndjekësit, Skënderbeu është i distancuar katër pikë nga Teuta e vendit të dytë, ndërkohë që vendi i tretë tashmë mbahet nga Tirana. Pa asnjë humbje në 11 javë, kampionët e dy sezoneve të fundit tregojnë qartë se janë ata skuadra më e mirë dhe se për t’u marrë kurorën do të jetë një sipërmarrje vërtet e vështirë, në mos e pamundur. Ndeshja Në Krujë pritej të ishte detyrimisht një sfidë e fortë për korçarët, por kroati Tomiç u dha shpejt epërsinë, që në minutën e gjashtë. Krutanët luajnë fort dhe i detyrojnë kampionët të tërhiqen, megjithatë miqtë mbrohen pa shumë vështirësi, duke mos lejuar raste në portën e tyre. Në minutën e 70-të, kundërsulmi korçar është vrasës, teksa Plaku shënon golin që u duk se do të ishte ai i sigurisë. Por, pesë minuta më vonë, Sykaj rihapi lojën, me golin e parë për vendasit. Krutanët i luajtën të gjitha kartat, ushtruan presion të madh në zonën e portierit Shehi, por porta e këtij të fundit mbeti e paprekur për herë të dytë. Në këtë mënyrë, fitorja u buzëqeshi korçarëve, që tashmë do të presin Flamurtarin, të mërkurën, në ndeshjen e prapambetur të javës së dhjetë.
Ringjallet Tirana
Fitorja e javës së kaluar në Shkodër i krijoi realisht shumë mundësi Tiranës të ngjitej në renditje, pasi këtë javë priste Apoloninë dhe tri pikët llogariteshin si të sigurta. Megjithatë, bardhebluve iu desh të vinte pjesa e dytë për të shënuar golat e fitores kundër fierakëve. Këta të fundit patën një mundësi të mirë me Ribajn në pjesën e parë, por pushimi i gjeti skuadrat pa gola. Gilman Lika ishte ai që i dha fund ankthit të Tiranës, kur shënoi me kokë pas një topi të ardhur nga këndi. Më pas, Mirel Çota, i cili kishte premtuar gol, mbajti fjalën duke dyfishuar shifrat. Dy golat ishin të mjaftueshëm për tri pikë dhe Tirana e sheh veten në vendin e tretë, me vetëm një pikë më pak se Teuta, por plot pesë poshtë Skënderbeut dhe, në rast se korçarët fitojnë të mërkurën, vështirë se bardheblutë mund të fitojnë titullin e 25-të në përfundim të kampionatit.
Pa gola në Durrës
Në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, Besa dhe Vllaznia prodhuan të vetmen ndeshje pa gola për javën e 11-të. Kavajasit luanin aty, në fushë asnjanëse, për shkak të dënimit për të luajtur gjashtë javë larg stadiumit “Besa”. Kuqeblutë e Duros janë tepër të kujdesshëm në prapavijë, arrijnë t’u bëjnë ballë me sukses sulmeve të verdhezinjve, ndërsa në 15 minutat e fundit të lojës tentojnë edhe ata të befasojnë. Barazimi nuk kënaq asnjë nga skuadrat, pasi tani ato mbete në mesin e renditjes, shumë larg kreut.
Ekuilibër në Peqin
Laçi e nisi me këmbën e mbarë ndeshjen kundër Shkumbinit, kur shënoi që në minutën e dytë, me anë të Bilibashit. Peqinasit tronditen, por nuk pajtohen me rezultatin dhe këmbëngulin gjatë për të barazuar. Përpjekjet e tyre të shumta do të konkretizohen plot 80 minuta më pas, kur Mustafai shënoi golin e barazimit. Në tetë minutat e mbetura, vendasit kërkuan të merrnin fitoren, por Laçi nuk lejoi më tundjen e rrjetës. Edhe këtu një barazim që nuk i kënaq vendasit, ndërkohë që për udhëtuesit është një rezultat i mirë, ndonëse e nisën menjëherë në avantazh.
Kategoria Superiore
Java e 11-të
Të shtunën
Tomori-Luftëtari 1-1
Ovoje 75′ / Boci 90′
Teuta-Bylis 3-0
Nika 7′, 89′, Xhafaj 90′
Flamurtari-Kukësi 2-0
Bratiç 11′, Memelli 58′ (p)
Dje
Shkumbini-Laçi 1-1
Mustafaj 82′ / Bilibashi 2′
Tirana-Apolonia 2-0
Lika 63′, Çota 77′
Besa-Vllaznia 0-0
Kastrioti-Skënderbeu 1-2
Sykaj 76′ / Tomiç 6′, Plaku 71′
Renditja
1 Skënderbeu 24
2 Teuta 20
3 Tirana 19
4 Kukësi 18
5 Laçi 18
6 Vllaznia 16
7 Besa 16
8 Bylis 15
9 Flamurtari 15
10 Kastrioti 12
11 Luftëtari 11
12 Shkumbini 8
13 Apolonia 5
14 Tomori 5
Skënderbeu e Flamurtari kanë një ndeshje më pak
“Match point” në Korçë
11 javë janë shumë pak për të përcaktuar skuadrën kampione, megjithatë, në rast se Skënderbeu fiton kundër Flamurtarit të mërkurën, në Korçë, vështirë se dikush do të ketë më dyshime. Skuadra e Mirel Josës ka 24 pikë në dhjetë ndeshje, e ndjekur nga Teuta me katër më pak dhe Tirana pesë. Fitorja do t’i çonte kampionët në plus shtatë, një diferencë praktikisht e pamundur për t’u zeruar nga ndjekësit më të afërt. Shtatë pikë janë vërtet shumë, sidomos kur hendekun e ka krijuar skuadra kampione në fuqi për dy sezonet e fundit, skuadra më e mirë aktualisht dhe që ende nuk njeh humbje, skuadra që deri tani ka dalë e fituar nga takimet direkt me rivalët, pa harruar edhe faktorin tjetër, jo më pak të rëndësishëm, se Skënderbeut të këtyre viteve të fundit nuk i ka munguar përkrahja jashtë fushe, madje e ka pasur më të madhe se të gjitha skuadrat e tjera së bashku. Ndaj, për këtë arsye, ndeshja e së mërkurës, Skënderbeu-Flamurtari, do të jetë një tjetër “match point” për skuadrën korçare, e cila, me tri pikë mund të vrasë përfundimisht kampionatin dhe të lërë gjitha të tjerat të “vriten” për zonën kualifikuese në Europa League. Tri javë më parë, sytë e të gjithë atyre që duan një kampionat të fortë ishin në Kavajë dhe shpresonin në ndaljen e Skënderbeut. U gëzuan për barazimin pa gola, por 24 orë më pas, ata që festuan ishin korçarët, pasi pika e marrë e rriti në gjashtë diferencën me Vllazninë, e cila u mund nga Teuta. Tani, të gjithë shohin nga Flamurtari, që, ndonëse i ka humbur kontaktet me kreun, mund të jetë i lumtur që ka fituar sërish statusin e skuadrës anti-Skënderbe. Një fitore e vlonjatëve do ta mbante qoftë edhe për pak kohë të hapur luftën, të paktën deri një tjetër “match point” për skuadrën që aktualisht nuk njeh rivalë.